I shpallur në kërkim për skandalin e Inceneratorëve/ Veliaj dhe Sako i japin 250 mijë euro Zotos për Shën Valentin

0
204

Më 14 shkurt, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ajo e Durrësit, Emirjana Sako, i kanë dhuruar 250 mijë euro Klodian Zotos, në favor të kompanisë së mbetjeve në landfillin e Sharrës. Edhe pse kompania koncensionare nuk kryen incenerim të mbetjeve dhe Zoto është në kërkim prej më shumë se një viti, në llogaritë e koncesionarit IEBV kanë kaluar faturat 220 milionë lekë të vjetra nga Bashkia e Durrësit dhe 80 milionë lekë të vjetra nga Bashkia e Tiranës

SYRI TV

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ajo e Durrësit, Emirjana Sako, i kanë bërë një dhuratë të çmuar me vlerë 250 mijë euro, Klodian Zotos, pikërisht në ditën e të dashuruarve.

Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se Veliaj dhe Sako kanë paguar bashkërisht mbi 300 milionë lekë të vjetra në 14 shkurt 2023, në favor të kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV”, për depozitimin dhe incenerimin e mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës.

Por, siç ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe siç provoi edhe një investigim i kryer nga Partia e Lirisë, kompania koncesionare nuk kryen procesin e incenerimit të mbetjeve urbane, duke rritur në mënyrë të ndjeshme kostot për institucionet publike, të cilat nuk marrin shërbimin e paguar.

Bashkia e Durrësit ka paguar më 14 shkurt faturën prej rreth 220 milionë lekë të vjetra në llogaritë e koncesionarit IEBV. Ndërsa Bashkia e Tiranës ka lëvruar në favor të kompanisë së Zotos rreth 80 milionë lekë të vjetra.

Shoqëria koncesionare e landfillit të Sharrës është krijuar në vitin 2016 dhe rol kryesor kishte Klodian Zoto. Ky i fundit është në kërkim prej më shumë se një viti, i konsideruar si një prej organizatorëve kryesorë të skemës mashtruese të inceneratorëve.

Së fundmi, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, e dërgoi Zoton për gjykim, së bashku me shumë persona të tjerë, me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave në procedurat tenderuese dhe zbatimin e kontratave koncesionare për inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit. Ndërkohë, SPAK nuk ka dhënë asnjë sinjal publik për hetimin e procedurave të inceneratorit të Tiranës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here