Tender ‘i paracaktuar’ 13 mln euro për oksigjenin, si po favorizohet ‘Niku’ nga Manastirliu

0
143

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur së fundmi një tender me vlerë 13 milionë euro, për blerjen e oksigjenit mjekësor për 24 muaj. Përmes tij synohet furnizimi me oksigjen i 13 spitaleve nga një operator i vetëm, çka ngre dyshimin se po favorizohen kompani të caktuara.

Një tender i shpallur së fundmi nga Ministria e Shëndetësisë, me vlerë 13 milionë euro, për blerjen e oksigjenit mjekësor për 24 muaj, ngre dyshime të forta për paracaktim të fituesit. Në bazë të këtij tenderi, ministria synon furnizimin me oksigjen të 13 spitaleve qendrore e rajonale nga një operator i vetëm, duke ndryshuar rregullat e lojës, si edhe duke favorizuar kompani të caktuara.

Praktika e deritanishme ka qenë që çdo qendër spitalore zhvillonte tender të veçantë, duke krijuar mundësi konkurrence mes operatorëve, pavarësisht se “GTS” e drejtuar nga Besnik Halili prej kohësh ka krijuar një lloj monopoli.

Praktika e tenderave të veçantë është zhvilluar edhe në muajt e parë të këtij viti.

Spitali i Traumës, Spitali i Korçës, ai i Shkodrës apo i Lushnjes, kanë zhvilluar në muajt e parë të vitit 2022 tendera për blerje oksigjeni.

Këto tendera kanë pasur të njëjtin fat. Ato janë anuluar për shkaqe të ndryshme. Ndërkohë, Spitali i Korçës pritet të zhvillojë këto ditë tenderin për blerjen e oksigjenit mjekësor.

Por, në një kohë që spitalet rajonale kanë në zhvillim procedurat për blerjen e oksigjenit, Ministria e Shëndetësisë i ka përfshirë ato në këtë tender të madh, duke krijuar një kakofoni ndërmjet vetë institucioneve shëndetësore dhe operatorëve ekonomikë. Përqendrimi i të gjithë tenderave spitalorë në një procedurë të vetme ndikon të eliminimin e konkurrencës.

Shumë pak kompani në tregun e oksigjenit mjekësor mund të plotësojnë kushtet për të furnizuar njëkohësisht të gjithë strukturat shëndetësore.

Po ashtu, në dokumentet e tenderit është përcaktuar sasia totale e oksigjenit të prokuruar, ndërkohë që nuk është e qartë se sa është sasia që do të furnizohet çdo spital.

Edhe ky detaj ndikon në uljen e konkurrencës, pasi kompanitë e tregut të gazit mjekësor nuk janë në gjendje që të përllogarisin kostot që u duhet për të kryer transportin e gazit nga qendra e tyre deri në çdo cep të Shqipërisë.

Këto detaje të fshehura në dokumentet e tenderit gjigant, me shumë mundësi, do të orientojnë procedurën gjigante drejt një operatori të paracaktuar.

Tenderi është shpallur në 4 maj 2022 dhe pritet të mbyllet pas një muaji, në 3 qershor.

© SYRI.net

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here