Studimi: Mbështetja e Pentagonit tek kontraktorët dëmtoi SHBA-në në luftërat pas 11 shtatorit

0
71

Një studim i publikuar të hënën tregon se gati gjysma e 14 trilionë dollarëve të shpenzuar nga Pentagoni që nga 11 shtatori kanë shkuar për kontraktorët e korporatave fitimprurëse të mbrojtjes. Është ky studimi i fundit që argumenton se mbështetja e Shteteve të Bashkuara tek korporatat private për angazhime në zona të luftës, të cilat dikur kryheshin nga trupat ushtarake, kontribuan në dështimin e misionit në Afganistan.

Në luftërat e zhvilluara pas 11 shtatorit, korporatat amerikane të kontraktuara nga Departamenti i Mbrojtjes jo vetëm që u morën me logjistikën e veprimeve të tilla si funizimet me karburant apo ushqime, por kryen detyra të rëndësishme të misionit si trajnimet dhe pajisjen e forcave afgane të sigurisë që u rrëzuan pasi talebanët përparuan në Kabul.

Brenda disa javësh, dhe para se ushtria amerikane të përfundonte tërheqjen e saj nga Afganistani, talebanët shkatërruan lehtësisht një qeveri dhe ushtri afgane për të cilat amerikanët kishin shpenzuar 20 vjet dhe miliarda dollarë për t’i ngritur. Presidenti Joe Biden fajësoi plotësisht vetë afganët. “Ne u dhamë atyre çdo shans”, tha ai muajin e kaluar. “Ajo që ne nuk mund t’u siguronim, ishte vullneti për të luftuar”.

Por William Hartung, autori i studimit të publikuar të hënën nga projekti ‘Kostot e Luftës’ i Universitetit Brown dhe Qendra për Politikat Ndërkombëtare, dhe ekspertë të tjerë thonë se është e rëndësishme që amerikanët të analizojnë se çfarë roli luajti mbështetja tek kontraktorët privatë në luftërat e pas 11 shtatorit. Në Afganistan, kjo përfshinte kontraktorët që thuhet se paguan para për kryetarët e fiseve dhe vetë talebanët për të siguruar mbrojtje, ndërsa Departamenti i Mbrojtjes këmbënguli që forcat ajrore afgane të pajiseshin me helikopterë të sofistikuar Blackhawk dhe avionë të tjerë që pak dinin t’i mirëmbanin, përveç kontraktorëve amerikanë.

 

 

“Nuk janë vetëm pagesat skandaloze,” tha zoti Hartung, drejtor i programit të armëve dhe sigurisë në Qendrën për Politikat Ndërkombëtare, për rastet kur mbështetja e Pentagonit tek kontraktorët ishte e gabuar. “Por fakti që kjo mbështetje minoi misionin dhe vuri trupat në rrezik është edhe më skandaloz.”

Në fillim të këtij viti, para se Presidenti Biden të fillonte tërheqjen përfundimtare amerikane, në Afganistan dhe në Irak kishte shumë më tepër kontraktorë sesa trupa amerikane.

Një studim tjetër i projektit Kostot e Luftës llogarit se Shtetet e Bashkuara patën rreth 7,000 ushtarë dhe 11,000 kontraktorë që gjetën vdekjen në të gjitha konfliktet pas 11 shtatorit.

Këshilli i Shërbimeve Profesionale, një organizatë që përfaqëson bizneset që marrin kontrata me qeverinë amerikane, citoi një shifër më të ulët të marrë nga Departamenti Amerikan i Punës ku thuhet se gati 4,000 kontraktorë federalë janë vrarë që nga viti 2001.

Një zëdhënëse vuri në dukje një deklaratë muajin e kaluar nga presidenti i organizatës, David J. Berteau: “Për gati dy dekada, kontraktorët qeveritarë kanë ofruar mbështetje të gjerë dhe thelbësore për forcat amerikane dhe aleate, për ushtrinë afgane dhe elementë të tjerë të qeverisë afgane, dhe për ndihmë humanitare dhe ekonomike të zhvillimit”.

Zyrtarët amerikanë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, përfshinë kontraktorët privatë si një pjesë thelbësore e përgjigjes ushtarake amerikane.

Kjo filloi me nënpresidentin e atëhershëm Dick Cheney, ish-drejtues ekzekutiv i kompanisë Halliburton. Halliburton mori më shumë se 30 miliardë dollarë për të ndihmuar në ngritjen dhe drejtimin e bazave ushtarake, ushqimin e trupave dhe kryerjen e punëve të tjera në Irak dhe Afganistan deri në vitin 2008, thuhet në studim. Zoti Cheney dhe kontraktorët e mbrojtjes argumentuan se mbështetja tek kontraktorët privatë për punën që anëtarët e shërbimit kishin bërë në luftërat e mëparshme do të lejonte për një prani ushtarake amerikane më të pakët në numër që do të ishte më efikase dhe me kosto më të mirë.

Deri në vitin 2010, shpenzimet e Pentagonit ishin rritur me më shumë se një të tretën, pasi Shtetet e Bashkuara zhvilluan luftëra të dyfishta në Irak dhe Afganistan. Në Amerikës e pas 11 shtatorit, politikanët u përpoqën të tregonin mbështetje për ushtrinë në një vend që ishte shumë më i ndërgjegjshëm për sigurinë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here