Deputeti demokrat Edmond Spaho e ka mësuar mëngjesin e sotëm që është proceduar nga Policia e Korçës për pjesëmarrjen e tij në protestën e djeshme në Korçë, i akuzua për mosbindje ndaj Policisë dhe pengim të qarkullimit.
Megjithatë, ai deklaroi sot se arrestimet dhe ndalimet janë “lodra të Policisë për të trembur njerëzit, për t’i frikësuar që të mos marrin pjesë në protesta” dhe theksoi se ai do të marrë pjesë në çdo protestë që do të ketë mundësi.
“Kam pasur një telefonatë që më kërkonin në cilësinë e personit në dijeni që të dëshmoja në orët e vona të mbrëmjes, – tregoi Spaho lidhur me procedimin penal dhe tha se “as kam ndër mend të paraqitem, sepse është e drejta ime të protestoj. Në të gjithë protestat që do të zhvillohem, sa të kem mundësi do të marr pjesë.”
I pyetur nëse i trembej faktit se Policia mund ta shoqëronte me forcë, Spaho tha se “nuk e bëjnë dot. Këto janë lodrat e Policisë për të trembur njerëzit që të mos marrin pjesë në protestë.
Kjo është e gjitha, duan të frikësojnë njerëzit që të mos marrin pjesë në protestë. Po nuk kanë për t’ia arritur qëllimit. Dhe ato ndalime që bëjnë janë tërësisht të paligjshme.
Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe s’kanë nevojë fare të njoftojnë Policinë për protestën që zhvillojnë dhe çdo ndalim është i paligjshëm; përgjegjësia është e Policisë për ndalime arbitrare.
Apeli im është ky që qeveria t’i thërrasë mendjes dhe të zgjidhë problemet e qytetarëve, pasi nëse nuk i zgjidh, protesta do të përshkallëzohet.”