Vendi në krizë por qeveritarët nuk ndalin udhëtimet. Nga 18 marsi deri në 6 prill, 55 mijë euro vetëm bileta avioni

0
131

Institucionet shtetërore nuk i ndalin udhëtimet jashtë vendit edhe pse qeveria ka deklaruar se vendi është në krizë që prej nisjes së konfliktit në Ukrainë.

Nga data 18 mars deri të mërkurën e 6 prillit, organet shtetërore kanë blerë bileta avioni me destinacione të ndryshme që kapin vlerën e mbi 6.7 milionë lekëve ose e thënë ndryshe 55.5 mijë euro.

Në këtë shifër nuk përfshihen dietat ushqimore dhe rezervimet në hotele.

Sipas të dhënave të APP janë realizuar në total 45 fluturime, 12 prej tyre me itinerar Tiranë-Gjermani.

Nga këto, gjysma janë zhvilluar nga punonjësit e Ministrisë së Bujqësisë dhe të tjerat nga Prokuroria e Posaçme.

Destinacioni i dytë më i preferuar nga autoritetet shtetërore është Italia, ku rezulton se janë kryer 8 fluturime kryesisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës.

Zvicra është një tjetër destinacion i preferuar nga institucionet pasi vetëm bashkia e Tiranës ka blerë nëntë bileta me një kosto prej 526 mijë lekësh.

Një tjetër institucion që ka zhvilluar udhëtime jashtë vendit me destinacion të caktuar është teatri “Migjeni”, i cili rezulton se ka kryer katër fluturime me një kosto prej 2 milion lekësh.

Udhëtimet e tjera të destinacioneve shtetërore gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar në Hungari, Poloni, Francë, Belgjikë dhe Austri.

Por nuk mungojnë as fluturimet në Dubai drejt së cilit me 28 dhe 29 mars Korporata Elektroenergjitike ka blerë dy bileta me vlerë 350 mijë lekë.

Ndërkohë sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik janë hapur dhe procedura të tjera me objekt “blerje biletash udhëtimi”, të cilat pritet ti kushtojnë buxhetit të shtetit mijëra euro të tjera.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here