SPAK “gjen” pronarët e inceneratorit të Tiranës. Vendos sekuestron. Veliaj në telashe

0
103

Më në fund Kutia e Pandorës është hapur dhe SPAK ka “zbuluar” se pronarët e inceneratorit të Tiranës janë të njëjtët Klodë, Zoto dhe Mërtiri, që tashmë janë shpallur në kërkim për dy djegësit e Elbasanit dhe Fierit. Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, gjykata ka vendosur sekuestron edhe mbi veprën e tretë korruptive të pastrimit të mbetjeve.Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion bëri me dije në një komunikatë se po heton në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, ndërsa bën me dije se “de facto” biznesmenët në kërkim Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë pronarët e inceneratorit. “Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k” thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Pak ditë më parë një investigim i BIRN, nxori në dritë edhe rolin që pati luajtur kryebashkiaku Erion Veliaj në këtë konçesion duke u berë iniciuesi, mbështetësi dhe financuesi i tij nga fondet e bashkisë. Burime të Lapsi.al bënë me dije se pasditen e së mërkurës, në 26 korrik, kryebashkiaku është thirrur dhe është marrë në pyetje për tre orë nga prokurorët e SPAK. Ende nuk dihet se cili ka qenë interesi i hetuesve sepse e gjitha është mbajtur “Top sekret” dhe larg syrit të mediave sipas një “deal-i” paraprak të bërë mes shefave të SPAK dhe Veliajt.

Reporterët e Lapsi.al e patën të pamundur të merrnin një konfirmim mbi këtë temë dhe prandaj lajmi nuk u botua deri më sot. Por në njoftimin e sotëm të SPAK thuhet shprehimisht se mbi këtë çështje po hetohen edhe të zgjedhurit lokalë të bashkisë së Tiranës. Prokuroria po heton krimet e mundshme si “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, gjë që e komplikon situatën e Veliajt.

Inceneratori i Tiranës ka qenë deri më tani një mollë e ndaluar për drejtësinë. Ndonëse media dhe opozita e kanë ngritur zërin me forcë për rreth 80 mijë euro në ditë (shuma totale e pagesave ka vajtur mbi 100 milionë) që vazhdonin t’i paguheshin dy bosëve në kërkim, Zoto dhe Mërtiri, prokuroria nuk e kishte vënë ujin në zjarr. Ngritja në krye të institucionit e Altin Dumanit duket se i ka përshpejtuar gjërat, dhe tani kështjella e korrupsionit të cilën e mbronin me fanatizëm rilindasit është vënë më në fund në sekuestro.

©Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here