Presidenti Meta vlerëson me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” studiuesin dhe publicistin e shquar, z.Ndriçim Kulla

0
412

Presidenti Meta vlerëson me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” studiuesin dhe publicistin e shquar, z.Ndriçim Kulla: Shembull unik i qëndresës dhe forcës së karakterit ndaj diktaturës, si dhe i talentit dhe përkushtimit në shërbim të demokracisë e kulturës kombëtare

1 prill 2022

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” studiuesin dhe publicistin e shquar, z.Ndriçim Kulla: “Në vlerësim të kontributit të tij si studiues, krijues, publicist dhe botues, duke shpalosur vlerat më të spikatura kulturore, letrare dhe shkencore me rëndësi kombëtare. Me mirënjohje për arritjet e shquara në paraqitjen dhe botimin e veprave të dijetarëve të elitës letrare dhe filozofike të mendimit shqiptar, duke u shndërruar në një shembull unik të qëndresës dhe forcës së karakterit ndaj diktaturës, si dhe të talentit dhe përkushtimit në shërbim të demokracisë e kulturës kombëtare.”

Në ceremoninë solemne të dekorimit, ku merrnin pjesë ish-kryeministri Prof.Dr. Sali Berisha, Profesori i Shkencave të Filozofisë Gjergj Sinani, Profesor Doktor Josif Papagjoni, shkrimtarja Nadire Buzo, studiues, akademikë, politikanë dhe intelektualë, Presidenti Meta u shpreh:

“Jam shumë i gëzuar të jemi sot së bashkë në këtë ceremoni për të vlerësuar një intelektual të mirënjohur zotin Ndriçim Kulla, një ndër personalitetet aktualë më të spikatur të kulturës dhe botimit të letrave shqipe.

Nderimi për studiuesin, publicistin dhe botuesin Ndriçim Kulla është vlerësim ndaj kontributit të një intelektuali, i cili përbën shembull unik në krijimin e vlerave të mëdha kulturore e shkencore me rëndësi kombëtare.

Ndriçim Kulla është përfshirë në suksesin e tij në botën kulturore, studimore e letrare në mënyrë krejt të veçantë.

Ai ka lindur dhe është rritur në Delvinë në një familje e cila përjetoi shumë rëndë persekutimin e regjimit totalitar. I privuar politikisht nga arsimimi i plotë, atij do t’i duhej të kryente punët më të vështira dhe të përmbushte plot sakrifica për t’u mbijetuar rrethanave të asaj kohe.

Ardhja e demokracisë në Shqipëri do të përbënte një moment kthese edhe për të ardhmen e tij duke realizuar shkollimin dhe objektivat që kishte ëndërruar.

Përmes një angazhimi pune dhe përpjekje titanike, ai ia doli të çlironte energji krijuese dhe aftësi të jashtëzakonshme, duke u prezantuar si një personalitet i vlerësuar publikisht, si autor dhe krijues me profil të qartë dhe origjinal në botimet tona shqiptare.

Udhëtimi i tij, i nisur prej galerive më të thella të minierave, do të përshkonte më tej stacione me plot arritje profesionale si botues, gazetar, mësues dhe pedagog.

Si drejtues në shtëpitë botuese ‘Phoenix’ dhe ‘Plejad’, ai kontriboi për botimet filozofike, albanologjike dhe sidomos botime e elitës së ndaluar shqiptare nga koha e komunizmit.

Ai ka redaktuar me dhjetra libra të rëndësishëm filozofikë, historikë dhe politikë nga literatura botërore, të cilat tashmë janë bërë pjesë e kulturës shqiptare.

Me aktivitetin e tij, zoti Kulla ka kryer një kontribut për të cilin ndoshta do të duhej të punonin stafe të tëra të një Akademie, duke realizuar një mision të rëndësishëm në rivlerësimin e mendimit shqiptar.

Nuk duhet harruar kontributi me vlerë i këtij intelektuali për mbledhjen dhe botimin e veprave të shkrimtarëve të persekutuar dhe të burgosur politikë nga regjimi komunist. Një kontribut që i shërben të vërtetës historike dhe paqes e harmonisë midis shqiptarëve.Veprat e botuara prej tij janë të panumërta.

Por arritja më e madhe e këtij botuesi-studiues, mund të quhet gjetja strukturimi dhe botimi i serisë prej 32 veprave të albanologut të madh me famë botërore At Giuseppe (Zef) Valentini, që konsiderohet si ndër prurjet më të mëdha shkencore dhe e kulturore në fondin kulturës shqiptare.

Krahas veprimtarisë botuese, zoti Kulla është autor i 36 librave në gjini të ndryshme të cilat janë një kontribut me vlerë për kulturën dhe shkencën shqiptare.

Në veprat e tij, ai ka kombinuar punën kërkimore, me qëllim evidentimin e veprës së kolosëve të mendimit shqiptar, me punën e tij krijuese.

Studimet dhe librat që kanë autorësinë e tij janë një prurje e veçantë në kulturën e botimeve shqiptare.

Janë të njohura veprat e tij si ‘Historia e mendimit shqiptar’, ‘Kush jemi ne shqiptarët’, ‘Enciklopedia Antologjike e Mendimit Shqiptar’ në tre vëllime voluminoze, ‘Antologjia e Mendimit Shqiptar’, ‘Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane’, ‘Neoshqiptarizma një model i braktisur’, ‘Biografi e Ismail Kadaresë – nga koha e diktaturës deri në ditët e sotme’, ‘Ylli i Shkrimtarit’ dhe vepra të tjera.

Ndriçim Kulla është model i një intelektuali që jeton i shqetësuar dhe i angazhuar me aktualitetin e problematikat e vendit dhe shoqërsisë së tij.

Ai është aktiv në shtypin e përditshëm me opinionet e tij të kulturuara, duke lëvruar një gazetari të stilit iluminist dhe kulturor.

Ndriçim Kulla ka organizuar në bashkëpunim me institucionet e larta akademike dhe arsimore në vend konferenca shkencore mbarëkombëtare mbi trashëgiminë tonë.

Për aktivitetin dhe krijimtarinë ai, është vlerësuar edhe në të kaluarën me çmime të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe mban prej një dekade Titullin ’Mjeshtër i Madh’.

Para 30 viteve Ndriçim Kulla mund të zgjidhte një jetë më të lehtë dhe të begatshme nga pikëpamja materiale për veten dhe familjen e tij. Por përkundrejt komoditetit, ai ndoqi një kauzë me shumë privime materiale, por me një kontribut cilësor në kulturën kombëtare.

Ai zgjodhi punën e mundimshme kërkimore për botimin, rivlerësimin dhe integrimin e mendimit të ndaluar shqiptar, si dhe rrugën e vështirë, por të ndershme si autor i dhjetëra veprave, librave, botues elitar, publicist dhe qytetar aktiv.

Vlerësimi sot për zotin Ndriçim Kulla me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’ është dëshmi e respektit, obligimit dhe nderimit, për gjithçka që ky personalitet ka bërë për shoqërinë shqiptare, si një intelektual atdhetar dhe i përkushtuar, me kontribut të rëndësishëm në kulturën shqiptare.

Ky vlerësim është një nderim edhe ndaj çdo intelektuali, studiuesi, krijuesi e botuesi shqiptar të përkushtuar ndaj kauzës së atdheut dhe kulturës sonë kombëtare”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here