Vetëdeklarim deri në 2 mln euro/ Qeveria ka gati draftin për legalizimin e parave të dyshimta

0
142

Qeveria nxori sot për konsultim draftin ne amnistisë fiskale i cili lejon deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, te cilat me pas tatohen nga 7-10 %.

Do të amnistohen edhe pasuritë e paluajtshme.

Sipas projektligjit për personat në përbërje të certifikatës familjare, pasuria që lejohet të deklarohet sipas parashikimit të pikës 1, është tërësia e deklarimeve vullnetare të kryefamiljarit ose çdo personi madhor, bazuar në  të dhënat  e certifikatës familjare  sipas përbërjes që rezulton e dokumentuar deri me datë 1.1.2022, shkruan Revista Monitor.al.

Subjekte të këtij ligji janë individët shtetas të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse janë residentë tatimorë ose jo në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë dhe juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre.

Subjekte përfituese të këtij ligji janë subjektet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, që kanë kryer procesin e deklarimit vullnetar dhe janë pajisur me vërtetimin e përfundimit të procesit të deklarimit të pasurive, sipas parashikimeve të këtij ligji.

Ja procedura e deklarimit vullnetar të pasurive dhe i pasqyrave financiare

Subjektet e këtij ligji mund të deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elemente të pasqyrave financiare që nuk i kanë deklaruar më parë apo i kanë deklaruar në një një vlerë më të vogël se ajo çfarë duhet të deklaronin pavarësisht nëse pasuritë, në tërësinë apo pjesë të tyre, janë të paregjistruara në autoritetet kompetente, apo ndodhen ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare kryhet pranë Njësisë Speciale, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi sipas formularit të deklarimit vullnetar.  Njësia, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga depozitimi i formularit të deklarimit vullnetar, kryen verifikimet paraprake nëse aplikuesi është subjekt përfitues i këtij dhe pajis subjektin ose përfaqësuesin e tij me një dublikat (kopje) të formularit të vetëdeklarimit të certifikuar/nënshkruar nga Njësia.

Formati i formularit të deklarimit vullnetar dhe mënyra e procedimit për deklarimin vullnetar të pasurive dhe të pasqyrave financiare përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Procesi i deklarimit vullnetar fillon me depozitimin e formularit të deklarimit vullnetar të përmendur në pikën 2, të këtij neni dhe përfundon me pajisjen e subjektit me vërtetimin përkatës, të lëshuar sipas parashikimeve të këtij ligji.

Shumat në të holla depozitohen në llogari bankare të bankave të nivelit të dytë, ndërsa për pasuritë e tjera, të detyrueshme për t’u regjistruar, ndiqen procedurat e regjistrimit sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës të fushës.

Deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të kësaj procedure nga ana e subjekteve përfituese, sipas këtij ligji, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si indicie apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të subjekteve përfituese.

Deklarimi vullnetar i shumave në të holla

Për deklarimin e shumave në të holla subjekti ose përfaqësuesi i tij, pasi pajiset me formularin e deklarimit vullnetar të lëshuar nga Njësia, sipas parashikimeve të nenit 9, të këtij ligji, dorëzon një kopje të këtij formulari për depozitimin e shumës në të holla të deklaruar në formular në një numër llogarie të hapur për këtë qëllim.

Banka apo institucioni financiar, pasi verifikon formularin për shumën në të holla që kërkohet të deklarohet, pajis subjektin ose përfaqësuesin e tij me vërtetim të depozitimit të shumës dhe të mbajtjes së tatimit.

Banka apo institucionet e tjera financiare, që veprojnë në kuadër të këtij ligji, njoftojnë menjëherë Njësinë mbi depozitimin e shumës në të holla dhe përputhshmërinë e kësaj shume me vlerën e deklaruar në formular.

Ndërveprimi i bankave të nivelit të dytë apo i institucioneve të tjera financiare, shkëmbimi i të dhënave dhe bashkëpunimi me Njësinë si dhe mënyra e procedimit për këtë fazë të procesit të deklarimit vullnetar, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Kufizimet  e deklarimit vullnetar të shumave në të holla

Shumat në të holla të deklaruara në kuadër të këtij ligji nuk mund të transferohen jashtë shtetit për një periudhë 5 vjeçare nga momenti i depozitimit të tyre në përfundim të procedurës së deklarimit vullnetar sipas parashikimit të shkronjës a, të pikës 1, të nenit 16, të këtij ligji.

Bankat apo institucionet financiare në të cilat janë depozituar shuma në të holla, sipas këtij ligji, informojnë subjektet që deklarojnë për kushtin e parashikuar në  pikën e parë , për rastet kur ata, pas depozitimit të shumave në llogaritë përkatëse, mund të dëshirojnë të kryejnë transferta bankare jashtë shtetit, për shumat e deklaruara sipas këtij ligji, brenda  5 viteve nga data e depozitimit të tyre.

Subjekti deklarues nuk mund ti tërheqë shuma në të holla të depozituara deri në përfundim të afatit të zbatim të këtij ligji.

Në rastet kur subjektet që kanë deklaruar shuma në të holla, dëshirojnë të transferojnë këto shuma ose ekuivalentin e tyre jashtë shtetit, përpara afatit 5-vjeçar nga data e depozitimit të tyre, u mbahet si penalitet në masën 30% të shumës së transferuar.

Penalitetet e parashikuara në pikën 4 të këtij neni kalojnë në llogari të thesarit në Ministrinë përgjegjëse për  Financat, nga bankat, dhe janë në shtesë të shumës fillestare të paguar në çastin e depozitimit të tyre në përfundim të procedurës së deklarimit vullnetar.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjatë inspektimeve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, deri në 5 vjet pas përfundimit të kohës së zbatimit të tij, mban në konsideratë zbatimin e dispozitave të këtij ligji në lidhje me kufizimet e lëvizjeve të shumave në të holla jashtë shtetit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here