Presidenti Meta: Mandatet u dogjën për të lehtësuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Lidershipi opozitar tradhëtoi të gjithë popullin shqiptar

0
86

 Pyetje: Jeni kritikuar për gjuhën e përdorur gjatë fushatës, për përdorimin e epiteteve që tashmë janë bërë edhe batuta shpesh si përdorimi i sfurqeve. A mendoni se e keni dëmtuar në fakt opozitën duke përdorur këtë lloje gjuhe në fushat, apo opozita kishte të pamundur të fitonte?

Presidenti Meta: Nuk ka gjë më absurde se kjo dhe të gjithë ata të cilët duan të justifikojnë kapjen e tyre nga kryeministri aktual përmes shpikjeve  të tilla.  Do ta kuptojnë shumë shpejt brenda një viti se kush është pesha e tyre reale, në shoqërinë shqiptare, në raport me qytetarët shqiptarë.

Pa këtë qëndresë të Presidentit në përpjekjen e maxhorancës për të kapur çdo institucion, për të frikësuar dhe intimiduar çdo qytetar të Shqipërisë, opozita absolutisht që do të kishte arritur një rezultat katastrofë, edhe pse ky që arriti i tillë ishte.

Pyetje: Zoti President, u shprehët dhe pak më përpara që mezi po prisni 24 korrikun….!

Presidenti Meta: Pas zgjedhjeve të 25 prillit, unë kisha një plan tjetër, ndoshta, për një mandat të dytë të Presidentit dhe më pas të largohesha nga politika, t’i hyja një karriere të re, asaj të diplomacisë..

Pyetje: Doni një mandat të dytë Presidencial të zgjedhur nga populli, apo nga Parlamenti me një maxhoranc tjetër? Sepse keni kërkuar dhe një ligj organik që të përcaktonte qartë kompetencat e Presidentit të Republikës.

Presidenti Meta: Unë kam qenë në çdo moment i gatshëm të votohesha nga populli edhe përpara, edhe përpara 3 vitesh kur u krijua kriza e djegies së mandateve dhe kriza e zgjedhjeve lokale. Unë kam thënë se e vetmja zgjidhje është vota, madje edhe për Presidentin. Unë nuk kam asnjë shqetësim sepse unë respektoj  votën e sovranit.

Planet e mia ndryshuan sepse këtu themelet e Republikës janë goditur shumë rëndë. Këtu nuk është çështja për të bërë një ndryshim në Institucionin e Kreut të Shtetit. Por, këtu duhet bërë një ndryshim nga themelet.

Pyetje: Ju, keni thënë që mbas 25 prillit vendi im mbetet në politikë, nëse mund të shprehemi kështu. Po ashtu keni thënë  që do të jem President deri në 24 korrik. Duket që jeni përfshirë në një marrëveshje politike që tani, zoti Meta. Lëvizja Socialiste për Integrim është në bashkëpunim me ish kryeministrin Berisha…!

Presidenti Meta: Ky është një interpretim i juaji, si gazetare dhe i disa aktorëve të caktuar, nuk është shqetësimi im.

Pyetje: Atëherë, shpreheshit se përfaqësonit zërin e opozitës në kushtet e mungesës së opozitës institucionale në këtë kuptim.

Presidenti Meta: Kur?

Pyetje: Me aksionin tuaj. Ju a ka njohur dhe Komisioni i Venecias këtë meritë duke pasur parasysh që nuk kemi asnjë kontroll opozitar.

Presidenti Meta: Që të jemi koherent, kur Edi Rama më ka propozuar mua, në atë kohë opozita ishte futur në çadër.

Unë përpiqesha të bënim një marrëveshje dhe Presidentin  ta zgjidhnim nga opozita që ta fusnim atë në zgjedhje. Por zoti Rama në vitin 2017, ka thënë: Ne më të mirë se zoti Meta si kandidat për të mbrojtur të drejtat e opozitës nuk kemi ku të gjejmë.

Dhe kishte të drejtë, se unë dhe si Kryetar Parlamenti edhe pse isha në koalicion me të, i respektoja maksimalisht të drejtat e opozitës në Parlament.

Ai kishte të drejtë dhe nuk kishte asnjë arsye pse të zhgënjehej më pas.

Unë kam thënë në Parlament kur jam zgjedhur, do të vazhdoj të mbetem Ilir Meta,  ai studenti i Dhjetorit ‘90.

Kam premtuar që midis pushtetit dhe demokracisë, unë do zgjedh demokracinë. Atë që ka bërë Ilir Meta e ka bërë për demokracinë dhe pluralizmin politik.

Pyetje: Keni pasur një hezitim në atë kohë…!

Presidenti Meta: Lidershipi opozitar nuk ka tradhtuar vetëm përkrahësit e tij, por ka tradhtuar dhe pjesën tjetër të popullit shqiptar, se vërtet ai mund të jetë socialist dhe e voton. Po ai kërkon edhe  të ketë një opozitë serioze që mban në kontroll Qeverinë dhe garanton të drejtat  e çdo qytetari në një shtet të së drejtës.

Dhe jo një opozitë që largohet nga të gjitha institucionet dhe thotë e ka fajin ai për votën, ndërkohë që ti ja ke krijuar të gjitha mundësitë për të dërrmuar votën e qytetarëve shqiptarë dhe të drejtat e tyre.

Pyetje: Megjithatë, deklaratat tuaja së fundmi qartazi kanë qenë politike, zoti Meta. Shprehem këtu për deklaratat televizive duke dal nga konteksti i situatës që diskutohet në Gjykatën Kushtetuese..!

Presidenti Meta: Nëse ju më bëni pyetje politike dhe unë do të jap përgjigje politike…!

Pyetje: Padyshim dhe jeni politikan karriere.

Presidenti Meta: Politika ime në këtë institucion ka qenë mbrojtja e Kushtetutës. Ju thoni kur dikush godet Kushtetutën ju duhet të qëndroni mbi palët? Jo, unë jam me Kushtetutën gjithmonë. Mos e godit Kushtetutën që mos të përballem me ty.

Pyetje: E nisa pak më herët që mbas 25 prillit komentin për të thënë që keni një entuziazëm për t’u aktivizuar zyrtarisht në politikê, dhe duket sikur keni një strategji një vjeçare se çfarë do të bëni brenda këtij viti.

Presidenti Meta: Unë kisha plane të qarta. Do të filloja karrierë diplomatike, mendoja Ambasador në Kopenhagë, ose Ambasador në Suedi. Ndoshta dhe në Norvegji në qoftë se  do të hapej një ambasadë për shkak të marrëdhënieve që ne kemi gjithnjë në rritje me Norvegjinë. Sepse kuptohet në rast se do të bëja dhe një mandat të dytë në moshën 58 vjeç, përsëri edhe për shkak te ligjeve të pensionit, duhet të punosh. Ishte një karrierë të cilën do ta kisha zhvilluar me shumë dëshirë, pas dashurisë dhe adhurimit që kam për këto vende.

Por edhe për shkak dhe të lidhjeve shumë të forta që kam pasur me to, që kur kam qenë me rininë Euro-Socialiste, dhe për shkak të miqësive të forta që kam edhe sot atje, me pothuajse të gjithë drejtuesit që janë në krye të qeverive në këto vende, apo në institucione shumë të rëndësishme.

Do ndiqja diplomacinë për të ndihmuar vendin, jo thjesht për të gjetur një mënyrë komode. Por, siç kanë ardhur rrethanat në vend pa dyshim që jam i detyruar të mos i shmangem përgjegjësive të mia.

Këtu është vënë në pikëpyetje demokracia, është vënë në pikëpyetje opozitarizmi, është vënë në pikëpyetje fjala e lirë sepse kërkohet t’i jepet Presidentit, edhe për çdo fjalë që ai të thotë të marrë miratimin paraprak, nuk e di nga kush.

Këtu ka mbaruar shteti i së drejtës, në kuptimin e mirëfilltë të asaj që ne kemi në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet e saj që janë të votuara në referendumin e vitit 1998.

Pyetje: Pra, ka rënë dhe reforma në drejtësi, sipas Jush?

Presidenti Meta: A ka më njeri dyshime, në këtë vend për këtë çështje?

Po pse duhet të fliste Presidenti për çështjen e votës nëse do të ishte hetuar çështja e Dibrës? A e keni parë se çfarë ka ndodhur, si u zvarrit?!

Pse do të kishte ndërhyrë Presidenti nëse do të ishin hetuar zgjedhjet e vitit 2017, nëse do të kishte vepruar drejtësia?

Pse do të ishin krijuar gjithë ato debate edhe për Gjykatën  Kushtetuese, nëse nuk do të ishin bërë ato akte të rënda të cilat i konstatoi Komisioni i Venecias dhe që Presidenti u përpoq t’i parandalonte për të mos krijuar këtë situatë absurde sot.

Pyetje: Megjithatë zoti Meta, dy momente mbaj mend nga ndryshimet kushtetuese kur u miratuan në korrikun e vitit 2016. Kur mblodhët kryetarët e grupeve parlamentare në Kryesinë e Kuvendit dhe në Parlament keni thënë do ta votojmë sot dhe do marrim një vendim si burrat. A e menduat atëherë çfarë do të prodhonte reforma në drejtësi?

Presidenti Meta: Unë i kisha vënë re të gjitha këto lojërat që po bëheshin për të minuar realisht këtë projekt, edhe për t’ia dhënë Kryeministrit përmes një loje që po bëhej me Kushtetutën, për të kapur të gjithë reformën.

Kjo ishte dhe loja për të përçarë opozitën e atëhershme, Partinë Demokratike në dy grupe.

Grupi që donte reformën dhe ai që nuk e donte  reformën, dhe ishte ndërhyrja ime dhe unë kisha mundësinë për ta zgjidhur atë çështje.

Isha dhe Kryetar Parlamenti, dhe i drejtoja vetë procedurat e isha në brendësi të çështjes.

Dhe e dyta kisha një instrument të rëndësishëm në atë kohë, që ishte grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim që ishte i domosdoshëm për bërjen e kësaj reforme. Dhe u bë ashtu siç unë vendosa dhe jo ashtu siç u përpoqën shumë aktor për ta minuar.

Çfarë ndodhi më prapa ajo dihet, u bojkotua reforma.

Ju krijua mundësia Qeverisë që të kapte të gjitha institucionet, që nga Prokurori i Përkohshëm me 69 vota, në kundërshtim me Kushtetutën që ishte me 84 vota, edhe gjithë proceset e tjera.

U dogjën mandatet gjoja në një moment se e kërkoi populli po kjo ishte e planifikuar prej kohësh që të lehtësohej kapja e Gjykatës  Kushtetuese.

Të lehtësohej kapja e gjithë reformës në drejtësi dhe njëkohësisht të miratoheshin aq shumë koncesione në një kohë aq të shkurtër ku kuptohet nuk kishte opozitë në parlament.

Intervista e Presidentit Meta për Televizionin A2 CNN

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here