Biznesi me vaksinat/ Rama nxjerr miliona dollarë për dozat, që nuk i do më askush

0
88

Marre nga Lapsi.al

Disa milionë dollarë të tjera do të paguhen për të blerë vaksina. Edhe këtë radhë, çmimi i një doze që blihet nga Pfizer nuk dihet. Kontrata është sekret

Miliona dollarë do të paguhen për 300 mijë doza të tjera që vijnë në Mars, 200 mijë të tjera në Qershor, 200 mijë në Shtator dhe në muajt e fundit të këtij viti, edhe 300 mijë të tjera.“Ashtu sikurse në marreveshjen bazë, ashtu edhe në amendimet e tjera është kërkuar nga kompania Pfizer ruajtja e sekretit tregtar. Kushtet e marrëveshjes nuk mund të diskutohen publikisht” tha Manastirliu, ndërsa raportonte në Komisionin parlamentar për Shëndetësinë para deputetëve.

Por më problem se sekreti i çmimit duket fakti se pagesa po bëhet kur pandemia është në fundin e saj. Zelli i qeverisë për të paguar miliona dollarë për më shumë vaksina, nuk justifikohet as nga situata e pandemisë dhe as nga ecuria e procesit të vaksinimit. Faktorët që të bëjnë të dyshosh janë disa.

Omicron, më i lehtë se gripi

Variant Omicron tashmë ka muaj që qarkullon dhe vdekshmëria nga ky virus është shumë e vogël. Madje studimet dhe statistikat, e përcjella për publikun edhe nga mjekë shqiptarë, tregojnë se Omicron vret më pak se gripi.

“Në dy javët e fundit kemi ulje të incidencës të rasteve pozitive. Edhe situate në spitale vlerësohet të jetë e kontrolluar. Kemi ulje të situatës së hospitalizimeve dhe të fataliteteve” pranoi Manastirliu në komision, duke ngritur natyrshëm pikëpyetjet se: Përse po paguhen kaq shumë para për 1 milion vaksina të tjera, kur situata po përmirësohet?

Imuniteti në pjesën më të madhe të popullsisë

Një nga shkaqet që numri i hospitalizimeve dhe i fataliteteve është në ulje, sipas mjekëve, mendohet të jetë fakti se popullata tashmë është imunizuar. Jo vetëm prej vaksinimit, por edhe prej infektimit të mëparshëm nga virusi.

Pak kohë më parë, mjeku imunolog Genc Sulçebe tha se studimi i fundit i akademisë së shkencave që është realizuar në fund të vitit 2021, ka evidentuar se mbi 70% e popullsisë është prekur nga virusi.“Kishim një mbulim uminitar 73% disa nga infeksiobi e të tjerë nga vaksinimi, por tani kjo mbulesë është rritur në 85%. Ora 11 ndoshta nuk ka vlerë. Vlerë ka maska dhe distanca. Moshat e reja nuk e kanë atë rrezik si moshat më të larta. Ai kufiri mund të hiqet”

Refuzimi i popullsisë për t’u vaksinuar

Në javët dhe muajt e parë të mbërritjes së vaksinave në fillim të vitit 2021, tendenca për t’u vaksinuar ishte e lartë. Qytetarë të të gjitha moshave mbanin radhë në qendrat e vaksinimit për të marrë një ose dy doza, ndërsa sot, qendrat e vaksinimit janë bosh. Vetë Manastirliu pranoi se në vendin tonë 59.3% e popullsisë ka marrë një dozë të vaksinës, 55.1% kanë marrë dy doza dhe vetëm 10.7% e popullsisë kanë pranuar të marrin dozën e tretë. (Shifrat që paraqiti Manastirliu bien në kundërshtim me ato të publikuara nga www.ourworldindata.org, sipas së cilës vetëm 41.9% e popullsisë në Shqipëri i ka marrë dy doza vaksine)

1 milion vaksina të tjera, janë një furnizim përtej llogjikës, duke marrë parasysh përqindjet e vaksinimit.

Paralajmërimi i mjekëve për fundin e pandemisë

Vetë mjekët thonë se pandemia është drejt fundit. Dobësimi i mutacionit të Sars Cov-2, imuniteti natyral i popullsisë dhe rënia e shifrave është shoqëruar me lehtësimin e masave në të gjithë botën. Ndërkohë që në Shqipëri po ndodh e kundërta. Mjeku Ilir Alimehmeti ka kërkuar heqjen e masave kufizuese sepse, sipas tij, tashmë jemi në fundin e pandemisë.“Orari i kufizimit të lëvizjes së lirë nuk ka asnjë arsye dhe nuk ka pasur ndonjë arsye pse të qëndrojë, është tjetër gjë që ka të bëjë me masat ku ka aktivitet me shumë njerëz, me grumbullime të mëdha, kjo do ponderuar, por ka shumë gjasa që ka ardhur momenti që edhe kjo lloj mase të largohet dhe ne të shkojmë drejt hapjes.” ka thënë Alimehmeti.

Në fund, vota e deputetëve për të blerë 1 milion vaksina të tjera ishte unanime. Të gjithë pro pagesës prej miliona dollarësh për vaksinat që nuk dihet se ku do të përfundojnë, nëse parashikimet e mjekëve përmbushen dhe pandemia merr fund brenda pak javësh. Qeveria ka alokuar në buxhet rreth 2,7 miliard lekë për procesin e vaksinimit. Bashkë me vaksinat që pritet të mbërrijnë nëpërmjet instrumentit Covax gjatë 2022, janë mbi 5 milion doza vaksine që do të kenë mbërritur në Shqipëri që prej fillimit të procesit të vaksinimit./Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here