1.5 tonë kanabis nga Shqipëria në Turqi/ Droga e sekuestruar, hibride, më e shtrenjtë se kokaina

0
118

Një sasi prej 1.5 tonësh lëndë narkotike kanabis sativa është sekuestruar nga Xhandarmëria në Turqi, ndërsa sasia e madhe e drogës ishte transportuar drejt brigjeve turke nëpërmjet detit. Mediat turke bëjnë me dije se tre persona janë arrestuar pas operacionit në lagjen “Dalaman” në provincën jugperëndimore turke të Muðla, ku u kap sasia e drogës.

Ekipet e Komandës së Xhandarmërisë së Provincës së Izmirit morën masa për informacionin se droga do të sillej në Muðla me rrugë detare nga Shqipëria. “Në operacionin e organizuar me mbështetjen e komandës së Xhandarmërisë së provincës Muðla dhe komandës së Rojës Bregdetare, u sekuestruan 1.5 tonë drogës (skunk). Në operacion janë ndaluar 3 persona të dyshuar, si dhe janë sekuestruar 3 pistoleta”, sqarojnë mediat turke, të cilat shtojnë se përveç forcave të sigurisë, në operacion është angazhuar edhe një helikopter.

Sipas një deklarate të Guvernatorit të Izmirit, hetimet e autoriteteve turke të sigurisë nisën pas informacioneve se një sasi e madhe droge ishte nisur nga Shqipëria në rrugë detare, dhe si rezultat, njësitë e inteligjencës parandaluan trafikun e sasisë së konsiderueshme të drogës. Nga ana tjetër, sipas informacioneve të marra nga burimet e sigurisë, mësohet se të dyshuarit e kanë dërguar lëndën narkotike kanabis sativa nëpërmjet një skafi dhe më pas e kanë nxjerrë në breg dhe e kanë fshehur në një zonë pyjore.

Guvernatori i Izmirit në Turqinë perëndimore njoftoi se operacioni u krye pas një hetimi të kryer nga prokurorët në provincë bazuar në informacionet e inteligjencës se kontrabandistët do të sillnin një ngarkesë të madhe droge në Turqi. Pas vëzhgimit të kryer nga trupat e xhandarmërisë të Komandës së Xhandarëve të Izmirit, forcat e sigurisë zbuluan se ngarkesa do të transportohej në një skaf në Muðla.

Autoritetet kapën të dyshuarit teksa ruanin thasët me drogë në një zonë pyjore pranë bregdetit. Pas arrestimeve, në vendin ku u zbulua droga u krye edhe numërimi i thasëve me drogë dhe peshimi i ngarkesës. Të dyshuarit u dërguan në Izmir nga ekipet e Xhandarmërisë pas përfundimit të procedurave në rajon.

Gjatë operacionit është kryer hetim edhe për kamionin që transportonte lëndë narkotike. Në një deklaratë në rrjetet sociale, ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu, tha: “Në operacionin e kryer nën koordinimin e ekipeve tona të Komandës së Xhandarmërisë dhe rojeve bregdetare në Muðla, më shumë se një ton substanca narkotike që u përpoqën ta sillnin në vendin tonë nga jashtë, u sekuestrua. Urime ekipeve tona të Xhandarmërisë dhe Rojës Bregdetare”.

Lloji i drogës së sekuestruar

Mediat turke bëjnë me dije gjithashtu se sasia e drogës së sekuestruar është një lloj kanabisi i modifikuar gjenetikisht ose hibrid i quajtur “skunk”, ndërsa popullariteti i saj në mesin e të rinjve është rritur ndjeshëm. Për shkak të aromës së fortë, ky lloj medikamenti ka zëvendësuar gradualisht lëndën narkotike të hashashit.

Midis tri llojeve të kësaj bime, sasia e sekuestruar nga autoritetet turke renditet te lënda narkotike e cilësisë së lartë. Kjo lloj bime ka nivel të lartë THC-je dhe shumë të ulët të CBD-së, çka për pasojë mund të çojë në zhvillimin e problemeve psikiatrike te përdoruesit. Kjo lloj bime ka vite që prodhohet në Shqipëri dhe rritet kryesisht në mjedis të mbyllur. Përveçse është më i fortë se kanabisi normal, droga është gjithashtu edhe më e shtrenjtë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here