Ish-ministri i Drejtësisë: Trafikantëve të drogës u garantohet e drejta nga Kushtetuta për një proces të rregullt ligjor, ndërsa individëve dhe kompanive jo

0
104

Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka folur për aksionin e qeverisë për prishjen e paligjshme të pronave të qytetarëve me një VKM. Gjatë një interviste, Halimi tha se një trafikanti të drogës i garantohet e drejta nga Kushtetuta për një proces të rregullt ligjor, ndërsa individëve dhe kompanive të ndërtimit i vihet ultimatum 7 ditë, ose ma dorëzo, ose do ta shemb apo konfiskoj.

Sipas tij VKM -ja është selektive, ndërsa theksoi se ka pasur një shqetësim në rritje nga disa media ndërkombëtare.

“Zëri i Amerikës ka pasur një shqetësim gjatë kësaj jave të shprehur gjatë lidhur me këtë vendim të qeverisë, të cilin ata e quajnë kontrovers, po ashtu dhe rrjeti i gazetarëve investigativë BIRN ka pasur një shqetësim në rritje për aksionet qeveritare për prishjet me tritol dhe me fadroma, përfshirë dhe konfiskimet nëpërmjet këtij vendimi qeverie kontrovers; pikërisht këtyre shqetësimeve, të cilat nuk kanë të bëjnë me shoqatën e ndërtuesve të cilët hoqën dorë çuditërisht nga gjykimi në Gjykatën Kushtetuese, nuk kanë të bëjnë pra me ndërtuesit dhe me kompanitë e ndërtimit, por kanë të bëjnë thelbësisht me të drejtat e individit, kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe me cenimin e disa parimeve kushtetuese të sanksionuara dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Pikërisht këtyre shqetësimeve të mediave ndërkombëtare unë i jam bashkëngjitur në shkrimin që kam bërë gjatë kësaj jave duke analizuar dhe duke e kanalizuar në profilin tim, si njohës i ligjit me 7 implikime kryesore kushtetuese, ku në opinionin tim këto implikime e bëjnë këtë vendim qeveritar kontrovers, e bëjnë të papajtueshëm me Kushtetutën. Ndaj i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojë me përparësi për faktin se ky vendim qeverie po krijon pasoja ndoshta dhe të pariparueshme për individët në shtetin shqiptar. Për këtë arsye për të eliminuar këto pasoja, i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojë me përparësi”, tha Halimi.

Ai deklaroi më tej se Gjykata Kushtetuese ka pranuar dje ta marrë në shqyrtim kërkesën e grupit parlamentar të PD-së.

“Ka një datë, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur dje vendimin. Data e shqyrtimit të kërkesës së grupit parlamentar të PD-së do të jetë më 11 prill. Grupi parlamentar i PD-së ka kërkuar shpalljen antikushtetuese lidhur me disa nga këto çështje që unë kam ngritur, pra jo në tërësi sepse fokusi i grupit parlamentar ka të bëjë me mbrojtjen e individit dhe shkeljen e barazisë. Ndryshe sanksionohen individët dhe ndryshe kompanitë e ndërtimit, pra duke bërë këtë diferencim, kurse qasja që unë them, gjithë analizës që i kam bërë vendimit të qeverisë përmblidhet në 7 implikime kryesore”, u shpreh Halimi.

Ai tha më tej se implikimi kryesor është shkelja e nenit 7 të Kushtetutës që ka të bëjë me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

“Qeveria kur ka marrë këtë vendim, që t’i konfiskojë brenda 7 ditëve pronat qytetarëve shqiptarë si argument kryesor ka thënë se Prokuroria nuk po e bën punën e vetë. Pra meqenëse prokuroria nuk po punon, nuk po fillon ndjekjen penale ndaj atyre personave që qeveria mendon se duhet të kishte filluar, atëherë këtë kompetencë, këtë punë të prokurorisë po e marr unë. Marrja e funksioneve të një pushteti tjetër që i përket pushtetit gjyqësor, përbën shkelje të rëndë të nenit 7 të Kushtetutës, parimit të balancimit, të ndarjes së pushteteve”, deklaroi ish-ministri i Drejtësisë.

I pyetur nëse ka pritshmëri se Gjykata Kushtetuese do ta shpallë si antikushtetues këtë VKM kur të paktën 3 anëtarë janë të zgjedhur nga qeveria, ai tha se shpreson që të gjithë anëtarët do të ngrihen në integritetin e tyre profesional

“Për një vendim duhen minimumi 5 vota sepse merret në mbledhjen e përgjithshme. Në shqyrtim është vetëm kërkesa e grupit parlamentar të PD-së që përmbledh nga këto 7 qe them unë, 3. Unë do doja që ndoshta të kishte dhe grupe të tjera interesi që t’i bashkoheshin këtij qëndrimi. Mund të ishte Avokati i Popullit që mund ta kishte ngritur, mund të ishte individ sepse individët preken kryesisht nga ky vendim konfiskimi. Analiza juaj është e drejtë, megjithatë shpresojmë që të gjithë anëtarët do të ngrihen në integritetin e tyre profesional, do shohin me vëmendje të gjithë elementët e antikushtetueshmërisë së këtij vendimi qeverie, do marrin në shqyrtim jurisprudencën edhe të Gjykatës së vjetër Kushtetuese, do marrin edhe vendimet dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut dhe Gjykatave të tjera ndërkombëtare dhe në qoftë se i shikojnë të gjitha këto janë të paktën 16 vendime të Gjykatës së Strasburgut, jo vetëm për Shqipërinë, janë për vendet anëtare të Këshillit të Europës që pikërisht trajtojnë këto çështje, pra shkeljen që bën qeveria në këto raste, prekjen e së drejtës së pronës, pavarësinë e sistemit gjyqësor, pjesën e sigurisë juridike dhe po t’i shohim të gjitha këto shpresojmë që do kemi një vendim pozitiv”, u shpreh Halimi.

Nëse nuk do ta merrte në shqyrtim, ose do ta rrëzonte kërkesën, Halimi tha se mund të kishte mjete të tjera.

“Qytetarët që kanë ngritur padi në gjykatat administrative, mund të kërkojnë gjyqtarët e këtyre gjykatave, mund të bëjnë kontrollon incidental. Pra gjyqtari kur shikon që ka përpara një vendim qeveria apo një ligj, i cili ka implikime kushtetuese atëherë e pezullon gjykimin në Shkallën e Parë dhe i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të shprehet. Këto akoma nuk kanë ndodhur.

Shpresoj që kolegët e mi avokatë që kanë raste të tilla ta përdorin këtë mjet juridik, pra kontrollin incidental të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që ata t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e shkallës së parë dhe pastaj nëse Gjykata Kushtetuese do ta rrëzonte ata do t’i drejtoheshin Gjykatës së Strasburgut nëse janë individë, apo në qoftë se janë kompani mund t’i drejtoheshin Arbitrazhit ndërkombëtar. Por sigurisht kjo është një lodhje e gjatë, një shpenzim i madh për individët, krijon pasoja të jashtëzakonshme për vetë ata, për stresin e tyre”, deklaroi Halimi.

Sipas tij, ka të paktën 16 vendime të cilat ai bashkë me ekipin i kanë analizuar për të pasur raste të tjera, ku prekja e së drejtës së pronës, shkelja e parimit të sigurisë juridike, shkelja e nenit 42 të Kushtetutës, mbrojtja e pronës dhe konfiskimi i saj pa një proces të rregullt ligjor, ka pas sjellë dënime, konstatimin e shkeljes që bën Gjykata e Strasburgut sepse vendime deklarative janë dhe pastaj detyrimin e shteteve për të kompensuar rast pas rasti.

“Ka një vendim aq kontrovers sa mendoj që do ketë patjetër një reagim të mirë nga Gjykata Kushtetuese sepse edhe për një trafikant droge, marrim rastin, i cili ka vënë pasuri të paligjshme, Kushtetuta jonë, legjislacioni jonë parashikon që për pronat që ky ka vënë të fillojë procesi i sekuestrimit në fillim, konfiskimit, të kalojë në një proces hetimi, në një proces gjyqësor, shkallë e parë, Apel, Gjykatë e Lartë, Gjykatë Kushtetuese, pra të dëgjohet, të marrë mbrojtje, të japë argumente.

Pra, trafikantit të drogës ne ia garantojmë të drejtat kushtetuese, ndërsa për individët apo për një kompani ndërtimi ne nuk e aplikojmë. Ne i themi brenda 7 ditëve ose ti do na e japësh ne me akt noterial dhe kjo është përsëri një nga implikimet kushtetuese që unë e kam shprehur sepse nuk mund ta imponosh individin për të lidhur një kontratë, ose ne do ta hedhim me tritol në tokë ose do ta konfiskojmë brenda 7 ditësh.

Pra, ti trafikantit të drogës ia garanton këtë të drejtë, sepse ia garanton Kushtetuta, ndërsa këto kompetenca që i ka pushteti gjyqësor ti i merr vetë dhe i thua unë dua për 7 ditë pronën, ose do ma japësh mua, ose do ta konfiskoj, pa u dëgjuar, pa pasur një proces të rregullt ligjor.

Për raste të tilla, për konfiskime të pronave edhe sikur të ishte nga gjykata ka pafund vendime të gjykatave ndërkombëtare”, tha Halimi.

Duke vijuar arsyetimin, ai theksoi se janë ligjet pastaj është VKM-ja dhe nuk mundesh që me vendim qeverie të rregullosh diçka që parashikohet në Kodin Penal sepse Kodi Penal miratohet me 84 vota, vendimi i qeverisë sigurisht është një akt me fuqi ligjore më të vogël.

“Është një VKM e cila është selektive sepse në radhë të parë bazohet mbi aksion. Ju shikoni, nisen fadromat sot, me të drejtë BIRN e kishte analizuar duke thënë se kjo VKM bazohet në zinxhirët e fadromave, pra është një aksion politik. Sot nisemi dhe themi do kontrollojmë ligjshmërinë në bregdetin e Golemit, nesër nisemi dhe themi do ta kontrollojmë te liqeni në Tiranë. pastaj nga këtu kalojmë në Shkodër, pra nuk ka një akt normativ, siç është VKM-ja i cili shtrihet në mënyrë të njëtrajtshme dhe t’i trajtojë njerëzit në mënyrë të drejtë. Për disa shteti thotë se duhet të ketë ndjekje penale, për disa të tjerë duhet të ketë tritol, për disa të tjerë duhet të ketë gjobë, për disa të tjerë duhet të ketë konfiskime. Pra të gjitha këto lloj implikimesh nuk mund të rregullohen me vendim qeverie, sepse hierarkia e normave parashikohet që në bazë të nenit 116 të Kushtetutës, është Kushtetuta, janë Kodet, civil dhe penal, pastaj vijon Kodi i Procedurës Administrative. Janë ligjet pastaj është VKM-ja. Nuk mundesh ti që me vendim qeverie të rregullosh diçka që parashikohet në Kodin Penal sepse Kodi Penal miratohet me 84 vota, vendimi i qeverisë sigurisht është një akt me fuqi ligjore më të vogël. Rregullimi i këtyre normave që ti kërkon t’i bësh jo me ligj me 3/5, as me ligj që kërkon shumicë të thjeshtë, por me vendim qeverie, akt normativ bie ndesh me Kushtetutën, është implikim i rëndë kushtetues”, tha Halimi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here