Boçi prezanton projektin e tij me ekspertët e turizmit: Në këtë qytet ku socialistët nuk kanë lënë në këmbë as një kinema, ne do të ngremë Qytetin e Filmit

0
116

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, z. Luçiano Boçi mblodhi në një tryezë diskutimi ekspertët e turizmit në Elbasan, për të kërkuar mendimin e tyre mbi projektet e propozuara prej ekipit të tij.

Ndërsa sqaroi se mëse 70 persona kanë punuar mbi atë që do të jetë platforma e tij zgjedhore dhe projekti më i mirë për Elbasanin e së ardhmes, z.Boçi tha:

“Ka vetëm një cilësor që përdoret për Elbasanin: Ai është i bukur! Sikur ne të përthithim në Elbasan një të pestën e gati 8 milion vizitorëve që hyjnë në Shqipëri në vit – objektiv I mundshëm, do të kishim jo më pak se 55 miljon euro të ardhura për qytetarët. Synimi ynë në fakt është të arrijmë 4 herë më shumë brenda fundit të mandatit tim”.

  1. Boçi shpalosi me pasion idetë e tij për Turizmin Kulturor dhe Kalanë – duke përmendur edhe mëse 80 monumente historike që ka Elbasani. Ai tha se turizmi shëndetësor me Llixhat dhe SPA-të, turizmi natyror me Gjinarin, Funarin, Shushicën e Byshekun, Shmilin, Labinot Malin dhe shumë thesare të tjerë natyrorë, mbetet detyrim i menjëhershëm për t’u zhvilluar prej tij dhe ekipit që e mbështet.

Duke folur për vizionin e tij mbi Elbasanin, z. Boçi zbuloi se ai ka nisur bisedimet me FEDERITALY – mbajtëse dhe promovuese e markës më të madhe në botë “Made in Italy”, për të ndërtuar menjëherë pas zgjedhjeve markën territoriale të mbrojtur dhe të kontrolluar “Made in Elbasan”. Ai e quajti këtë hap një garanci “

për të gjithë produktet e këtij trualli të bekuar”.

“Qershia mbi tortë – tha z.Boçi, – është që në këtë qytet ku socialistët nuk kanë lënë në këmbë as një kinema, ne do të ngremë Qytetin e Filmit”.

“Rrallë një vend në botë ka kaq pranë e pranë Kalanë romake të banuar, qytetin e ndërlidhur natyrshëm me të, reliket e një industrie të rrëzuar dhe shpatullat e përflakta të metalurgjisë, lumin, liqenet, kodrat e buta, fushat dhe malin… të gjitha në pak km largësi. 80 monumente kulture përfshi rrënoja antike, gjurmë të via Egnatia, ura të lashta dhe pafundësisht histori jetojnë këtu në shtëpinë e tyre.

Elbasani është një shesh natyror xhirimi për çdo film të mirë!” – tha Boçi.

Qyteti i Filmit në Elbasan mund të mbështetet edhe nga një Park i madh dhe acquapark si ai në Cinecittà – Romë. Kjo favorizohet sipas ekspertëve edhe nga afërsia me Tiranën.

Turizmi Tregtar ishte një risi në projektin e prezantuar nga Luçiano Boçi, i cili lajmëroi ndërtimin e një Parku Tregtar të ngjashëm me atë në Serravale të Italisë. “Elbasani ka një traditë të jashtëzakonshme në artizanat! Në shek. 17 ky qytet kishte 900 dyqane dhe 30 shoqata zejtarësh – esnafë. Ata kanë marrë pjesë në panaire ndërkombëtare qysh në shek.14. Muzeu i Gjallë i Zejeve do ta ringjallë këtë traditë të mrekullueshme. Në mbështetje të turizmit gjithëvjetor, Panari Rajonal do të ofrojë evente që fuqizojnë sektorët e interesit të veçantë në Elbasan”.

Mes të tjerash kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, përmendi nevojën urgjente për ringjalljen e Kalasë dhe rikthimin e gërmimeve antike në atraksion absolut të qytetit, krijimin e një Shtëpie ndërkombëtare të përkthimit në gjurmët e traditës së Elbasanit, ndërtimin menjëherë të tureve të turizmit fetar ndërsa foli në detaje për projektin e tour-it Egnatia – duke bashkuar Durrësin dhe Ohrin në një udhëtim ekzotik krejt të veçantë.

Elbasani ka gjithçka që i duhet së ardhmes, nënvizoi Luçiano Boçi duke ftuar qytetarët që në zgjedhjet e 14 majit të votojnë për ndryshimin. Ban Ndryshimin!- është fjala magjike drejt së ardhmes.

Të pranishmit përgëzuan z. Boçi për punën e bërë dhe shprehën konsideratat e tyre që u përfshinë më tej në programin zgjedhor të z.Luçiano Boçi, prezantimi zyrtar i të cilit bëhet këtë të dielë në Pallatin e Sportit në Elbasan.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here