Bujar Nishani: Berisha ka bazën me vete, ka të drejtën të marrë kryesimin e PD!

0
142

Ish-Presidenti Bujar Nishani, u shpreh në “Intervistë” me Merita Haklajn në VOA, se nëse Sali Berisha ka fuqinë për të larguar kreun aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, ka të drejtë të konkurrojë për të marrë drejtimin e partisë.

“Duhet të jemi realistë. Ai person që ka fuqinë të imponojë largimin e kryetarit aktual përmes aktivizimit të bazës, do të thotë që e ka ai bazën me vete. Në këtë rast, ky person e ka emrin Sali Berisha. Në momentin që verifikohet që shumica e bazës e mbështet zotin Berisha për të larguar zotin Basha, do të thotë që ky njeri e ka partinë me vete. Dhe përderisa e ka me vete, ky njeri ka të drejtë të konkurrojë për të marrë zyrtarisht drejtimin e partisë”, deklaroi Nishani.

Kur u pyet se sa e barabartë mund të jetë një garë ku në të është edhe Sali Berisha, Nishani u përgjigj: “Rëndësi ka që gara të jetë me rregulla të barabarta, që të gjithë t’i pranojnë rregullat, që të jetë transparente dhe infrastruktura të jetë e barabartë për të gjithë kandidatët”.

Në rastin hipotetik të marrjes së partisë nga Sali Berisha, person i shpallur “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Nishani theksoi: “Ky është një problem, por unë vë në balancë disa interesa më të mëdha. Për mua, më shumë interes ka kurimi i PD-së si entitet politik. Sot nuk ekziston opozita në Shqipëri. Nëse më pyesin nëse do të pranoj unë asgjësimin e opozitës dhe rrjedhimisht të cenoj rëndë garancitë e lirive dhe të drejtave të njeriut, apo të më shqetësojë një raport i caktuar i një individi, mua më intereson më shumë ekzistenca e opozitës në vend.

E dyta, kur e rregullojmë opozitën dhe e kthejmë në funksion, unë shoh dy interesa të tjera: interesin e PD-së apo të vendit. Aty anoj te interesi i vendit. Janë procese që zgjidhen hap pas hapi dhe këto zgjidhen me vullnetin e mirë të njerëzve”.

Pyetjes se pse nuk mundi Partia Demokratike të krijojë në këto 8 vite një figurë të besueshme që të mos pritej ende nga Sali Berisha për lëvizje dhe ndryshim, ish-presidenti Bujar Nishani thotë se, kjo varet nga besueshmëria dhe integriteti.

Në intervistën me Merita Haklajn, ai tregon kontrastin mes dy liderëve Berishës dhe Bashës.

“Qoftë mungesa e prodhimit të një lideri të ri me të njëjtën forcë që ka ende Berisha, është problematikë që i takon PD dhe faji nuk mund t’i mbetet Sali Berishës. Pse shoqëria nuk prodhon forca të tjera që të kenë këtë mbështetje elektorale që ka PS e PD është faji i shoqërisë. Ti nuk mund t’ i imponohesh “fake” shoqërisë dhe as partisë si një lider i ri. Fakti që Berisha ka arritur të ruajë këto kreditë ka këto kanë të bëjnë me integritetin dhe kredibilitetin e tij personal, për shkak të lidhjeve dhe raporteve korrekte dhe një kontrasti të madh që ka mes Berishës dhe Bashës në çështjen e besimit. Besimi është fondamental në politikë. Nëse një grupim i caktuar ka besueshmëri minimale ndaj teje e misionit tënd, integritetin e aftësitë e tua nuk të vjen pas. Kur ka një dozë besueshmërie në momente kyçe reagon dhe të vjen pas. Kjo është ajo që ndodh sot me Berishën dhe Bashën”.

Sipas Nishanit për këtë arsye po kërkohet edhe një lëvizje në PD për të ndryshuar ujërat politikë përmes forumeve, pasi deri më tani Kryesia e Këshilli nuk ka treguar fuqi e kompetencë për të realizuar një proces të tillë dhe i mbetet anëtarësisë që ka vetëm një forum që është Kuvendi Kombëtar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here