Berisha paraqet dokumentin për vjedhjen e zgjedhjeve: Ja kur ishte kulmi i batërdisë elektorale të Ramës !

0
153

Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot para koordinatorëve politikë një dokument që sipas tij dokumenton vjedhjen e zgjedhjeve në vendin tonë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se kulmi i batërdisë elektorale të Ramës ishte në vitin 2019 kur opozita nuk ishte pjesë e këtij procesi.

“Pas një diskutimi të zgjatur për përpjekjet tona serioze për identifikimin e të gjitha problematikave të panumërta të procesit zgjedhor të një dokumenti serioz, drejtuesit e qarqeve, grupet e punës, kanë përfunduar dhe ditën e mërkurë ne paraqesim në publik këtë dokument në dy vëllime, i cili do të jetë shtyllë bazë e analizës suaj. Analiza do të ketë dy shtylla; farsa zgjedhore e 14 majit dhe se çfarë duhet bërë për përmirësimin maksimal të punës në të gjithë strukturat tona. Më pas do të regjistrohen, do të diskutohen propozimet, mendimet e anëtarësisë për përmirësimin e punës tonë. Do të punojmë për ridimensionim dhe hapje të PD dhe funksionimin e kësaj partie. Ne ju premtuam shqiptarëve se do të mbrojmë votën. Dokumenti që ju do të merrni dëshmon punën më serioze për të mbrojtur votën. Çfarë na duhet?! Unë mendoj se ka një vlerë të gjatë. Që kur ka ardhur Rama në pushtet, por edhe më parë, në Shqipëri ka pasur debat për zgjedhjet. Ky debat u kapërcye në vitin 2005 dhe në 2009 dhe në 2013, flas duke u bazuar jo në pretendime absurde, por në dokumente serioze. Pas vitit 2013 e deri më sot, Shqipëria nuk ka pasur asnjë garë të vërtetë elektorale. Por, kulmi i batërdisë elektorale apo farsës elektorale të Ramës është shënuar në mënyrën më paradoksale dhe të paimagjinueshme në zgjedhjet pa garë të vitit 2019. Në këto zgjedhje ai nuk kishte asnjë rrezik, asnjë rival, ku ai kishte në dorë të kryente një proces zgjedhor lega-artis. Por aty ai realizoi procesin zgjedhor më të shëmtuar që ishte zhvilluar në Shqipëri që prej 91-shit.

Glover nxori një raport bashkë me ekipin e saj dhe do të thosha, raportin më damkosës në historinë e zgjedhjeve në Europë. Zgjedhje që u zhvilluan nga një njeri, që nuk kishte kush t’i cënonte asnjë mandat falë marrëzisë së pengbashës. Por Rama tregoi se konsiderata e tij për zgjedhjet është zero se procesi zgjedhor është një farsë dhe ligji zgjedhor është kinezëri. Dokumenti që ju merrni është dokumenti më i plotë që është hartuar ndonjëherë dhe dëshmon dhunimin e këtij procesi në çdo hallkë. Po ku jemi ne?! Çfarë ndodh me ne? Çfarë ndodh me shoqërinë shqiptare?!Sot të majtë dhe të djathtë dhe të ndërmjetëm, po t’i pyesësh të gjithë thonë; Edi Rama i vjedh zgjedhjet. Por ata shprehen; ai i vjedh, por i fiton zgjedhjet. Në mënyrë jashtëzakonisht me pasoja për vendin, ata nuk kuptojnë se me këtë mendim legjitimojnë mungesën e procesit zgjedhor dhe mungesën e zgjedhjeve. Zgjedhjet që vidhen nuk fitohen.”, tha Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here