Legalizimi i kanabisit/ Pse Rama u fsheh pas Këshillimit Kombëtar

0
151

Idenë e legalizimit të kanabisit, Koço Kokëdhima e propozoi vetë, e mbrojti hapur dhe këmbënguli deri në fund. Pavarësisht se Ramën e pati kundër, nuk ngurroi t’i qëndrojë mendimit të tij.

Kurse Edi Rama nuk e artikuloi vetë si ide, por e solli në formën e një pyetësori. Nga 11 pyetje, 1 ishte për kanabisin. Vetë nuk iu përgjigj asnjëherë, por përgjigjen ia la “popullatës”.

Shpiku Këshillimin Kombëtar, ngriti pyetje, nxiti diskutime, shpërndau zarfa, foli për një proces votimi dhe shpalli rezultatin. Kështu krijoi perceptimin, se nuk ishte ai që mori vendim, por ishin shqiptarët që ia kërkuan të parët legalizimin e kanabisit.

Forma me të cilën po vjen legalizimi i kanabisit nuk paralajmëron asgjë të mirë.

Përse iu desh kryeministrit të shpikë Këshillimin Kombëtar, kur mund ta kishte marrë vetë një vendim të tillë?

Në vitin 2022, kompleksi i legalizimit të kanabisit konsiderohet i tejkaluar.

Maqedonia fqinje e lejoi kultivimin për qëllime mjekësore që në 2016, me synimin për t’u bërë një superfuqi në furnizimin e Evropës. Vendet e Bashkimit Europian janë të hapura për idenë e legalizimit. Qeveria e re e Gjermanisë planifikon ta legalizojë. Luksemburgu po ashtu. Spanja dhe Holanda tolerojnë konsumin dhe rritjen e kanabisit për përdorim personal në shkallë të ndryshme. Republika Çeke dhe Portugalia e kanë dekriminalizuar kanabisin për përdorim personal.

Në nivel global, Uruguai, Kanadaja, Gjeorgjia, Meksika, Afrika e Jugut dhe 18 shtete të SHBA-së, si dhe kryeqyteti Uashington, DC., kanë legalizuar të gjithë konsumin rekreativ të kanabisit. Një numër i madh vendesh në mbarë botën kanë legalizuar edhe marijuanën mjekësore si Austria, Kroacia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Pse Edi Ramës i duhet ta shmangë një vendim personal për kanabisin?

Kjo ka të bëjë me imazhin e Edi Ramës, si një politikan që ndër vite i ka shfrytëzuar zanatçinjtë e kanabisit, kultivues dhe trafikantë për të mbledhur vota dhe me raste, edhe për të bashkëqeverisur.

Në mandatin e parë të qeverisjes së socialistëve, Shqipëria kapi titujt kryesore të mediave ndërkombëtare si fole e kultivuesve dhe trafikantëve të kanabisit dhe si një nga pikat e furnizimit me drogë të Europës.

Mjafton të kujtohen mbi 120 policë të përfshirë në kultivimin dhe trafikun e drogës sipas raportit të SHISH, parcelat e drogës në skajet e vendit, kufomat me plumb në kokë në magazinat e tharjes së kanabisit, policët e kërcënuar nga trafikantët , vrasjet mes bandave për prishje pazaresh, deputetë që fshihnin trafikantë droge në makina, biznese të ngritura me paratë e pista, gomonet me kanabis drejt Italisë dhe sigurisht: ish-Ministrin e Brendshëm të burgosur për bashkëpunimin me kushërinjtë e trafikut të kanabisit.

Historia e gjatë e flirtit me “drogën” e detyron sot Edi Ramën të organizojë një proces farsë votimi, ku nuk dihet se kush voton e kush numëron, por e zhvesh kryeministrin nga përgjegjësia e vendimmarrjes. Dhe kjo nuk paralajmëron asgjë të mirë.

Industria e re e kanabisit është delikate. Në Maqedoninë e Veriut, biznesmenët që investuan miliona dollarë për fabrikat me kanabis janë zhgënjyer nga tregu farmaceutik. Prandaj kanë nisur të eksplorojnë mënyra të reja për të fituar. Dy muaj më parë, policia maqedonase bllokoi kamionat me 1.5 ton kanabis të një kompanie të licensuar, që ishin nisur për t’u shitur në Bullgari. Jo për qëllime mjekësore. Nuk pati asnjë të arrestuar./LAPSI

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here