Duopoli i telefonisë për të cilin askush nuk flet

0
182

Nga Akil Kraja: 

Duopoli i telefonisë për të cilin askush nuk flet

Ndërkohë që në Shqipëri operojnë tanimë vetëm dy operatorë të telefonisë celulare, në secilin prej shteteve të Ballkanit janë tre e më shumë. Situata në vendin tonë është qartazi në kufijtë e një duopoli. Rasti i disatë që vendi ynë bën përjashtim jo vetëm në Europë, por tanimë dhe në rajonin e Ballkanit që përbën një përjashtim më vete.

Termi ‘duopolistik’ në rrafshin teorik nënkupton një treg të shtrembëruar ku dy aktorë ekonomikë mund të vendosin çmimet në dakortësi me njëri tjetrin në dëm të konsumatorit dhe konkurrencës së lirë. Thelbi pas një tregu duopolistik nënkupton mundësinë që këta aktorë mund të shesin dhe nën kosto me qëllim që të pamundësojnë futjen e një aktori të tretë në treg. Humbja do të rikuperohej më pas falë një rritjeje artificiale të çmimit të shitjes. Kjo situatë do të gjeneronte fitime përtej normales e për pasojë do të pengonte incentivin për t’u përmirësuar, për të sjellë inovacion dhe për të krijuar vlerë të shtuar për mbarë shoqërinë.

Por çfarë do të thotë në terma praktikë ekzistenca e një duopoli në Shqipëri? Së pari një dëshmi personale para se të kalojmë në aspektet ekonomike. Në muajin shkurt kam kërkuar të ndërroj nga njëri operator në tjetrin. Një e drejtë e garantuar me ligj. Sot bëra provën e tretë të rradhës dhe aspak në çudinë time, sportelisti më tha që nuk kishte besim se do të ja dilte sërisht pasi vetëm gjatë muajit prill ai kishte patur, sipas fjalëve të tij, rreth 100 tentativa ndërrimi operatori dhe të gjitha kishin dështuar. Nuk mund ta marr me mend sesa do të jetë shifra në nivel kombëtar nëse një operator i vetëm shprehet në këto nivele.

Kalojmë tek aspektet ekonomike. Në një shkrim të para disa kohësh, rendisja tek kostot e larta të jetesës në Shqipëri dhe diferencën mes çmimit të një pakete komunikimi mes Italisë fqinje dhe vendit tonë. Aty shpjegoja sesi “në prillin e vitit 2023 në Shqipëri një paketë standard me minuta dhe SMS të kufizuara, dhe me 8GB internet, kushton 11 euro. Në Itali, një ofertë në minuta dhe SMS të pa-kufizuara brenda vendit dhe drejt BE-së, me 200GB internet, kushton 10 euro/muaj. Përtej kostove që lidhen me madhësinë e tregut, faktori kyç që nxit uljen e çmimit është incentivi që shteti i jep konkurrencës së lirë. Ndërkohë që në vitet 2005-2013, nga një operator shtetëror u kalua në katër operatorë privatë, sot jemi në një situatë alarmante duopolistike ku operatorët nuk kanë asnjë arsye të konkurrojnë me njëri tjetrin.”

Fatkeqësisht, duopoli ka arritur deri aty saqë të pranohet shkelja e ligjit në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Kthehemi tek rasti praktik i mësipërm. Nëse njëra nga kompanitë është e ‘prekur’ nga shkelja e ligjit mbi të drejtën e kalimit të numrit, a i është përcjellur kjo ‘ankesë’ AKEP-it. Nëse po, çfarë bën shteti? Si do të garantohet konkurrenca mes dy operatorëve në mënyrë që kostot e telekomunikacionit për konsumatorët shqiptarë të mos mbeten siç janë aktualisht, ndër më të lartat në BE? A ekziston një tentativë për futjen e një operatori të tretë? Cila është arsyeja që shteti shqiptar pranoi zhdukjen e brandit kombëtar ‘AlbTelekom’ dhe ngurtësimin e tregut?

Duopoli i telefonisë është një ndër ato raste që dëshmon më së miri se në Shqipëri tregu po bëhet gjithnjë e më i mbyllur, me më pak konkurrencë dhe akoma me më pak oportunitete biznesi për investitorë të huaj të cilët mund të sjellin teknologji të reja, ulje të kostove dhe rritje të cilësisë së shërbimit për konsumatorët shqiptarë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here