Besimi i shqiptarëve tek reforma në drejtësi pesë vite pas miratimit të saj ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Ndonëse ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë vazhdojnë ta shesin si një histori suksesi e nga ana tjetër mazhoranca qeverisëse e mban si ‘kalë beteje’ përballë sulmeve të kundërshtarit politik, rezultatet e një sondazhi të kryer së fundmi kanë zbuluar të dhëna tronditëse lidhur me besueshmërinë e shqiptarëve ndaj reformës. Kujtojmë se kur u tha se do të ndërmerrej reforma në drejtësi, besueshmëria e saj ishte në masën 92 %. Ndërsa sot, pasi ajo është vënë në zbatim në atë formë dhe mënyrë që ka qenë e qartë për ë gjithë shqiptarë, besueshmëria ka shkuar në nivele të skajshme. Kështu një sondazh i MRB dhe Data Centrum për Euroneës Albania i bërë publik në emisionin “Barometri” të së enjtes në mbrëmje tregoi se një në katër persona të pyetur në sondazh mendojnë se reforma ka shkuar keq dhe një në dhjetë mendojnë se ajo ka shkuar shumë keq. Në total më shumë se një e treta e shqiptarëve mendojnë që ajo ka shkuar keq ose shumë keq. Ndërkohë, që thuajse asnjë shqiptar nuk mendon se ajo ka shkuar shumë mirë (0,8%) dhe më pak se çereku mendojnë se ka shkuar mire.
Largimi i magjistratëve të korruptuar ishte një nga qëllimet kryesore të reformës, ku deri më tani janë rivlerësuar 455 gjyqtarë e prokurorë dhe rreth 170 janë shkarkuar nga detyra. Megjithatë thuajse një e treta e qytetarëve tashmë kanë humbur besimin se sistemi do çlirohet nga korrupsioni. Më pesimistë janë qytetarët në lidhje me fundin e pandëshkueshmërisë së politikanëve. Ata janë të ndarë thuajse në mes në lidhje me besimin e nxjerrjes së politikanëve para drejtësisë.
Më pak se gjysma e tyre besojnë se drejtësia do të dënojë politikanët e korruptuar, dhe pothuajse po aq besojnë kjo gjë nuk do të ndodhë
E gjithë kjo mungesë besimi vjen nga fakti se pesë vite nga miratimi unanim në Parlament, nuk ka drejtësi për “peshqit e mëdhenj” dhe nuk ka zyrtarë të lartë para drejtësisë. Qytetarët kanë parë me sytë e tyre se si një institucioni i ngritur me shumë bujë si SPAK nuk ka mundur të hetojë krime të faktuara si vjedhja e votës apo korrupsioni i qeverisë me koncesionet dhe tenderat.