Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi me gazetarët ka risjellë në diskutim nxjerrjen e të dhënave personale të Edi Ramës nga hakerat, duke theksuar se për të nuk ka rëndësi se kush i nxori ato.
Kreu i PD e cilëson shpenzimin e parave të shqiptarëve nga Rama për të fluturuar me çarter privat një superskandal. Të dhënat tregojnë se që nga viti 2013, kur mori pushtetin, Rama kreu mbi 130 fluturime luksi.
Deklarata e plotë:
Nuk mund të mashtrojë, nuk mund të gënjejë, të gjitha këto janë të nxjerra nga TIMS-i.
Ia nxori Homeland, apo Erion Veliaj, ky është problem tjetër, nuk ka rëndësi për mua. Rëndësi ka qe është dokumenti i abuzimit më të madh pas djegësave të këtij njeriu në detyrë.
Nuk ka skandal më të madh. Ky superskandal tregon më së miri psikologjinë antiqytetare të këtij njeriu.
Kur pashë këtë listë, m’u rikujtua parlamenti i vitit 1991. Në atë parlament, një deputet i PPSH u shpreh: kam qenë i verbuar nga këta njerëz. Nuk kam besuar kurrë se familja Hoxha mund të kishte një dynym qilima, që familja tjetër mund të kishte pishinë. Por u garantoj se ata së bashku, nuk bënin më shumë se 7-8 milionë.
Kurse ky vetëm udhëtime ka shpenzuar të paktën 22 milionë euro, sipas të dhënave të fundit të fluturimeve.
Qytetarët do flasin, ndaj e ftoj të japë dorëheqje dhe të mos presë protestën.