Me top, kundër “topave” të Safetit

0
128

Skandali në Bashkinë e Kukësit, më shumë se kujdo tjetër, i ka mbetur në fyt kryeministrit Edi Rama. Në një kohë kur lideri global gjendej në kulmin e aktivitetit të tij për të marrë një rol rajonal, u eklipsua nga një incident lokal. Kali i Kukësit, ia vodhi gjithë vëmendjen kryekalit, i cili prej dy javësh po përpiqej të dilte i pari në garën për protagonizëm në Ballkan.Zhgënjimi dhe inati i kryeminstrit duhen të kenë kapur majat. Veprimet që pasuan dramën e Gjicit, e dëshmojnë këtë. Madje mobilizimi post- skandal, mori përmasa aq të tepruara sa kapi kufijtë e komedisë. Qeveria me një deklaratë solemne të ministres së Financave (?!) njoftoi shkarkimin e Gjicit, ndërkohë që ky vetë kishte dhënë dorëheqjen më parë. Celulat mediatike shpalosën skenarin e agjenturës së një Mata Hari, fijet e së cilës shtrihen kudo, por këtë herë në rrjetë ngeci Safeti. Dhe kulmin e kulmeve e shënoi SPAK, që nisi hetim penal pas publikimit të videos kompromentuese.

Kur ke parasysh emrin e rëndë të SPAK, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe e vendos në raport me skenën intime në fjalë, shproporcioni tingëllon më shumë se qesharak. Artileria e rëndë, kundër “topave” të Safetit. Gjithë ai SPAK nisi betejën e hetimit penal për një video me pullë të kuqe.

Kjo inisiativë për të ndërmarrë hetimet kryesisht, bëhet edhe më tragji- komike, po të kihen parasysh dhjetra akuza serioze për ministra, kryetarë bashkishë madje dhe për vetë Gjicin. SPAK nuk është në vënë në lëvizje, as kryesisht e as pas padive të bëra, ndonëse dëmi financiar që dyshohet është në përmasa shqetësuese dhe rëndon direkt në jetën e qytetarëve, shumë më tepër se sa një incident me pasoja personale për protagonistët.

Përpara mobilizimit për një video, SPAK mund të kishte hetuar për shembull, se si ka mundësi që kompanitë e Safet Gjicit, kanë marrë plot 110 milionë euro nga tendera publikë. Dy kompani të Safet Gjicit, Eurogjici-Security dhe Kevin Construksion, që aktualisht menaxhohen nga vëllai i tij, vetëm gjatë 7 viteve të fundit, kanë fituar të vetme dhe në bashkëpunim tendera publikë me vlerë mbi 110 milionë euro. Ndonëse të krijuara, njëra në vitin 2001 dhe tjetra në 2006, shifra e më sipërme është realizuar kur Gjici u bë pjesë e oragnizatës së Rilindjes. A është ky rast një flamur i kuq për SPAK?

Nisja e hetimit për një video, që rëndon mbi jetën e personave të përfshirë në të, është ku e ku në shproporcion me hetimet që duhen të kishin filluar për qindra mijëra euro, që vazhdojnë të paguhen nga qytetarët shqiptarë pa marrë asnjë shërbim.

A do duhej të ndërhynte SPAK për të ndërprerë pagesat e Bashkisë për inceneratorin e Tirnaës, ku paguhet një shifër 29 euro për ton, ndërkohë që mbetjet thjesht groposen dhe nuk digjen? Në një kohë që pronarët e inceneratorëve janë nën akuzë, Bashkia e Tiranës vazhdon i paguan pa marrë shërbimin e kontraktuar.

Do të mjaftonte raporti i KLSH, për të vënë në lëvizje SPAK, i cili për videon e Safetit nisi hetimet kryesisht. “Prej vitit 2018, Bashkia Tirane dhe Ministria e Industrisë dhe Energjisë (MIE) janë duke paguar tarifën prej 29 euro/ton mbetje urbane për incenerimin e mbetjeve për një shërbim ende të pakryer, duke qene se inceneratori ende nuk është përfunduar si objekt industrial… Aktualisht çmimi i paguar 29 euro/ton nuk është çmimi real i shërbimit qe kryhet, pasi kjo tarifë përfshin edhe incenerimin e mbetjeve proces i cili nuk është kryer deri me sot. Procedura konkurruese për dhënien e këtij projekti me koncension nuk është kryer në përputhje me parimet e transparences dhe përcaktimet ligjore”, thuhet në raportin e KLSH. Mirëpo SPAK nuk e ka parë të arsyeshme të shqyrtojë këtë rast, ku flututojnë mijëra euro çdo ditë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për TEC-et lundruese në Vlorë, që po u kushtojnë shqiptarëve miliona euro dhe ende nuk prodhojnë energji. Nëse kontrata me këto TEC-e ka qenë e detyruar për shkak të emergjencës energjitike atë kohë, a duhet të hetojë SPAK se si u lidh kjo kontratë, pse u vonua licensimi nga ERE, tenderi për blerjen e mazutit, etj, sepse ndërkohë që zbërthehet video e Safetit, ne paguajmë plot 95 mijë dollarë në ditë për dy vjet rresht. Në total 68 milion dollarë, edhe nëse dy anijet nuk vihen asnjë ditë punë.

Në peshoren e SPAK, këto dhe shumë raste të tjera të ngjashme, rëndojnë më pak se sa një skandal publik që njollos Rilindjen. Shqetësimi që përjeton lideri është shumë më i rëndësishëm se sa abuzimi që pësojnë vdekatarët që ai qeveris. Prandaj topat për Safetin dhe “topet” për miletin./Lapsi.al

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here