Protesta kombëtare/ Pedagogët ftojnë studentët: Nuk i frikësohemi Ramës

0
103

Sindikata e pedagogëve përshkallëzon bojkotin, ku nesër do të zhvillojnë një protestë kombëtare.

Pedagogët kërkojnë edhe prezencën e studentëve në këtë protestë që do të zhvillohet para godinës së Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik.

“Nesër në datë 20 tetor 2022 ora 11:00 do të zhvillohet protesta kombëtare, në formën e bojkotit total, përpara godinës së Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik, ku do të marrin pjesë të gjitha universitetet publike në vend. Ftojmë edhe studentët të japin mbështetje me prezencën e tyre. Le të jemi të gjithë bashkë në këtë hapësirë akademike”, thuhet në njoftim.

“Ne nuk i frikësohemi kryeministrit”. Kështu kanë deklaruar pedagogët për mediat teksa kanë paralajmëruar protestën kombëtare që pritet të zhvillohet nesër.

“Kryeministri të shohë qartë ku është sot financimi i arsimit në Europë. Jemi më poshtë se Kosova dhe RMV-ja, por jemi në poshtë se Bosnjë Hercegovina. Kryeministri të mbajë premtimet e tij të 8 viteve më parë, që të ishte 5% në GDP financimi për arsimin”, u shpreh një prej pedagogëve.

Kurse kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, e cilësoi si shantazh deklaratën e kryeministrit Edi Rama se do të niste një veting për pasurinë e pedagogëve.

“Nxjerrja e procesit të vetingut në këtë moment, tregon frymë shtantazhi ndaj nesh. Është e pabesueshme kjo ide e tij në këto komente. Ka pasur mundësi në bazë të grevës së studentëve që të bëjë transparencë. Mos krijoni tymnajë se profesorati është shtresë e varfër”, tha ai.

Kovaçi, por dhe pedagogë të tjerë, thanë se ka pasur kërcënime nga rektorë, por pa përmendur emra. Sipas Kovaçit, nuk mundet të shkarkohen nga detyra pedagogët, se pse protestojnë, pasi i mbron ligji.

“Janë shantazhet, por dua të them se rektorët nuk kanë asnjë mundësi që të merret masë ndaj pedagogëve. E mbron ligji. Askush nuk pengohet për mospjesëmarrje”, tha Kovaçi.

“Kryeministri të deklarojë piramidën e pagave në të gjithë administratën publike pasi kemi parë pastrues në Fondin Shqiptar të Zhvillimit që marrin më shumë se sa një pedagog”, tha një tjetër pedagog, anëtar i sindikatës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here