Demokratët duke votuar lirinë, ‘strucët’ kërkojnë alibi për humbjen e radhës!

0
136

“Është e një stadi infantil të mbuluarit e syve e mospranimi i përgjegjësisë. Foltorja e paskajshme bëri që të lëviznin pllakat tektonike e demokratët të flisnin, edhe në emër të shqiptarëve të ndërgjegjshëm, mbetur prej kohësh pa një alternativë opozitare.”

Nga Irma Marku.

Prej vitesh, demokratët zienin mes tyre për një nevojë ulëritëse për kundërshti e analizë të thellë brenda vetes. Fajtor bënin drejtpërsëdrejti të ashtuquajturin lider Lulzim Bashën. Ishte pikërisht kjo shumicë demokratësh që përqafoi frymën e Foltores. U shtuan edhe më shumë ata në Kuvendin historik të 11 Dhjetorit dhe fill paskëtaj, Komisioni i Rithemelimit nisi punën me riorganizimin e bazës.

Është e një stadi tjetër rritjeje të mospriturit e një date burokratike për të shkuar drejt kutisë së votimit. Shqiptarët e kanë ndarë mendjen tashmë, që çdo datë zgjedhjesh kërkon përfaqësim. Këta përfaqësues, ata nuk i kërkojnë t’u vijnë me pako të ngjyrshme nga përtejdeti. Shqiptarët i duan dhe po i gjejnë në mes tyre, këta njerëz të thjeshtë, individë që në vazhdimësi janë treguar me integritet e moral shoqëror të pacënuar.

Është tërësisht absurde të mendosh se shqiptarët do të shkojnë të votojnë nisur vetëm nga afeksioni apo bindja e verbër. Ta bësh këtë me vetëdije pastaj është fyese, për të mos thënë kriminale.

Mbetur pa numra, një pjesë thellësisht minore edhe në formim po kërkon fshehur pas gishtit të fajësojë njerëzit që po i zhvlerësojnë e po u heqin karriget, pikërisht këta individë, që në ekzekutim vertikal i përjashtuan, duke u vetgënjyer se nën protektoratin e ndonjë ambasadori nuk do t’u duheshin më dhe ofiqet do t’i fitonin me marrëveshje drekash e zyrash të mbyllura.

Në vend që të uleshin e të kërkonin një zgjidhje mes llojit, në mënyrë idioteske këta vrapuan të peshkonin individë, në abuzim të hapur me situata ekonomike mjerane e marrëdhënie ndërnjerëzore .

Këto pengje përdëllimi personal, në një vetvlerësim egocentrik, janë kthyer tashmë në kamikazë të shpresës së përtërirë të demokratëve e të shqiptarëve e nuk po e kuptojnë ende se demokratët e kanë ndarë mendjen ta shpëtojnë demokracinë e këtij vendi e të shpëtojnë fatin e fëmijëve të tyre. Andaj, më e pakta që munden të bëjnë është të bëjnë mënjanë e t’i lënë demokratët të vendosin vetë përmes një gare të vërtetë e të ndershme, duke u lënë hapësirë të gjithëve e vetes për përballje. Vetëm kështu munden të bëjnë të besueshme tezën e dashurisë për anëtarësinë e bazën.

Institucion i pakundërshtueshëm është njeriu dhe e drejta si nocion, asnjë masiv inert apo letër burokratike. Pa kuptuar këtë, do të jetë shumë vonë për ta. Ndërsa demokratët e kanë ndarë mendjen të vazhdojnë duke e konceptuar dhe votuar “Lirinë”, strucët kokëzhytur vrapojnë të gjejnë alibi për humbjen e radhës, që në këtë rast do të jetë vetëm e tyrja!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here