Sekser mediokër dhe mashtrues arrogant

0
212

Nga Kastriot Islami

1. Dikush më pyeti: Ç’është “ky”? Kush e solli? Përse e lejuat të hipte në majë? Si ka mundësi që i eliminoi të gjithë njerëzit e aftë e të mençur të këtij vendi? Përgjigja në dukje komplekse është e thjeshtë për cilindo që dëshiron ta besojë atë. Asgjë s’mund të shpjegohet me konkurrimin sipas aftësive apo vlerave, por gjithçka lidhet me ligësinë, poshtërsitë, mashtrimet tinëzare, banalitetin, arrogancën e perversitetin, që individi i mençur, i aftë, i zgjuar, thënë ndryshe “politikani normal”, asnjëherë s’i aplikon për t’u bërë i suksesshëm. “Ky” ka pasur disa “aftësi/vese”, që i afti s’i ka, ai ka qenë i gatshëm për interesat e tij meskine të pranojë rolin e “sekserit pervers” e “jesmenit atëvrasës”, duke pasur një mosmirënjohje ekstreme për cdo individ, duke shtypur gjithçka nën vete dhe lëpirë gjithcka mbi vete, të shndërrohet pa kurrfarë “vrasje të ndërgjegjes” në mik e shok i kriminelëve e trafikantëve, gjë që i afti, i mençuri, i ndershmi, normali, s’e bën në asnjë rrethanë! E tjerë. Dhe për më tepër, për qytetarët, me mashtrime tinëzare apo dhunime nga më të ndryshmet, në një vend që pranohet se i duhet “hapur rruga budallait” e s’ka vlerësimin e duhur për mençurinë e aftësinë, duket se ky “skenar” ka qenë më i lehtë për t’u zbatuar… Dhe kjo s’është hera e parë, por dyshoj se s’do të jetë as e fundit.

2. Është më se e qartë, se pavarësisht problemeve të mëdha dhe sfidave të paimagjinueshme që kalojnë vendet e ndryshme të globit, kudo në planet, në SHBA e Evropë, veçanërisht në Ballkan dhe më konkretisht te ne në Shqipëri, “notojnë” në shumicë në mjedisin politik, personazhe mediokër, politikanë ministra e deputetë injorantë, por edhe ndonjë kryeministër i tillë, fasadë, produkt pervers i medies e propagandës. Thënë ndryshe, graviteti i çështjeve të kësaj periudhe s’ka mundur të nxjerrë “burrave të mëdhenj shteti” apo “shtetarë të mëdhenj e të fuqishëm” që mund të drejtojë vendin e qytetarët e tyre me dinjitet drejt së ardhmes. Edhe kur ka pasur ndonjë potencial për të kryer këtë mision, është sulmuar nga brenda e nga jashtë për vdekje, për t’u zëvendësuar me “sekserë perversë, ushtarë jesmen, atëvrasës”, shërbëtorë të interesave antikombëtare, e të të tjerëve…!

3. Shumica mendojnë se kjo është periudha e “meshkujve manekinë” që mendojnë kryesisht për veten e pamjen e jashtme e pasurimin e tyre; që asnjëherë s’kanë mundur të zgjidhin asnjë nga hallet e mëdha të qytetarëve… Mediokriteti është tipari themelor i kësaj periudhe në shumicën e vendeve të planetit dhe ky mediokritet i shoqëruar me perversitet po rritet e shtohet sepse është vrarë parimi i meritës dhe shumica e drejtuesve politikë e jopolitikë, kudo, po përzgjidhen mbi bazën e kritereve të fasadës e orientimit pervers; pra nga “mediokriteti i formimit”, “paaftësia e veprimit” a “perversiteti i sjelljes”, me shfaqje xhestikuluese e lakuriqësi imorale, pra thjesht si etiketa për mashtrimin e publikut, e aspak nga idetë, formimi, aftësitë, eksperienca.

4. Aktorët politikë janë pothuajse kudo, mediokër në përmbajtjen e tyre, në mizoritë e tyre spektakolare, si në veshjet e shtrenjta që i demonstrojnë vënd e pa vend deri te zhurmat e tyre mediatike ashtu edhe sjelljet perverse e deri me heshtjet e tyre të çuditshme. Shfaqjet e tyre, jo rrallë lakuriqe e agresive, me foto e video, jepen kudo në media dhe rrjetet sociale, idetë e tyre “idiote” e polemikat e tyre banale qarkullojnë në facebook, tuitter, instagram, youtube, dhe së fundmi edhe në tik-tok, ndërkohë që jeta reale, varfëria, e vdekjet për arsye nga më të ndryshme janë reale dhe numërohen në dhjetëra në mbarë botën…

5. Ndërkohë, autoritarët, në shumë nga vendet e cilësuara “joliberale” bashkohen mes tyre duke përforcuar njëri tjetrin dhe duke u tallur me mediokritetin, perversitetet e paaftësinë e aktorëve politikë “gjoja-demokratë” që vetëm pozojnë, kërcënojnë verbalisht dhe s’japin zgjidhje për asnjë nga hallet e problemet e qytetarëve të cilët me të drejtë shpërthejnë herë pas here në protesta masive, deri të dhunshme. Për më tepër që mediokriteti i drejtuesve gjoja-demokratë shoqërohet pothuajse kudo me korrupsionin e pasurimin e shfrenuar të një grushti oligarkësh që së bashku me manjatët e medias programojnë të mbretërojnë sa më gjatë e në mënyrë sa më luksoze duke i vënë shkelmin në fyt qytetarëve që varfërohen në ekstrem dhe kanë filluar të urrejnë kudo politikanët që ju duken të njëjtë, duke hedhur në erë demokracinë dhe i lënë pa zgjidhje ata…

6. Parimi i imponimit i ushtruar ndaj qytetarëve gjithnjë e më të varfëruar e të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen e të ardhmen e tyre, nga “liderët e korruptuar e autoritarë” po fiton terren kudo në “botën demokratike” ku mendohet se është pranuar liria e mendimit apo mbrohen me ligj të drejtat e njeriut, por në realitet mbretëron oligarkia e autoritarizmi i një pakice. Kjo vjen kryesisht se cilësia kryesore e lidershipit është mediokriteti në formim dhe perversiteti në pamje e sjellje. Shumica e tyre keqpërdorin “demokracinë” në artikulimet e tyre publike ndërkohë që në realitet punojnë për të mbajtur me cdo mjet pushtetin me logjikën e fitimit maksimal afatshkurtër, promovimin e perversiteteve në kurriz të shkatërrimit të familjes, në goditjen e besimit në favor të vakuumit e boshllëkut të cilat qytetarët e perceptojnë si korrupsion ekonomik e politik, shkatërrimtar të besimit, të demokracisë e familjes, shkatërrimit të parimeve të zhvillimit, duke u ndjerë ndërkohë të pashpresë për të ardhmen.

7. Në vendin tonë, demokracia e pluralizmi janë në agoni për të mos thënë kanë vdekur, forcat tradicionale politike djathtas e majtas po dekompozohen, kjo me kontributin edhe të “qendrave globale” që mbështesin “xhandarë-sekserë e mediokër”, “arrogantë perversë” për të mbajtur qytetarët në hyqëm apo që të gatshëm për forcimin e pushtetit e tyre e stabilitetit fallso dhe përmbushjen e interesave të “bosëve të tyre” të përdorin dajakun e gazin paralizues kundër qytetarëve të tyre të varfëruar që i cilësojnë vënd e pa vend terroristë e antiperëndimorë. Aktorët kryesorë politikë, të të gjithë peizazhit politik duken si sekserë e manekinë të shëmtuar që iu servilosen interesave të “bosëve vendor apo të huaj” por në realitet të fiksuar pas egos së tyre personale për të cilën janë përzgjedhur dhe të udhëhequr nga injoranca mashtrojnë duke u tallur me inteligjencën e qytetarëve e dhunuar ata me arrogancë banale në çdo moment, të nxitur nga komplekset e inferioritetet, nga jeta luksoze e shkëputja nga realiteti dhe impotenca intelektuale, por edhe nga “mbështetja e pamerituar e bosëve të tyre”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here