Protesta deri në mbylljen e fabrikave- Shoqatat e biznesit qeverisë: Rritja e çmimit të enegjisë ka rritur kostot e prodhimit, pasojat i vuajnë qytetarët

0
88

Dhoma e Tregtisë së Tiranës dhe përfaqësues të biznesit, kanë dalë sot në një deklaratë të përbashkët, ku i kanë shtruart 9 kërkesa qeverisë, pas rritjes së kostos së prodhimit, si pasojë e rritjes së energjisë elektrike.

Përfaqësuesi i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, tha sot se nëse qeveria nuk reagon, sipërmarrja do të përgjigjet deri në mbylljen e fabrikave, apo protestave masive së bashku me punonjësit.

Jaka njoftoi se i është lënë afat qeverisë që ti ftojë në një tryezë diskutimi deri në datën 10 Mars, në të kundërt reagimi do të jetë i fuqishëm. Sipas bizneseve, rritja e kostos së prodhimit, do të sjellë efekt zinxhir në ekonomi, deri te produktet që bjenë në dorë të konsumatorëve.

Kërkesat e biznesit lidhen kryesisht me sektorin e energjisë, ku bizneset e mëdha janë detyruar që ta blejnë energjinë në bursë, disafish më shtrenjtë sesa viti që lamë pas.

“Kemi një muaj që po punojmë për këtë deklaratë, që vjen nga një ekspertizë e thelluar, ku janë përfshirë dhe ekspertë të energjisë, ne nuk shpresojmë dhe nuk e mendojmë, që të kemi një axhendë përshkallëzimi, nëse qeveria nuk kthen përgjigje.

Ne kërkojmë krijimin e një strategjie të qartë për sektorin e energjisë, ne duhet të ulemi pasi sipërmarrja ka të gjitha elementët që i nevojiten për të dhënë ekspertizën më të mirë të mundshme. Ne i kemi gati specialistët tanë, kjo është një platformë si mund të rregullohet situata. Sipërmarrja është në nivelet e fundit të durimit të saj, që nga mbyllja e fabrikave, e deri te protestat, e grumbullimet për të drejtat.

Ndryshimi i çmimit të qeverisë u bë në mënyrë tinzare, është totalisht e papërballueshme për këtë sipërmarrje të brishtë që ne kemi, sidomos pas dy pandemive, që ishte tërmeti dhe Covid. Ne kërkojmë që vendimet të dalin nga tryeza e përbashkët”, u shpreh Jaka gjatë fjalës së tij në takimin e përbashkët të biznesit.

Bizneset kërkojnë nga qeveria që të kenë mundësi reale për të rritur investimet, në sektorin e prodhimit të energjisë, si dhe duan të dinë një datë konkrete se kur do të jetë gati Bursa e Energjisë.

Sipas bizneseve, nxjerrja e tyre në treg të lirë nga qeveria po i shndërron kostot në të papërballueshme, edhe për shkak se Shqipëria kalon dy situata të vështira njëra pas tjetrës siç ishte Covid 19 dhe tërmeti.

DEKLARATA E PLOTË E SHOQATAVE TË BIZNESIT: 

Biznesi kërkon zgjidhje nga qeveria për të përballuar krizën e energjisë elektrike

Kriza e energjisë elektrike është bërë kryefjala e ditës, pjesë shumë e ndjeshme e debateve publike dhe ekonomike. Por për sipërmarrjen çdo ditë e më shumë kjo krizë po bëhet një faktor kërcënues që po e çon drejt pamundësisë dhe falimentimit.

Përballja reale me këto çmime po vë në vështirësi një pjesë të madhe të bizneseve të industrive prodhuese, të cilët edhe pse mund të arrijnë të sigurojnë energjinë,  po paguajnë një kosto të lartë për të, çka do të reflektohet tek kostoja e prodhimit e në vazhdim me efekt zinxhir te kostoja e produkteve të tregut të konsumatorëve.

Pjesa më e madhe e bizneseve në grupin që do të dalin në tregun e lirë janë në zonat e industrializuara dhe kryesisht mes Tiranës dhe Durrësit.

Kërcënohemi përballë një kolapsi ekonomik dhe social, pasi efekti që krijohet nga rritja e çmimeve tani do të jetë zinxhir me ndikim në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Bizneset e mëdha prodhuese nuk mund ta përballojnë të vetme një rritje kaq të madhe të çmimit të energjisë elektrike, jemi të pambrojtur nga këto luhatje të tregut qoftë ndërkombëtar por edhe nga tarifat e shpërndarjes që ofrohen nga tregu vendas.

Për sipërmarrjet prodhuese, shpenzimet për energjinë elektrike zënë një pjese të konsiderueshme të kostos së prodhimit të çdo produkti e cila varion nga 20-40%, në varësi të teknologjisë së instaluar që përdoret për prodhim industrial.

Për këtë arsye Dhoma  e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Shoqatat e biznesit; Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar, Qendra e Eksporteve Shqiptare, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë,  Shoqata e Konvertuesve të Plastikës, Dhoma Italiane në Shqipëri, Unioni Tregtar Agroushqimor dhe Industrial, Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit”, Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë sjellin këtë deklaratëpublike me kërkesa për qeverinë shqiptare sa më poshtë vijon: 

Të hiqet kufizimi ligjor prej 0.5 Mwi energjisë së rinovueshme për vetëkonsum dhe të lejohet në vlerë të barabartë me fuqinë e instaluar të operatorit ekonomik.

Të realizohet matja e balancës e konsumit dhe emetimit të energjisë në bazë vjetore. Energjia e emetuar nga vetë prodhuesi që përfitohet nga OSHEE, duhet të ketë njëçmim. 

Qeveria të krijojë një mekanizëm për subjektet prodhuese të industrisë ushqimore që furnizohen në tensionin 35 dhe 110 kv për të qenë në të njëjtat kushte si konsumatorët e tjerë të këtij sektori të cilët furnizohen në linjat e tensionit 6/10/20 kv, nëpërmjet furnizimit te tyre nga operatoret shtetërore ose përmes një instrumenti financiar kompensimi.

Qeveria të krijojë një instrument financiar kompensimi për subjektetprodhuese që furnizohen në tensionin 35 dhe 110 kv për të qenë në të njëjtat kushte si konsumatorët e tjerë në linjat e furnizimit 6/10/20 kv.

Të garantohen parametrat e cilësisë së furnizimit me energji elektrike/sipas standardeve të BE-se, evitimi i ndërprerjeve të shpeshta të furnizimit, veçanërisht luhatjet e tensionit të rrjetit të cilat janë mbi normat teknike të lejuara nga teknologjitë, makineritë dhepajisjet e instaluara në biznese.

Të stimulohen investimet dhe në Hidrocentrale duke përdorur potencialin e disponueshëm në vend të barabartë me 800/ 1000 Mwp.

Të deklarohet nga qeveria data se kur do të bëhet funksionale Bursa Shqiptare e Energjisë;

Investimet në prodhimin e energjive të rinovueshme për vetëkonsum, të financohen 50% me kontributin e qeverisë dhe të mbulohen financimet me kredi 100% e vlerës së investimitnga garancia sovrane;

Për zbatimin e kërkesave të mësipërme, qeveria të formalizojë ngritjen e një grupi pune në përbërje të të cilit të ketë ekspertë nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe përfaqësues të organizatave të Biznesit.

Për të gjitha këto kërkesa të ngritura nga sipërmarrësit, presim një reagim për të marrë përgjigje nga qeveria, deri në datën 10 mars 2022, përndryshe sipërmarrja private nëpërmjet përfaqësuesve të saj do të shpalosë agjendën e reagimit e cila do të bëhet e ditur në vijim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here