Një zëvendës i Ramës në përgjimet italiane/ Pse Salianji nxitoi të shënjestrojë Braçen?!

0
1437

Që nga dita e parë e këtij sezoni parlamentar, me shfaqjen tetatrale të grisjes në grup të fletëve të votimit me rastin e zgjedhjes së Lindita Nikolla kryetare Kuvendi dhe në çdo seancë pasardhëse të radhës, opozita e Lulzim Bashës, ka bërë çdo akrobaci të mundshme për tu dukur “e egër” dhe “e pa-kompromis” me pushtetin e Edi Ramës.

Njësoj si produkti i çdo gjëje që është false, edhe ky radikalizim i shtirur i Bashës me kompani në parlament, ka prodhuar vetëm të qeshura dhe Meme në rrjetet sociale.

Kjo sepse e kanë “të shkruar në ballë” që aktrojnë përpara kamerave duke simulua skena “lufte” (të cilës e “ndez” edhe më shumë tangoja Rama-Basha), ndërkohë nga ana tjetër së bashku po çojnë përpara axhendën e marrëveshjeve të fshehta dhe të hapura.

Në vazhdën e këtij tetari ndodhi dje edhe “përplasja” mes bashistit “të egër” Ervin Salianji dhe “kones” (siç e etiketoi) Erion Braçes.

Pa pritur dhe në mënyrë imponuese ndërkohë që Braçe largohej nga salla plenare, Salianji i plasi “akuzën bombë”:

Ti je Zëvendës/Kryeministri që del në përgjimet e antimafies italiane për çështje e Rezar Taçit, i cili së bashku me eksponentë të Ndragheta po tentonte të pastronte 18 milion euro nëpërmjet një banke në vendin tonë.

Salianji për t’i dhënë edhe më shumë dramaticitet situatës dhe për të treguar se opozita bashiste në parlament, lufton jo vetëm me denoncime të rënda kundër “regjimit Rama” por edhe me grushta, u lëshua me vrap për të bërë copë-copë Braçen.

Natyrisht që kjo nuk ndodhi sepse ndërkohë që Salianji me ecjen e tij “sportive” i afrohej ish-zëvendës-kryeministrit, çunat e Gardës e ndaluan pa ndonjë sforcim.
Kjo ishte flluska, por le të kthehemi te thelbi.

Salianji përmendi një pasazh nga përgjimet italiane, por pa cituar korrekt dhe në mënyrë integrale.

Ja çfarë thuhet në transkriptin e atij përgjimi;

“Më 18 tetor 2021, Petruzzella, duke folur me partneren e tij, i tregon që është akoma optimist për situatën pasi bashkëpunëtorët e tij kishin “arritur deri tek kryeministri”, dhe se nuk rezultonte që llogaria tek “X… Bank” të ishte sekuestruar. Megjithatë ai thotë se ishte e nevojshme të bëhej një lëvizje “si fillim i zhdukim, pastaj i kalojmë për në Hong Kong, ose diku tjetër”.

Por në të njëjtin fashikull saktësohet se nuk bëhet fjalë për “kryeminstrin”, por për Zëvendës/ Kryeministrin.

“Në vazhdimësi të bisedës kuptohet që Rezart Taçi nuk ka futur në lojë kryeministrin, por zv/kryeministrin, nga i cili pritej rikonfirmimin për veprimin, në mënyrë që të zhbllokohej fondi i Zummo-s”, saktësojnë hetuesit italianë.

E vërteta është se Rezar Taçi sipas hetuesve italianë kishte marrë garanci nga “Zëvendës/ Kryeministri” se ai do ti shtynte mandatin drejtorit të Drejtorisë së Pastrimit të Parave, në këmbim të mos sekuestrimit dhe më pas të zhbllokimit të shumës së ngrirë në bankë, pas transferimit që ishte bërë nga Zvicra.

Duket se deputeti Ervin Salianji e ka lexuar këtë pjesë të fashikullit përpara se të hynte në seancën e djeshme, por nuk e citoi korrekt.

Biseda e Petruzzellës ku del një zëvendës i kryeministrit Edi Rama është kryer në 18 tetor të këtij viti, kur Braçe kishte kohë që kishte përmbysur karrigen e postit dhe gjithë zyrën dhe në vend të tij ishte zyrtarizuar Arben Ahmetaj.

Këtë fakt e pohoi edhe vetë Erion Braçe menjëherë pas akuzave, duke deklaruar se bëhet fjalë “për dikë tjetër”.

Ndoshta premtimi për Taçin nga Zëvendës/ Kryeministri ende pa emër, është marrë përpara datës 18 tetor, në një kohë që në atë detyrë ka qenë Braçe, por këtë e zgjidh hetimi i SPAK dhe jo Salianji.

Ajo që dimë deri më tani është se Braçe thotë që nuk jam unë, kurse Arben Ahmetaj vetëm ka heshtur.

Heshti Ahmetaj por foli Salianji, duke e bërë si shënjestër dhe fakt të kryer emrin e Erion Braçes.

Do të ishte më korrekte që Salianji të nxirrte emrat e të dyve dhe ti bënte thirrje SPAK, që ta ndante me një hetim serioz këtë “mister”.

Gjithsesi se përse Salianji ka gjasa që dje në parlament të ketë “ngatërruar shënjestër”, mund të thotë shumë edhe kjo fotografi “intime” ku shfaqet ai me Arben Ahmetaj, të cilën mund ta shihni më poshtë…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here