Dritan Abazoviç shefi i ri i qeverisë malazeze? Ja hapi i radhës që e afron më shumë drejt arritjes historike

0
80

Në Kuvendin e Malit të Zi më 19 janar u dorëzua nisma për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë malazeze të kryeministrit, Zdravko Krivokapiq.

Për dorëzimin e kësaj nisme në procedurë parlamentare njoftoi Lëvizja Qytetare Ura e udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq.Ky i fundit perflitet si nje nga kandidatet me potencial per t’u bere kryeministri i ri i Malit te zi.

Kjo nismë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

“Kjo nismë do të tregojë nëse Qeveria aktuale e ka mbështetjen e shumicës së deputetëve, por edhe për modelin e propozuar për krijimin e një qeverie të pakicës”, tha Ura.

Më 17 janar, Lëvizja Ura dhe Lidhja Qytetare CIVIS propozuan formimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës politike disamujore.

Ata janë pjesë e koalicionit qeverisës së bashku me partinë pro-serbe, Fronti Demokratik dhe Demokratët, me të cilët fituan 41 nga 81 vendet në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020.

Inicimi i mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë vjen pas njoftimit të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Gjukanoviqit se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e Qeverisë aktuale të Malit të Zi. Ura dhe CIVIS megjithatë kanë thënë se partia e Gjukanoviqi nuk do të kishte vend në një qeveri të pakicës.

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq kundërshtoi ashpër paralajmërimin për formimin e një qeverie të pakicës, duke e cilësuar si “mashtrim” këtë nismë.

Ndërkaq, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar për mediumin malazias, Vijesti më 19 janar se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me çdo qeveri që do të formohet në mënyrë demokratike, për të mbështetur rrugën e këtij shteti në integrimet euro-atlantike.

Për të iniciuar shkarkimin e Qeverisë në Kuvend nevojiten 27 vota, ndërsa për largimin e saj duhet një shumicë prej 41 deputetësh.

Me mbështetjen e DPS-së, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Qeveria e Krivokapiqit, e cila ka një votë më shumë se sa duhet në Parlament, ka humbur mbështetjen e shumicës qeverisëse, kryesisht të partisë pro-serbe, Frontit Demokratik (DF).

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here