“Të gjithë pro, kundër s’ka, miratohet”/ Ja çfarë ndodhi në gjyqin ku Saimir Tahiri përfitoi lirimin nga burgu

0
250

Të gjithë të pranishmit në procesin gjyqësor që u zhvillua në Elbasan për lirimin nga burgu të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ishin dakord.

Asnjë nga pjesëmarrësit në këtë proces nuk ka shfaqur mendim kundër që funksionari i Partisë Socialiste të vijonte të qëndronte në burg.

Duke filluar nga avokatët mbrojtës, që kishin paraqitur kërkesën në gjykatë, përfaqësuesi i prokurorisë Elbasan, Mustafa Muçi, përfaqësues të Shërbimit të Provës Tiranë, juristi i burgut të Kosovës në Lushnjë, si dhe vetë gjyqtarja Matilda Fetahu, ishin dakord që Saimir Tahiri të linte ambientet e burgut dhe pjesën tjetër të dënimit të mbetur, prej 1 vit e 8 muaj e 15 ditë të vuajë në ambientet e shtëpisë së tij në kryeqytet.

“Ora News” ka mësuar se në këtë gjykim asnjë nga përfaqësuesit e institucioneve nuk ka pasur mendim kundra lirimit të Tahirit.

Nisur nga kjo situatë gjyqtarja e çështjes Matilda Fetahu, ka miratuar kërkesën e avokatëve mbrojtës, duke vendosur në 2 qershor 2023, të pezullojë ekzekutimin e dënimit në ambientet e burgut për Saimir Tahirin, dhe urdhëruar që ish-ministri i Brendshëm, pjesën tjetër të dënimit të qëndrojë në shtëpi.

Sipas gjykatës nga dënimi prej 3.4 vite burgim i marrë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, 1 vit e 4 muaj është vuajtur nga Tahiri gjatë qëndrimit në burgun 313, në burgun e Fierit, në Rrogozhinë dhe së fundi në burgun e Kosovës në Lushnje.

Sipas vendimit të gjykatës, Tahiri ka përdorur një epikrizë mjekësore të bashkëshortes së tij, Fatlinda Tahiri, e cila del se e ka të pamundur të kujdeset për dy fëmijët e mitur, për shkak të gjendjes shëndetësore ku ndodhet.

Duke u bazuar në nenin 59/a të Kodit Penal, Tahiri ju drejtua gjykatës së Elbasanit me një kërkesë për vuajtjen e dënimit të mbetur me qëndrim në shtëpi.

Fillimisht çështja u gjykua nga Elis Dine, një gjyqtar i ri, i cili më pas u përjashtua nga ky proces penal, me kërkesë të avokatëve mbrojtës.

Pas përjashtimit të tij, çështjen e mori kryetarja e gjykatës së Elbasanit, Matilda Fetahu, e cila vendosi paraditen e të premtes, të pranojë kërkesën e Tahirit, duke e çuar këtë të fundit të vuajë dënimit e mbetur në ambientet e shtëpisë.

Për lirimin e Tahirit nga burgu, pati një reagim nga faktori opozitar i politikës dhe ambasada amerikane në Tiranë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here