Fokusi tek Rinia/ Ledina Alolli për Korçën: Zero taksa për bizneset që ofrojnë vende të reja pune

0
120

“Mendoj të sjell një model tjetër të drejtimit të bashkisë së Korçës për ta kthyer atë në një qytet evropian”

“Politikat të ndërtohen njësoj si për qytetarët në qendër, ashtu edhe për në periferi”

“Shtyllat më kryesore të programit tim: programi ekonomik, programi për bujqësinë, programi për arsimin dhe ai që për shtresat sociale në nevojë”.

“Që t’i japim një zhvillim të ri Korçës, duhet të ndihmojmë biznesin nëpërmjet një pakete fiskale që ne do të ofrojmë”.

“Do të lehtësojmë bizneset që afrojnë vende pune nga barra fiskale, pra zero taksa për biznesin, i cili  ofron mundësi për vende të reja pune.”

Pedagogia Ledina Alolli, kandidatja e koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Korçës, shpalosi sot në në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, platformën e saj për zhvillimin e qytetit, me fokus kryesor  mbajtjen e të rinjve në Korçë duke krijuar vende të reja pune dhe mundësi. “Zero taksa për biznesin, i cili  ofron mundësi për vende të reja pune”, zbuloi Alolli nga programi i saj.

Intervista me gazetaren Ola Bregu në Kafe Shqeto:

Kafe Shqeto: Si shkoi për ju, çelja e fushatës? Cila ishte ndjesia që ju përcolli?

Ledina Allolli: Ishte një nga ndjesitë më të bukura që kam përjetuar ndonjëherë duke parë gjithë atë stadium të mbushur me njerëz, të cilët mezi presin ndryshimin më datë 14 maj, ndryshim shumë i mirëpritur për të gjithë shqiptarët anekënd vendit, për të gjithë situatën në të cilën jetojmë çdo ditë.

Kafe Shqeto: Ju jeni shprehur se do ta ktheni bashkinë e Korçës në interes publik? Si gjendet qyteti i Korçës sot?

Ledina Alolli: Unë përmenda në fjalën time që gjithë qeverisja në të gjitha bashkitë e vendit është pothuajse njësoj, çka do të thotë që unë ta kthej Korçën në bashki të qytetarëve, në bashki të interesave publike të tyre. Që në momentin që unë jam zgjedhur kandidate për kryetare bashkie nga primaret, qëllimi im i vetëm ka qenë qytetari dhe vetëm qytetari; qëllimi im i vetëm është që unë t’u afroj atyre një model qeverisjeje të bashkisë së Korçës ku të dëgjohet zëri i tyre dhe të afrojmë një program, i cili të ndërtohet vetëm mbi bazë të asaj çka përcjellin qytetarët vetëm mbi bazën e interesave të tyre.

Kafe Shqeto: Çfarë do të thotë kjo?!

Ledina Alolli: Që nga momenti që jam kandidate e primareve, qëllimi i vetëm ka qenë që të bashkëbisedoj me qytetarët e mi. Kam takuar shumë e shumë njerëz, jo vetëm në qytet, po edhe në njësitë administrative të Korçës me të cilët kam bashkëbiseduar, kam dëgjuar të gjitha hallet dhe problemet e tyre, kam marrë shqetësimet që ata përjetojnë çdo ditë dhe sigurisht, mbi bazë të atyre shqetësimeve, problematikave që ata kanë, unë kam menduar të sjell një model tjetër të drejtimit të bashkisë së Korçës për ta kthyer atë në një qytet evropian, në një bashki evropiane dhe që vëmendjen dhe fjalën e parë do t’ua lërë qytetarëve.

Problematikat në qytetin e Korçës sigurisht që janë shumta dhe unë kam menduar që si nënë, si grua, si zonjë, të vij me një model tjetër. Unë do të përmendja një thënie të Oscar Ëilde ku them që forca e grave vjen nga diçka që psikologjia ende nuk mund ta shpjegojë, çka do të thotë që impenjimi, përkushtimi im do të jetë maksimal ndaj të gjithë banorëve të bashkisë së Korçës, banorë që jetojnë në qytet po dhe në zonat administrative.

Për mua është shumë e rëndësishme që banorët që jetojnë në qytet dhe ata në zonat periferike, por edhe ata në njësitë administrative ta ndiejnë veten të barabartë dhe politikat të ndërtohen njësoj si për qytetarët në qendër, ashtu edhe për në periferi, si për qytetarët në qendër ashtu edhe për qytetarët në njësitë administrative.

Kafe Shqeto: A keni ju një qasje praktike ndaj ndryshimeve që do të implementoni pas 14 majit?

Ledina Alolli: Sigurisht. Programi im është i mbështetur në disa shtylla kryesore, mendoj se shtyllat më kryesore ku do të bazohet programi im do të jenë ato që kanë të bëjnë me programin ekonomik, programin që do të fokusohet tek bujqësia, programin që do të ketë të bëjë me arsimin dhe një shtyllë tjetër do të jetë ai që do të mbështesë shtresat sociale në nevojë. Nga takimet që kam pasur këto ditë, biznesi është një ndër më të prekurit sot nga problematikat në bashkinë e Korçës, çka do të thotë që, që t’i japim një zhvillim të ri qytetit të Korçës, duhet të ndihmojmë biznesin, t’i japim një frymëmarrje zhvillimit të biznesit dhe kjo do të vijë nëpërmjet një pakete fiskale që ne do të ofrojmë në ndihmë të biznesit. Qëllimi ynë i vetëm është që nëpërmjet kësaj frymëmarrjeje që ne do t’i japim zhvillimit të biznesit në Korçë, do të kemi mundësi të krijojmë më shumë vende të reja pune edhe për banorët e Korçës, që këto vitet e fundit po e vuajnë këtë problematikë që ata kanë.

Si do ta realizojmë këtë?! Si do t’i japim ne, frymëmarrje biznesit?! – Jo vetëm nëpërmjet ofrimit të lehtësirave fiskale, por nga ana tjetër do të kemi mundësi që në tri vitet e e para të mandatit tonë qeverisës, të lehtësojmë bizneset që afrojnë vende pune nga barra fiskale, pra zero taksa për biznesin, i cili  ofron mundësi për vende të reja pune.

Lehtësi tjetër do të jetë pjesa e bizneseve apo e startup-eve për të rinjtë, që të kemi mundësi që të rinjtë t’i mbajmë në Korçë, që ata të mos e shohin të ardhmen e tyre jashtë Korçës. Sigurisht që do të krijojmë mundësi që ata të hapin bizneset e tyre të reja duke i lehtësuar edhe ata nga barra fiskale. Paketa jonë për biznesin, programi ynë për biznesin i cili do të shpaloset në ditët në vazhdim, do të përmbajë edhe elementë të tjerë, të cilat do të gjallërojnë biznesin në Korçë, i cili sot është pothuajse në ditët e tij më të vështira. E kam parë këtë kur kam takuar biznesin  vogël, në Pazar, tregtarët e shitjes me pakicë, të cilët kanë shumë problematika dhe në njëfarë mënyre e theksojnë më tepër që dëshirë kanë ër të punuar por ata kanë një rënie të fuqisë blerëse dhe konsumatori nuk ka mundëis për të përballuar produktet që ata afrojnë në treg.

Kafe Shqeto: Ju jeni pedagoge në profesion dhe a ka një statistikë se sa është numri i të rinjve të larguar nga qyteti i Korçës, nga një vit më parë?

Ledina Alolli: Nga kontaktet që kam përditë me studentët, dëshira e tyre është për t’u larguar, për të gjetur mundësi më të mëdha punësimi jashtë Korçës, çka do të thotë se çdo ditë e më shumë të rinjtë mendojnë se si të largohen dhe jo se si ata të qëndrojnë në Korçën e tyre dhe kjo mua më impenjon akoma dhe më shumë që si të krijoj mundësira për të rinjtë tanë që çdo ditë e më shumë largohen nga vendi i tyre.

Ka mundësira shumë të mëdha që këta të rinj ne t’i mbajmë në Korçën tonë dhe këto mundësi do të jenë që nga krijimi i vendeve të reja të punës. Duke qenë se çdo ditë puna ime fillon dhe mbaron dhe më të rinjtë, ata do të jenë edhe njerëzit të cilët  nesër do të jenë krah meje në drejtimin e bashkisë së Korçës. Sigurisht që pjesa më e madhe e vendeve të punës në bashkinë e Korçës do t’u përkasë të rinjve, po nga ana tjetër edhe shumë projekte sot do të jenë pjesë e të rinjve. Bashkëpunimi me ta do të jetë rruga më e mirë dhe më e duhur për të drejtuar bashkinë e Korçës. Çdo ditë numri i të rinjve vjen duke u rritur dhe vizioni ynë, vizioni im nesër në drejtimin e bashkisë së Korçës do të jetë të rinjtë, të rinjtë dhe vetëm të rinjtë, në mënyrë që ata të ardhmen e tyre ta mendojnë në Korçë./ar.sh/SYRI.NET

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here