Revista gjermane, Spiegel, më e madhja në Europë, ka risjellë në versionin e saj në anglisht, një intervistë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, publikuar në gjermanisht para disa ditësh.
Intervista e revistës fokusohet tek situata në Ukrainë dhe ndikimi i luftës atje në rajonin tonë.
Por në hyrje të intervistës, gazetarja Susanne Koelbl shkruan se Rama akuzohet se ka lidhje personale me mafian.
“Kryeministri i pret zbathur të ftuarit. Edi Rama është një burrë shtatlartë, me vetulla të trasha dhe sy të thellë. Ai ka veshur pantallona të shkurtra të zeza dhe një bluzë të bardhë, por pa këpucë.
Së bashku me gruan e tij, Rama është duke pushuar në oborrin e një shtëpie buzë detit. E ndërtuar fillimisht në vitet 1960 për diktatorin Enver Hoxha, vila ndodhet pranë fshatit idilik bregdetar të Dhërmiut, i rrethuar me pisha. Oficrët e gardës bëjnë roje jashtë derës. Njeriu më i fuqishëm në Shqipëri po shijon pak pushimet.
“Nuk po na shqetësoni,” u thotë Linda Rama gazetarëve të Spiegel. Ajo ka veshur një këmishë të bardhë pambuku dhe një kapele mbi flokët e saj të zinj kaçurrelë. Me punën e të shoqit, thotë ajo, nuk mund të kesh ndonjë pushim të vërtetë.
Shqiptarët e zgjodhën Edi Ramën kryeministër të tyre me një shumicë të madhe 11 vite më parë. Në atë kohë, artisti i famshëm ishte antiteza e korrupsionit dhe urisë për pushtet.
Si kryebashkiak i kryeqytetit të Tiranës, Rama i leu rrugët me ngjyra të ndezura dhe i shpalli luftë gjyqësorit të korruptuar. Sot kritikët e akuzojnë Ramën se mban kontakte personale me mafian, një akuzë që ai e mohon. Sido që të jetë, Shqipëria sot mbetet një nga vendet më të varfra në Europë.
Dhe korrupsioni nuk është aspak problemi i vetëm i Shqipërisë. Lufta në Ukrainë, vetëm 1 mijë kilometra larg, aktualisht po rihap plagët e vjetra në rajon. Edhe njëherë, fuqitë e mëdha po përplasen në Ballkanin e brishtë Perëndimor,” shkruan gazetarja.