“Foltoret”, si garancia e vetme për demokratizimin e PD

0
100

Nga Gjergji Koja

Prej 16 shtatorit kur ish-Kryeministri Sali Berisha nisi “katarsisin” në Partinë Demokratike nën emërtimin “Foltoret” e gjithë vëmendja është spostuar në zhvillimet brenda partisë më të madhe opozitare.

Disa e trajtojnë si një lëvizje të ndërmarrë nga Berisha për interesa të ngushta, disa të tjerë si një ndëshkim ndaj “tradhëtisë” së Lulzim Bashës me vendimin për përjashtimin e ish-Kryeministrit nga Grupi Parlamentar, apo si një tentativë për rikthimin e liderit historik në krye të PD.

Në fakt kush e njeh Partinë Demokratike dhe zhvillimet brenda saj, kjo është hera e parë në historinë e kësaj partie, kur Berisha ndodhet në rolin e politikanit të përzënë apo të larguar dhe që i duhet të fitojë një terren, që më shumë për fajin e Bashës, se sa meritën e tij, po e rimerr në bazën e demokratëve.

Përtej çdo deklarate, përplasjeje, akuze, apo aksioni politik qoftë edhe për largimin e Bashës nga kreu i PD, Berisha, ndoshta pa dashjen e tij, po i bën kësaj partie atë që duhej të kishte ndodhur të paktën dy dekada më parë, demokratizimin, rënien e mitit se Kryetari është i pakritikueshëm apo se ai mund të mbajë një zyrë në selinë e partisë meqë ka një vulë në xhep.

Për herë të parë, Berisha ka pohuar publikisht në turin e Foltoreve, se në PD duhet të ketë fraksione, që do të thotë pakica nuk do të jetë më e përjashtuar, sikundër ka ndodhur rëndom në 30 vjet. Fraksioni është përfaqësim i mendimit ndryshe në Forumet drejtuese, bazuar në mbështetjen që ka në anëtarësinë e partisë, gjë që konsiderohej dhe ndoshta vijon të konsiderohet si tabu në rradhët e demokratëve. Dhe premtimi i dytë publik i Berishës janë primaret, pra përballja e kandidatëve direkt me ata anëtarët, që mbajnë edhe peshën kryesore të fushatave, dhe që deri më sot janë trajtuar thjesht si një ushtri, që ka për detyrë të pranojë çdo emër që i shkon nga Kryetari, qoftë si kandidat për deputet, qoftë si kandidat për Kryebashkiak.

Rreth 20 vjet më parë, idenë e fraksioneve në PD e hodhi ish-Kryeministri Aleksandër Meksi, që në një platformë të prezantuar në atë kohë prej tij, përfshiheshin zgjedhjet sipas “parimit 1 anëtar, 1 votë”, institucionalizimi i mendimit ndryshe, përfaqësimi i pakicës në forume dhe vendimmarrje, etj. Nga propozimet e prezantuara nga Meksi në Kuvendin e 7 Kombëtar të PD, në dhjetor 2001, vetëm njëri nisi të zbatohej, zgjedhja përmes parimit “1 anëtar, 1 votë”, por edhe ky u aplikua i deformuar, në vitin 2013 dhe më pas në 2017 dhe 2021.

Madje aq i deformuar u aplikua, sa sot vështirë të thuash se sa anëtarë aktivë, me të drejtë vote ka Partia Demokratike, pasi listat e anëtarësisë i ka në dispozicion vetëm Kryetari në detyrë, që herë i shton dhe herë i pakëson me një të rënë të lapsit.

Në 2013, kur edhe u aplikua për herë të parë, procesi u deformua në çdo hallkë të tij, nga ndërhyrjet, preferencat, mbyllja e syve ndaj njërit kandidat dhe vendosja në lupë e çdo lëvizjeje të kandidatit tjetër. Një garë e paravendosur, ndërsa parimi i aplikuar shërbeu thjesht e vetëm për t´i hedhur hi një procesi të brendshëm zgjedhor.

Ndoshta ky është momenti që shpjegon edhe faktin pse zhvillimet e mëvonshme në PD në vend që të demokratizonin partinë, e ngurtësuan atë, vijoi e njëjta procedurë dhe mentalitet me largime e përjashtime, ku kryetari shmangte vendimmarrjen në forume dhe instaloi frymën e faktit të kryer.

Askush nuk e pengoi Lulzim Bashën nga 2013 e këtej që të demokratizonte Partinë Demokratike, që të pranonte mendimin ndryshe, që të krijonte një fytyrë dhe imazh të ri në partinë që e mori si “dhuratë”.

Në fakt e gjithë metoda që ai aplikoi, ndoshta edhe me miratimin në heshtje nga Berisha, ishte një kopje e asaj që kishte aplikuar më parë Edi Rama në Partinë Socialiste. As më pak e as më shumë, Basha zgjodhi Elisat, Saimirët, Erjonët e Partisë Demokratike, në petkun e figurave të reja, që do të zëvendësonin “armiqtë” e brendshëm të Kryetarit.

LEXO EDHE  Plagosja në Kurbin, pas dajës arrestohet edhe nipi

Ndoshta eci me konceptin e një KOP-i të ri, ashtu sikundër vetë, u kuoptua në kupolën e Partisë Demokratike në periudhën 2004- 2005, duke marrë si të mirëqënë se kjo ishte rruga e duhur, edhe pse si atëherë edhe më pas, asnjë nga të kuoptuarit nuk iu nënshtrua një votimi real për strukturat drejtuese.

Teza e dytë e artikuluar nga Berisha, ajo mbi primaret, u tentua të aplikohej nga Basha për zgjedhjen e kandidatëve për deputet, por u zgjodh modeli më i shëmtuar i mundshëm. Të aplikosh një model me votë përjashtuese dhe të mos lejosh kandidatët të përballen mes tyre, si një mënyrë për të shmangur përballjet, do të thotë se ke frikë nga debati. Basha ndoshta tentoi të ruante unitetin e partisë me formulën e zgjedhur, por dukej se kishte harruar faktin se drejtonte një parti ndoshta jo tërësisht të djathtë, por më afër qendrës së djathtë. Uniteti është tipar i së majtës, ndërsa të djathtët janë njerëzit e lirë, gjë që nuk u kuptua asnjëherë.

Çfarë e keqe do ti vinte PD sikundër kandidatët për deputet në x qark, sa do të ishte numri, do të përballeshin mes tyre me ide, programe, platforma, apo qoftë edhe me akuza? Asnjë e keqe. Shikoni garën e brendshme që zhvillohet në SHBA në rradhët e demokratëve apo republikanëve, për të zgjedhur kandidatët respektivë për postin Presidencial. Dalin në përballje shtet më shtet, përpara tyre qëndrojnë anëtarët e konventave, akuzojnë, shahen dhe tallin njëri-tjetrin, sepse kjo është demokracia, ky është modeli që ai anëtari ndjehet se ka një peshë dhe nuk është thjesht një ushtar që është i detyruar të zbatojë urdhërin e kapterit, që urdhërohet nga një kapter i një rangu më të lartë.   Dhe ky modeli i aplikuar në SHBA, ka një të mirë të madhe, pasi nxjerr nga gara të shantazhueshmit, ata që nuk mbajnë dot presionin.

Nëse në PD do të ekzistonin fraksionet, vetëm në këto vitet e fundit do të shmangej krijimi i të paktën 3 partive nga deputetë apo ish-drejtues të Partisë Demokratike, që kur i binden Kryetarit janë figura të shquara, ndërsa kur e kundërshtojnë, janë të shitur e të blerë, armiq e tradhëtarë.

Asnjë e keqe nuk do ti vinte PD si formacion politik nëse do të kishte debate, përplasje idesh, mendimesh, rryma nga më ekstremet te ato të moderuarat. A po, e keqja nëse mund të cilësohet e tillë, do të kishte të bënte vetëm me faktin se ajo vula e partisë, nuk do të mund të tregohej si një çekiç që mund të ndëshkojë këdo me përjashtim, vetëm se nuk pranon idenë e dikujt që rastësisht ose jo ndodhet i ulur në karrigen e  Kryetarit, që partinë e trajton si një pronë të trashëguar dhe njerëzit si dele të vathës ku ai është bariu.

Dhe për t´iu kthyer Foltoreve, edhe sikur vetë Berisha të marrë drejtimin e PD, pas Kuvendit Kombëtar të Jashtëzakonshëm, ai do e ketë shumë të vështirë që të kontrollojë tashmë çdo qelizë të partisë, sikundër ka ndodhur deri pak muaj më parë, pavarësisht emrit të Kryetarit. Me apo pa dëshirë, ai zgjoi makinerinë e bazës së PD, dhe vështirë se do arrijë ti përgjumë sërisht. Dhe sot apo nesër, do e ketë të vështirë që t’i imponohet anëtarësisë së partisë të zgjedhë emrin që ai dëshiron për të drejtuar PD.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here