A ishte gazi i hedhur, spraj zjarrfikës?! Ka prova materiale? Janë ndaluar përdoruesit?

0
116
Nga Kastriot Islami 

Ka shumë pyetje/dyshime që kanë lindur gjatë ditëve të fundit lidhur me përdorimin e ‘gazit të rrezikshëm’ nga brenda selisë së PD kundër protestuesve demokratë të 8 janarit, prej 44 mijë votuesve demokratë të 18 dhjetorit 2021, që kërkonin zbatimin e ‘ratifikimit’ të vendimit të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021 për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PDSH.

Nuk ia vlen të merrem me të gjithë dyshimet, por vetëm me ato që lidhen me urdhrat e dhënë për përdorimin e ‘gazit të rrezikshëm’ të hedhur (për të cilin ka ‘prova e fakte’ të pakundërshtueshme fotografike e video, që janë parë nga të gjithë ndjekësit e këtij eventi në media, por që edhe mund të deklarohen nga dëshmitarë okularë) nga ‘individë të paautorizuar’ nga brenda selisë së PD para se të futeshin në lojë forcat e policisë, të cilat para ndërhyrjes patën deklaruar në media se ‘gazi nga brenda selisë së PD s’është hedhur nga forcat e policisë’?!

Sqarimet/përgjigjet ‘zyrtare’ do të duhet të jepen detyrimisht në mënyrë transparente nga ‘personat’ përgjegjës që ishin të ngujuar brenda selisë së PD, por edhe nga agjentët e policisë gjyqësore e të prokurorisë nëse kanë kryer hetime të sakta brenda selisë dhe kanë sekuestruar pajisjet e hedhjes së ‘gazit të rrezikshëm’. Përndryshe, e gjithë përgjegjësia, nëse nuk tregojnë të vërtetën apo e mbulojnë atë, do të binte mbi ta!

Forcat e policisë deklaruan paraprakisht se asnjë veprim para ndërhyrjes së tyre s’është kryer nga forcat e policisë, pra as hedhja e ‘materialit special’, ndonëse i) vendosja e tyre paraprake shumë pranë selisë së PD, ii) ndërhyrja e tyre vetëm pak minuta pas deklarimit të kërkesës së ‘deputetëve’ për ndërhyrjen e forcave të policisë, iii) moskryerja e veprimeve të tyre normale për evakuimin e deputetëve që iu ‘rrezikohej jeta’ (gjë për të cilën askush s’dha asnjëherë asnjë provë/fakt/deklaratë), iv) ndjekja nga forcat e policisë e protestuesve demokratë jashtë selisë së tyre e deri në rrugët e kryeqytetit, jashtë zonës së ‘rrezikut’ për jetën e deputetëve, dhe deri v) mosmarrja në hetim e personave përgjegjës për dhunën ndaj protestuesve, mos-sekuestrimi i pajisjeve për hedhjen e gazit dhe mos-arrestimi i personave që hodhën gazin e rrezikshëm mbi protestuesit, lë hapësirë për të menduar se ka pasur një koordinim të veprimeve të forcave policore me ‘grupin e deputetëve’ brenda selisë së PD?!

Me të drejtë lindin këto pyetje/dyshime të arsyeshme (më shpresë që prokuroria po heton?!):

Pyetje/dyshime: Materiali i përdorur ishte gaz i rrezikshëm apo diçka tjetër? Ku është marrë? I kujt marke është? Kur është porositur dhe kur është futur në selinë e PD? Kush e ka porositur? A janë marrë në hetim personat përgjegjës dhe përdoruesit e pajisjeve për hedhjen e gazit të rrezikshëm? A kanë ata dijeni për rrezikshmërinë e përdorimit të tyre kundër qytetarëve dhe të pasojave afatshkurtra/afatgjata të përdorimit të këtij ‘gazi të rrezikshëm’ ndaj jetës së protestuesit? A kanë dijeni ‘personat përgjegjës’ mbi përdorimin e këtij ‘gazi të rrezikshëm’ kundër protestuesve demokratë, që në realitet janë votuesit e tyre edhe në zgjedhjet partiake? A kanë parë ‘personat përgjegjës’ se cilët individë të paautorizuar e të patrajnuar po hidhnin ‘gazin e rrezikshëm’ mbi protestuesit demokratë? Po prokuroria a ka kryer hetime në këtë drejtim? Nëse po, a mundet të bëhen publike emrat e tyre?

Pyetje/dyshime: Deklarimet se ‘gazi i rrezikshëm’ ka qenë ‘shuarës i zjarrit’ dhe është hedhur nga pajisjet zjarrfikëse të ndërtesës, janë banale, të rëndomta e qesharake për shumë arsye: i) mbi të gjitha, sasia shumë e madhe e gazit duket se ka qenë e programuar sepse nuk mund të hidhet me sprajt e zjarrfikëseve një sasi aq e madhe; ii) edhe nëse pranohet gënjeshtra për spraj zjarrfikëse, ngrihet pyetja nëse personat që e kanë hedhur kanë qenë të trajnuar apo të autorizuar ta përdorin ato; iii) a janë ndaluar personat që hidhnin gazin e rrezikshëm dhe a janë sekuestruar pajisjet që ata mbanin në duar (të evidentuar qartas më media) për hedhjen e gazit; iv) cila është baza ligjore, për tu hedhur ‘gazi i rrezikshëm’ mbi protestuesit nga persona të paautorizuar qoftë edhe në rrethanat e mbrojtjes ekstreme (gjë që nuk ka pasur nevojë të ndodhë sepse deri më sot nuk ka asnjë provë për rrezikimin e jetës së ndonjë individë të ngujuar në seli; v) a janë marrë gjatë hetimeve nga prokuroria kampione për të provuar përmes analizave se për çfarë gazi bëhet fjalë dhe për të përcaktuar rrezikshmërinë e tij… Ndërkohë që dihet botërisht se edhe përdorimi i sprajt për shuarjen e zjarrit kundër protestuesve të pambrojtur, pa asnjë bazë ligjore, qoftë edhe në kushtet e mbrojtjes individuale (që në asnjë nga rastet e vëzhguara në media nuk rezulton i tillë) do të ishte i dënueshëm?!

Pyetje/dyshime: Cilët persona (me emra konkretë) e kanë hedhur gazin e rrezikshëm apo kanë përdorur sprajin për shuarjen e zjarrit? Çfarë funksionesh kanë? Prej kujt dhe kur e kanë e kanë marrë urdhrin këta individë për hedhjen e këtij gazi? Ku e kanë gjetur këta individë pajisjen? Dhe a kanë qenë të trajnuar më parë për kryerjen e këtij veprimi? Më konkretisht nëse janë përdorur ‘fikset e zjarrit’ siç pretendohet, cilët janë personat që e kanë kryer këtë veprim, dhe çfarë veprimesh janë kryer nga prokuroria në këto rrethana?

Pyetje/dyshime: Mbi çfarë bazë ligjore janë kryer të gjithë këto veprime, dhënia e urdhrit dhe hedhja e gazit të rrezikshëm mbi protestuesit, qoftë edhe sprajt zjarrfikës? Cili është ligji apo VKM që lejon hedhjen e gazit të rrezikshëm mbi protestuesit apo përdorimin e sprajt zjarrfikës mbi protestuesit? A ka pasur një urdhër specifik me shkrim për hedhjen e gazit të rrezikshëm apo përdorimin e materialit zjarrfikës mbi protestuesit dhe cili është personi që iu ka dhënë urdhrin? Nëse siç pretendohet, bëhet fjalë për ‘shuarësit e zjarrit’, kush e ka dhënë urdhrin për përdorimin e tyre? A ka kryer prokuroria hetime edhe në këtë aspekt?

Natyrisht që mund të ketë edhe shumë pyetje të tjera, por ky shkrim veçse krijon hapësirën për të menduar dhe hedhur pyetje racionale nga cilido, sidomos ekspertët, për këtë ngjarje të pazakontë, jo vetëm në Shqipëri, por që s’ka ndodhur më parë, në asnjë vend tjetër të botës, e mbi të gjitha në selinë e një partie politike… Nga krye shkrim kërkohet vetëm transparencë për publikun duke ngritur me të madhe nevojën për respektimin e shtetit ligjor që me të drejtë të gjithë qytetarët prej kohësh deklarojnë se nuk ekziston???!!!

Së fundmi, duhet pasur parasysh se hedhja e gazit/pluhurit apo edhe përdorimi i sprajt zjarrfikës nga individë që nuk janë anëtarë të rreshtuar në forcat e policisë, kundër protestuesve të pambrojtur, kudo në botën demokratike do të cilësohej akt kriminal dhe forcat e policisë apo të ruajtjes së rendit si dhe prokuroria do të duhet të vepronin duke kapur menjëherë në flagrancë ideatorët, urdhëruesit dhe përdoruesit e këtyre materialeve e pajisjeve ose të paktën duke sekuestruar në vendngjarje provat… Aq më tepër që forcat e policisë ishin paralajmëruar sipas ligjit për kryerjen e kësaj proteste nga organizatorët?! Dhe mbi të gjitha kur mund të rrezikohej jeta e protestuesve apo pasojat mund te jenë të rrezikshme për shëndetin e tyre në të ardhmen!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here