Mungesa e reshjeve për një kohë të gjatë po çon drejt uljes së nivelit të ujit të liqenit të Fierzës.
Niveli ka rënë ndjeshëm duke nxjerrë kështu në sipërfaqe themelet e Kukësit të vjetër.
Disa magazina që shërbenin në atë kohë për ndërmarrjet shtetërore, ura pranë Kullës së Lumes që lidhte dikur Kukësin me Prizrenin, por edhe copëza ndërtesash përqark qytetit të vjetër të Kukësit tashmë janë të dukshme.
Qyteti i vjetër i Kukësit ndodhet në nivelin 262 metrave mbi nivelin e detit, ndërsa e ashtuquajtura pikë e vdekjes e hidrocentralit të Fierzës ndodhet në 242 metra mbi nivelin e detit.
Aktualisht niveli i ujit është rreth 17 metra larg ‘pikës së vdekjes’. Liqeni i Fierzës në nivelin maksimal të tij në 296 metra mbi nivelin e detit ka një volum prej 2,7 miliardë metrash kubë ujë.