Pse vullneti i shumicës mbeti jashtë godinës së PD-së

0
99

Nga Enton ABILEKAJ

Kur “revolucioni paqësor” i Sali Berishës po derdherj si lumë i dalë nga shtrati në selinë e Partisë Demokratike, u duk se përplasja ishte e pashmangshme. Mbështetësit e të gjitha zanateve që shoqëronin “Komisionin e Rithemelimit”, mungesa e rezistencës në hyrje të PD-së po të mos ishin shoqëruar me thirrjen e Berishës për të mos e nxjerrë Bashën nga zyra mund të kishin çuar në pushtimin e selisë dhe në një proces të paparashikueshëm për pasojat.

Ndërsa Komisioni i Rithemelimit u sistemua, por nuk u rehatua dot në zyrën ngjitur me atë ku Basha po bënte mbledhje, shoqëruesit e tyre nuk mund t’i rezistonin tundimit për të vizituar çdo zyrë dhe për të lajmëruar marrjen e partisë nga Berisha. Ndërsa Basha bënte sikur nuk kishte ndodhur asgjë, i mbyllur në zyrë duke dëgjuar thirrjet kundër vetes, situatën e menaxhuan ata që shkarkuan të shtunën në Kuvend.

Pasi të paftuarit ikën, shpërthimi i Lulzim Bashës konfirmoi efektin e paevitueshëm të ngjarjes. Foli për 1997-ën duke bërë përgjegjës Berishën, ashtu si asnjë anëtar i PD-së nuk ka folur më parë, denoncoi 21 janarin si krim të Berishës, ndërkohë që deri dje nuk e mohonte bashkëautorësinë si ministër i Brendshëm.

Berisha i përshkruar nga Basha sot, ishte njësoj si ai i përshkruar më parë nga kundërshtarët e tij. Ky mund të ishte portreti më besnik që Basha i ka bërë paraardhësit të tij, por më shumë dukej i vizatuar nga duart e Edi Ramës. Shfrimi i Bashës ishte si një rrëfim, një ankesë publike për gjithë të këqijat që Berisha i ka bërë atij, me dualizmin e vendimeve dhe perceptimin e dualizmit, duke e lënë 8 vjet në hije. Ishte dhe një faturim përfundimtar i 8 – vjeçarit të dështimeve në krye të PD-së. Nuk ka më dualizëm, tha Basha, duke premtuar një të ardhme me një kryetar, një PD dhe një Kuvend.

Asnjë palë nuk do dualizëm, të dyja palët pretendojnë që janë PD. Ata të rithemelimit u mblodhën në selinë e PD-së, që të pretendojnë kontrollin e partisë. Një mbledhje jashtë selisë do t’i paraqiste si parti e re. Në pak orë ata dominuan, në provën e parë arritën të merrnin në kontroll selinë, por nga sot gjithçka mund të ndryshojë. Të shtunën rithemeluesit shkojnë drejt referendumit, ndërsa vulëmbajtësit drejt Kuvendit. Të hënën tjetër, palët do të pretendojnë secila për më shumë legjitimitet, më shumë arsye për të marrë godinën, vulën dhe siglën e Partisë, përplasja mund të jetë vendimtare, e dhunshme dhe sigurisht me pasoja.

Kush do ta shmangë këtë? Si do të zgjidhet konflikti në PD?

Mundësia e parë, verifikimi i formularëve, u asgjësua nga Basha me shpalljen e Kuvendit të 18 dhjetorit. Formularët mbetën si argument i vetëm njërës palë, ndërsa paralelja tjetër prodhoi kredencialet alternative për njerëzit që kishte nën kontroll. Mundësia e dytë që PD ta zgjidhë konfliktin pa ndërhyrjen e palëve të treta, do të ishte një administratë e fortë. Që nga protokolli që nuk ekziston, deri tek strukturat e tjera burokratike, që e njohin partinë, që mund të garantojnë për të gjtiha palët garë të barabartë dhe të përgatisin dhe certifikojnë proceset. Nuk ekziston sepse vetë Berisha nuk ishte i intersuar t’i ndërtonte me rregulla të qarta kur ishte kryetar.

PD nuk është institucion i tillë, nuk ka garantues, nuk ka zbatues vendimesh, prandaj Kuvendarët shkojnë të zbatojnë vendimet që marrin vetë, njësoj sikur deputetët të zbatojnë ligjet që miratojnë. E vetmja rrugë është që konflikti politik i PD-së të shndërrohet në një betejë ligjore, ku Gjykata, Garda dhe Policia të kenë ekskluzvitetin për tu dhënë palëve ato që u takojnë nga divorci. Varen ose jo nga Edi Rama, ky konflikt, të paktën përkohësisht do të zgjidhet nga gjykatës dhe policë ose përmbarues, fuqia politike e shumicës nuk do të jetë e vlefshme përballë procedurave, vlera e partisë më të madhe të opozitës do të bjerë me shpejtësi. Ashtu siç ndodhi sot, kur, për fat, përplasja e parë përfundoi pa incidente.

Një inciativë për t’i dhënë pushtetin anëtarësisë, popullit demokrat, supozohej ta forconte partinë, por, sistemin e rregullave dhe institucionet personale që minojnë demokracinë, i ka ndërtuar vetë Sali Berisha dhe vetë ai ia ka trashëguar Lulzim Bashës, bashkë me instruksionet e përdorimit. E vetmja risi e Bashës, ishte ndryshimi i bravave. Vullneti politik i shumicës së PD-së, u largua nga selia pa rezultat, për shkak se pushteti i pakicës është i pakufizuar dhe i pakontrolluar. Një strukturë antidemokratike, që refleftohet pastaj edhe në ndërtimin e Shtetit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here