Intervista e investitorit gjerman/ Shteti shkeli kontratën, dyshime se projekti shtetëror në Porto Romano do bëhet ndonjëherë

0
137
Flet CEO i kompanisë EMS APO z. Manfred Mueller

 

Kompania gjermane EMS APO, që prej 9 vitesh operon për zbatimin e kontratës koncesionare për përpunimin e anijeve të mallrave rifuxho në terminalin lindor të portit të Durrësit, i është drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për trajtim të pabarabartë dhe diskriminues nga autoritetet shtetërore, duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshëm.

CEO i kompanisë EMS APO, z. Manfred Mueller, thekson se shteti jo vetëm nuk ka zbatuar detyrimet e kontratës, por ka trajtuar në mënyrë preferenciale operatorin në Porto Romano, duke i zgjeruar kontratën e ofrimit të shërbimit pa hapjen e një garë.

Mueller thotë se edhe marrëveshja për “Durrës Yachts Marina” bie në kundërshtim me kontratën koncesionare të EMS-Fehn-Group, ndërsa shton se nuk ka asnjë përgjigje nga autoritetet shtetërore se si do vijohet me aktivitetin e operatorit të terminalit lindor.

Gjithashtu ai ngre dyshimin, referuar prezantimit në publik të masterplanit të projektit të portit të ri tregtar në Porto Romano, se nuk parashikohet asnjë hapësirë mbi përpunimin e anijeve të mallrave rifuxho.

Drejtuesi i kompanisë vlerëson se e gjithë kjo situatë shpreh qartazi se mungesa e sundimit të ligjit, duket ende një problem madhor për vendin. Ndërsa mënyra se si autoritetet shtetërore kanë trajtuar këtë kompani, sipas tij, është shembull se si trajtohen investitorët e huaj dhe një paralajmërim për ata që kërkojnë të investojnë në Shqipëri.

 

Z.Mueller, cili është objekti i kontratës koncesionare, cilat janë të drejtat e administrimit dhe operacionale që i janë akorduar kompanisë EMS Apo?

Objekti i kontratës koncesionare është menaxhimi, operimi dhe mirëmbajtja e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit. Shteti shqiptar dhe EMS-Fehn-Group (d.m.th. EMS Shipping & Trading GmbH) kanë lidhur kontratën koncesionare në maj 2013.

Kontrata shtrihet për një periudhë 35-vjeçare. EMS-Fehn-Group themeloi Operatorin Portual Shqiptar EMS Shpk. (EMS APO) si njësi operacionale në Durrës. Kontrata i jep EMS-Fehn-Group/EMS APO të drejtën për të përpunuar ngarkesat rifuxho, ngarkesat e përgjithshme dhe ngarkesat projektesh në Terminalin Lindor.

Baza e kontratës koncesionare është Masterplani për Portin e Durrësit. Financuar nga BE, ky Master Plan u zhvillua nga Royal Haskoning në 2008. Royal Haskoning, meqë ra fjala, është e njëjta kompani që tani është përgjegjëse për zhvillimin e portit publik ende të pandërtuar në Porto Romano.

Në bazë të Masterplanit, qeveria shqiptare shpalli tenderin ndërkombëtar për operimin e Terminalit Lindor.

Në vijim të këtij tenderi, propozimi i EMS-Fehn-Group për menaxhimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Terminalit Lindor u bazua gjithashtu në Masterplanin. Masterplani nuk parashikonte që brenda 35 viteve të ardhshme të ndërtohej ndonjë port tjetër në zonën e Durrësit.

 

Sa është kohëzgjatja e kontratës koncesionare me kompaninë EMS APO në Terminalin Lindor në Portin e Durrësit?

Kontrata koncesionare shtrihet për një periudhë 35-vjeçare nga viti 2013 deri në vitin 2048.

 

Sa janë detyrimet financiare që kompania koncesionare duhet t’i paguajë buxhetit të shtetit Shqiptar?

EMS APO paguan një tarifë qiraje vjetore prej afro 1 milion euro dhe tarifa koncesionare që shkojnë në 13% për shërbimet e faturuara sipas rregullave të tarifave portuale.

Sigurisht, EMS APO paguan gjithashtu taksa dhe detyrime si çdo biznes tjetër. Në nëntë vitet e para të operimit të Terminalit Lindor, pagesat për shtetin Shqiptar kanë arritur në afro 21 milion euro (shiko detajet më poshtë).

Pagesa koncesionare për Ministrinë e Transportit -870,019 Euro. Pagesa koncesionare për Autoritetin Portual Durrës në vlerën e 18,104,548 euro. Taksa në vlerën e 2,373,427 euro. Gjithsej 21,347,995 euro.

 

Si është situate aktuale në Terminalin Lindor? Sa është volumi mujor i trafikut të ngarkesave që përpunohen? A ka pakësime dhe nëse po, cilët janë faktorët që e shkaktojnë atë?

EMS APO vazhdon të operojë Terminalin Lindor. Sot, volumi i ngarkesave të përpunuara varion nga 30,000 në 45,000 tonë në muaj. Sidoqoftë, EMS APO kohët e fundit pësoi një rënie të konsiderueshme në volumin e ngarkesave.

Krahasuar me vitin 2021, kjo rënie arrin në 70%. Ne mendojmë se faktorët ndikues për këtë rënie janë trajtimi preferencial i Autoriteteve Shqiptare për një operator portual në Porto Romano, si dhe nga pasiguritë në lidhje me të ardhmen e EMS APO për shkak të njoftimit se Porti i Durrësit do të shndërrohet së shpejti në një port argëtimi pa një plan veprimi për transferimin e aktiviteteve në portin e ri.

Qeveria shqiptare pretendon publikisht se së shpejti do të shterohen kapacitetet e mallrave në Portin e Durrësit. Megjithatë, kjo bie ndesh me Masterplanin e Portit të Durrësit, një plan afatgjatë për zhvillimin e Portit të Durrësit i financuar nga BE dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave Shqiptar në vitin 2009.

Masterplani ishte baza për tenderin ndërkombëtar të vitit 2012, nëpërmjet të cilit EMS dha koncesionin për funksionimin e Terminalit Lindor. Ai parashikon që në Portin e Durrësit të trajtohen më shumë se 9 milionë tonë mallra në vit në disa dekada. Investimi i EMS në Terminalin Lindor bazohej në Masterplanin, me premisën se do të ishte në gjendje të operonte Terminalin Lindor (ose një terminal të ngjashëm) për 35 vjet.

Diskriminimi ndaj EMS APO filloi pasi një kompanie shqiptare iu dha koncesioni për operimin e një porti në zonën e Porto Romanos, në afërsi të portit të Durrësit, në vitin 2015. Edhe pse ky koncesion fillimisht u kufizua ekskluzivisht në përpunimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, ai u shtri në vitin 2020 në trajtimin e ngarkesave rifuxho dhe të përgjithshme – pikërisht llojet e ngarkesave që EMS APO ka të drejtë të trajtojë nën koncesionin e saj në Durrës.

Të drejtat shtesë ishin ndryshim materiali i koncesionit fillestar, që sipas ligjeve në fuqi nuk mund të bëhej pa një procedurë të re tenderimi për të lejuar kompanitë e tjera të interesuara përfshirë EMS të bënin një propozim ekonomik.

Në vend të kësaj, kompanisë shqiptare iu dha një koncesion i ri pa asnjë procedurë konkurruese. Kjo ishte gjithashtu në shkelje të Marrëveshjes së Koncesionit ku thuhet se, nëse autoritetet shqiptare vendosin të zhvendosin operacionet portuale për trajtimin e ngarkesave rifuxho ose gjenerale në një zonë tjetër të Portit të Durrësit ose jashtë zonës së Portit EMS i jepet e “drejta e refuzimit të parë”.

Për më tepër, operatori i ri i portit jo vetëm që paguhet për sasinë e ngarkesave që ai trajton, por gjithashtu ka të drejtë të mbledhë tarifa nga mjetet lundruese për përdorimin e kanalit të hyrjes, akostimin dhe shërbimet përkatëse.

Shteti shqiptar ka mbështetur biznesin e operatorit të ri të portit në Porto Romano, duke investuar në infrastrukturë, si lidhja e zonës me rrjetin e autostradave apo spostimi i stacionit kryesor të hidrovorit. Në të njëjtën kohë, shteti shqiptar neglizhoi detyrimet kontraktuale në Portin e Durrësit.

Për shembull, thellësia e ujit në kanalin hyrës dhe në vetë basenin e portit nuk është rritur në 11.5 metra siç parashikohet nga Masterplani për zhvillimin e portit. Në fakt, thellësia e ujit sot është vetëm 7.5 metra – edhe pse Autoriteti Portual i Durrësit pretendonte se thellimi do të përfundonte në vitin 2019 (https://tinyurl.com/yckjv6jt).

Qeveria shqiptare njoftoi transformimin e Portit të Durrësit në një port argëtimi pa i dhënë EMS-Fehn-Group/EMS APO informacion të saktë dhe një grafik të qartë për ndërtimin e portit të ri publik në Porto Romano si një vend alternativ për aktivitetin e Fehn-Group/EMS APO.

Për më tepër, planet për portin e ri në Porto Romano – siç mund të nxirret nga burime publike – nuk përfshijnë një terminal për përpunimin e ngarkesave rifuxho, duke çuar në përfundimin se një zhvendosje e EMS-Fehn-Group/EMS APO në portin e ri publik nuk është parashikuar.

Në kundërshtim me përcaktimet e Masterplanit të Portit të Durrësit dhe pa asnjë koordinim me EMS, qeveria shqiptare shpalli shndërrimin e Portit të Durrësit në një port argëtimi. EMS ende nuk është informuar për pasojat që kjo do të ketë në të ardhmen e biznesit të saj dhe nëse do t’i caktohet një vendndodhje alternative për vazhdimin e aktiviteteve të saj të biznesit.

Megjithëse një port i ri publik do të ndërtohet në Porto Romano, informacioni i disponueshëm publik zbulon se porti i ri publik nuk do të përfshijë një terminal me shumicë, duke nënkuptuar se një zhvendosje e aktiviteteve të EMS APO nuk është parashikuar.

 

A i ka përmbushur shteti shqiptar detyrimet ndaj kontratës koncesionare, a ka marrë masa për ruajtjen e të ardhurave që vijnë nga investimet publike, duke filluar me detyrimin e rritjes së thellësisë së ujit të portit siç kërkohet nga masterplani i Portit të Durrësit? Kur filluan problemet?

Sjellja e Shqipërisë ka pasur tashmë një ndikim të madh në operacionet e biznesit të EMS në Durrës. Jo vetëm që anijet e mëdha, mbi të cilat bazoheshin kryesisht projeksionet e biznesit të EMS, që nuk janë në gjendje të ankostohen në Terminalin Lindor si rezultat i dështimit për të kryer thellimin e basenit të terminalit por edhe pasiguritë në lidhje me të ardhmen e EMS APO po ndikojnë gjithashtu në besimin e klientëve të tjerë, duke bërë që shumë prej tyre të shmangin Terminalin Lindor dhe në vend të kësaj të zgjedhin terminalin e Porto Romanos i cili tashmë, ofron thellësi më të madhe për hyrjen e anijeve.

Konflikti aktual me autoritetet shqiptare u kristalizua në vitin 2020, ndonëse problemet kishin disa vite më parë që po shfaqeshin. Ne në EMS-Fehn-Group kemi përshtypjen e fortë se autoritetet shqiptare kanë penguar qëllimisht aktivitetet e Operatorit Shqiptar Portual EMS (EMS APO’s) me qëllim që të nxjerrin kompaninë jashtë biznesit, duke i akorduar të drejta shtesë një operatori privat në Porto Romano, ashtu siç u përmend më lart, ndoshta për të mundësuar jo të drejtë mbylljen e aktiviteteve tregtare në Portin e Durrësit dhe veçanërisht duke filluar me zonën e Terminalit Lindor, në funksion të një porti argëtimi.

 

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar tashmë marrëveshjen për ndërtimin e projektit “Durrës Yachts Marina”. Zbatimi i tij do të shoqërohet me ngritjen e një porti të ri në zonën e Porto Romanos. A dëmtohet EMS nga zbatimi i këtij projekti?

Pavarësisht zgjedhjes politike të Shqipërisë për të transformuar Portin e Durrësit në një port argëtimi, ne duhet të mbrojmë të drejtat dhe interesat tona legjitime si një biznes që ka investuar ndjeshëm në Terminalin Lindor në Portin e Durrësit që nga viti 2013 me premtimin se koncesioni i tij do të zgjasin 35 vjet.

Natyrisht, marrëveshja për “Durrës Yachts Marina” mbivendoset/bie në kundërshtim me kontratën koncesionare të EMS-Fehn-Group. Në nëntor 2022, EMS-Fehn-Group/EMS APO informoi edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për këtë kontradiktë.

Gjatë dy viteve të fundit, EMS ka kontaktuar vazhdimisht me një sërë institucionesh të ndryshme në Shqipëri, përfshirë Autoritetin Portual të Durrësit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe vetë Kryeministrin, për të gjetur një zgjidhje për konfliktin.

Fatkeqësisht, asnjëri prej tyre nuk ka treguar ndonjë interes real për t’u angazhuar në një dialog, e aq më pak për të arritur një marrëveshje.

Më shumë se gjashtë muaj pasi Qeveria Shqiptare u njoftua zyrtarisht në gusht 2022 për qëllimin e EMS për të nisur një arbitrazh nëse nuk mund të gjendej një zgjidhje miqësore, EMS nuk kishte marrë ende asnjë reagim ndaj letrës së saj. Kështu, ajo depozitoi kërkesën e saj për arbitrazh kundër shtetit shqiptar përpara Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) në Uashington, D.C., SHBA, të depozituar më 7 prill 2023.

Persa i përket portit të ri, ai është akoma në fazën e projektimit dhe vlerësimit të fizibilitetit dhe respektivisht nuk kemi ndonjë koment.

Por ajo që mund të thuhet është se nuk mund të fillosh konvertimin e portit ekzistues tregtar pa pasur konkretisht një facilitet për t’u transferuar aktivitetet. Ndërkohë duke patur parasysh që aktualisht aktivitetet e portit Durrës po transferohen në portin MBM, kjo e bën akoma më me rezerva komentin për portin e ri.

A është informuar kompania juaj se si do të vazhdojë të operojë në përputhje me kontratën koncesionare, pas fillimit të punimeve për “Durrës Yachts Marina”? A ka një kontratë që përcakton një afat se kur do të rifilloni aktivitetin në portin e ri që pritet të ndërtohet? Po proçedurat e dëmshpërblimit, a keni negociuar ju dhe shteti Shqiptar për këtë periudhë pezullimi?

Ne kemi mbetur në hije se si duhet të vazhdojmë operacionet pasi të ketë filluar puna për portin e marinës dhe jahteve. Gjithashtu, ne nuk kemi marrë asnjë informacion përkatës se si dhe kur mund të bëhet një transferim i mundshëm në portin ende të pandërtuar në Porto Romano.

Për më tepër, EMS-Fehn-Group/EMS APO kontaktoi vazhdimisht me shumë institucione në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit. Megjithatë, asnjë nga palët e adresuara nuk tregoi interes për të kontribuar në një zgjidhje reciproke.

 

Kompania juaj i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit. Mendoni se ka shkelje të njëanshme të kontratës; Cila është arsyeja?

Besoj se përgjigjet e dhëna më sipër japin shpjegim edhe për këtë pyetje. Duke qenë se shteti shqiptar nuk zbaton detyrimet e tij në raport me EMS dhe nga ana tjetër trajton në mënyrë preferenciale një investitor tjetër (vendas) në Porto Romano, të drejtat tona po shkelen. Është një diskriminim që ndalohet nga Traktati Dypalësh i Investimeve ndërmjet shteteve të Shqipërisë dhe Gjermanisë.

 

Sa është fatura financiare që kërkoni nga qeveria Shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit të Uashingtonit?

Kjo është një shifër që do të duhet ta përcaktojnë ekspertët e Gjykatës së Arbitrazhit të ICSID. Llogaritja jonë i kalon 40 milionë euro.

 

A ka pasur përpjekje për të arritur një marrëveshje për një zgjidhje paqësore, jo gjyqësore të problemeve të ngritura?

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të EMS për të kontaktuar me autoritetet e ndryshme shqiptare, ajo nuk ka gjetur një mjedis për dialog konstruktiv. Ndërmjet viteve 2021 dhe 2023, EMS kontaktoi, ndër të tjera, me Autoritetin Portual Durrës, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetin Shqiptar të Konkurrencës, Komisionin e Ndihmës Shtetërore dhe Kryeministrin.

Në gusht 2022, EMS dërgoi një Njoftim zyrtar të Mosmarrëveshjes në Zyrën e Kryeministrit dhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku kërkoi zyrtarisht negociata me Qeverinë Shqiptare për të gjetur një zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjes. Në nëntor 2022, EMS tërhoqi gjithashtu vëmendjen e disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për kontradiktat midis shndërrimit të planifikuar të Portit të Durrësit në një port argëtimi dhe të drejtave të EMS. Të gjitha këto përpjekje ishin të kota.

Ndërkohë, njoftimet e fundit për shtyp konfirmojnë se shteti shqiptar ka nënshkruar një marrëveshje me zhvilluesin e portit të ri të argëtimit të Durrësit dhe ka miratuar një ligj që rregullon këtë projekt. Terminali Lindor është planifikuar t’i dorëzohet zhvilluesit deri në fund të korrikut 2023, duke nënkuptuar se EMS do të detyrohet të mbyllë operacionet e tij deri në atë kohë.

Gjithashtu, në shkurt 2023, Autoriteti Portual Durrës autorizoi kompani të panjohura të hynin në Terminalin Lindor pa lejen e EMS dhe pa njoftim paraprak. Në shkelje të të drejtave koncesionare të EMS, këto kompani u angazhuan në aktivitete shpimi për të vlerësuar terrenin në pritje të punimeve të transformimit. EMS informoi Policinë e Shtetit Shqiptar, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Kryeministrin për këtë shkelje të të drejtave, por asnjë nga institucionet nuk e asistoi në asnjë mënyrë EMS.

 

Cili mendoni se është roli i Alabar’it në gjithë këtë?

Nuk i takon EMS-Fehn-Group/EMS APO të spekulojë për këtë. Megjithatë, duke qenë se çështja jonë në fjalë prek edhe marrëveshjen që kompania e Z. Alabar ka me shtetin Shqiptar, ne i drejtuam një letër z. Alabar duke e informuar për situatën.

 

Çfarë mesazhi keni për t’u thënë bizneseve që duan të investojnë në Shqipëri? A ka një klimë të sigurt këtu?

EMS-Fehn-Group filloi aktivitetet e biznesit në Shqipëri në vitin 2009. Që atëherë, ne kemi bashkëpunuar me partnerë të shumtë biznesi vendas, të cilët treguan plotësisht besueshmëri dhe ishin shumë miqësorë.

Në përgjithësi, Shqipëria paraqet shumë mundësi dhe ka shumë potencial për rritje të mëtejshme ekonomike. Megjithatë, nëse mënyra se si jemi trajtuar është shembulli se si trajtohen investitorët e huaj, kjo s’mund të ishte gjë tjetër veçse një paralajmërim për fillimin e një biznesi në Shqipëri. Mungesa e sundimit të ligjit ende duket të jetë një problem madhor./ Intervistoi: Dorina Azo


Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here