Një ditë pasi u njoh me masën arrest në burg për shpërdorim detyre në dy raste, ish-kryebashkiaku i Durrësit po qëndron në të njëjtin sektor të paraburgimit me Alqi Bllakon e Lefter Kokën. Ndërkohë që ai pritet të ankimojë masën shtrënguese në Apelin e Posaçëm, Prokuroria vijon hetimet rreth tij dhe ish-zyrtarëve të tjerë të akuzuar. Burimet konfirmojnë se gjatë veprimeve, nuk përjashtohet mundësia që ndaj ish-numrit një të Durrësit, të ketë edhe hetim pasuror.
Vangjush Dako është dërguar në burgun e Durrësit, ku do të qëndrojë për 10 ditë i vetëm në ambientet e observimit pas caktimit të masës së sigurisë arrest në burg ndaj tij, nga Gjykata e Posaçme të enjten.
Por a është vënë apo do të vihet SPAK në gjurmim të pasurisë së ish-kryebashkiakut socialist?
Burime të besueshme pranë kësaj strukture as nuk mohojnë por gjithashtu nuk pohojnë një fakt të tillë.
‘Për çështje të tilla, përfshirë dhe Dakon, natyrisht që hetimet dhe veprimet hetimore nuk përfundojnë me sigurimin e fakteve dhe ngritjen e dyshimeve të arsyeshme vetëm për të kërkuar një masë sigurie. Ato vijojnë, dhe në momente të caktuara mund të çojnë tek nevoja për të kërkuar edhe të dhëna që kanë të bëjnë jo domosdoshmërisht me pasurinë, por që eventualisht mund të krijohen indicia për diçka që nuk shkon edhe rreth pasurisë’, theksoi burimi.
Ish-kryebashkiaku u la në burg bashkë me 2 të akuzuar të tjerë, ndërsa 4 janë me masë më të butë sigurie si arrest shtëpie apo detyrim paraqitje, dhe 3 në kërkim.