Dokumenti i arrestit/ Pse akuza e SPAK fajëson Ramën

0
159

Prej disa vitesh Edi Rama vazhdon të mbajë qëndrimin absurd se tre inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës janë vepra të shkëlqyera, ndonëse ata që bashkëpunuan me të për t’i ngritur ato, po përfundojnë njëri pas tjetrit në burg. Edhe për Arben Ahmetajn për të cilin SPAK kërkoi sot burgosjen në Kwshillin e mandateve, kryeministri la të kuptohet para disa javëve se ai ka ngrënë dardha dhe mollë pas shpinës së tij.Rama po këmbëngul një nga ministrat më jetëgjatë të këtyre dhjetë viteve, numrin dy të qeverisë që i ka besuar edhe financat edhe ekonominë edhe rindërtimin dhe që e gradoi së fundmi zv kreyministër, si dikë që ka vepruar pa lejen e tij.
Por në një dalje publike në Opinion Ahmetaj tha se nuk ka bërë asgjë pa miratimin e shefit ndaj nuk i takon këti të fundit të bëjë gjykatësin. “Le të bëjë punën që di më mirë, atë të kryeministrit. Po bëri Gjykatësin ka problem”, tha Ahmetaj në intervistë me Fevziun.

Kaq u desh që shpura e OPGJ-ve të SPAK të pushtonin vilat e dy grave të Arben Ahmetajt. Ata mësynë menjëherë sapo Rama lëshoi frazën: “Po të kisha qenë unë gjykatës, do ta pësonte më keq”.

Ky episod që ndodhi në mars të këtij viti, tetë muaj pasi Rama e kishte shkarkuar nga detyra, tregoi dy gjëra, së pari se marëdhënia mes tyre ishte thyer përfundimisht dhe së dyti se dyert e burgut për ish ministrin po hapeshin me shpejtësi.

Jo më kot Rama tha me gjysëm ironi për veten nga kongresi i PS-së: “I gjati të lëshon”.

Dhe lëshimi i Ramës është i barazvlefshëm me një alibi: “Unë nuk kam dijeni së ç’kanë bërë bashkëpuntorët e mij në fshehtësi”.

Pra, sikurse shihet në aferën e inceneratorëve po përvijohen dy linja shumë të ndara nga njëra tjetra.

E para është ajo se ky projekt 430 milionë eurosh përbën një mrekulli, që edhe 100 herë po të kthehej mbrapsht Rama do e bënte po njësoj. Dhe vetëm pasi këmbëngul se ka kryer një punë të mirë, Rama thotë se brenda kësaj mrekullie, ka pasur disa keqbërës që kani përfituar si Lefter Koka, Alqi Bllako, Arben Ahmetaj, apo edhe një duzinë zyrtarësh të tjerë që kanë përfituar për të vjedhur.

Ndërsa linja e dytë-, ajo që është më logjike-, pretendon se të gjithë kanë qenë të përfshirë dhe se asgjë nuk është bërë pa miratimin e Edi Ramës.

Dokumenti 12 faqësh i lexuar nga Lapsi.al në të cilin SPAK i kërkon parlamentit arrestimin e Ahmetajt, hedh dritë edhe mbi dilemën nëse Rama dinte gjë apo jo, që me inceneratorët po bëhej kërdia. Po ta lexosh atë me vëmendje shikon që pjesa më e madhe e akuzave që i bëhen Arben Ahmetajt nuk mund ta realizoheshin pa miratimin e shefit të tij. Ai akuzohet psh se ka inicuar vendime qeverie në këmbim të favoreve financiare si, vila, apartamente apo pagesa faturash.

Por, askush nuk mund të mohojë se këto vendime në fund i ka marrë qeveria ku Ahmetaj dhe Koka kishin thjeshtë vetëm dy vota.

Në dokumentin e SPAK, Ahmetaj akuzohet psh. se si ministër financash ka miratuar ato që parardhësi i tij Shkëlqim Cani i kishte kundërshtuar. Po pyetja që lind është: a kishte ai fuqi ta shkarkonte Shkëlqim Canin dhe t’i zinte vendin për t’i hapur rrugë projektit të dy Klodianëve, Mërtiri dhe Zoto? A mund të favorizoheshin dot ata, nëse Rama nuk do kishte hequr qafe ministrin që i pengonte për ta zëvendësuar me dikë që i mbështeste?

Pra kuptohet se as Lefter Koka as Arben Ahmetaj nuk e kishin fuqinë të miratonin 9 akte qeveritare brenda një dite në favor të inceneratorëve. Ata nuk e kishin fuqinë që në kulmin e akuzave për korrupsion të mblidhnin forumet drejtuese të PS, për fushatën 2017, nën barkun e monumentin të korrupsionit në Elbasan. Ata nuk mund të detyronin bashkinë e Elbasanit të shpallte beftas emergjencën mjedisore, që i hapi fillimisht rrugën të gjithë abuzimeve, mungesës së garës dhe favorizimit këtij biznesi si projekt për të grabitur.

Ata që po përndiqen sot nga SPAK nuk kanë më asnjë fuqi, por ama qeveria Rama vazhdon të paguajë tre njerëz në kërkim, përmes inceneratorit fantazëm të Tiranës.

Po të thellohesh në kronologjinë e fakteve që ka dokumenti i akt-akuzës së SPAK, e kupton se Arben Ahmetaj, Lefter Koka dhe Alqi Bllako, natyrisht që mund të kenë përfituar, madje shumë. Por ama, mbi ta ka qenë një superfitues që komandonte gjithçka. Prandaj fabula se Edi Rama ka bërë një vepër të mirë, por ka pasur shokë të këqij që e kanë vjedhur rrugës, është një fabul për budallenj që s’e beson dot më askush.

©Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here