Policia e Ard Veliut që nuk duam!

0
159
Nga Klodiana Lala
Policia e Ard Veliut që nuk duam!
Mbase unë do ta harroj një ditë imazhin e oficerit të policisë që m’u hakërrye e më shtyu, teksa po filmoja ndalimin e padrejtë të kolegut Ergys Gjencaj, por jam e bindur se vajzat e mia jo. Mbase do ta harroj dhe imazhin e oficerit të dytë që më kapi prej krahu e më largoi disa metra tutje, si të isha një “kriminele” e po iu vija jetën në rrezik djemve muskulozë e të armatosur gjer më dhëmbë. Por e bindur jam se vajzat e mia s’do ta harrojnë. E them këtë sepse me ra si “bombë” pyetja e vajzës së madhe, e cila ende nuk ka mbushur 9 vjec: “O ma, përse të shtynë ata burrat?
U gjenda krejt rastësisht, bashkë me kolegun në një aksion policie mesditën e 27 korrikut te Varri i Bamit në Tiranë, teksa po udhëtonim nga Gjykata e Posaçme ku sapo kisha përfunduar raportimin live për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu që SPAK kërkonte rihapjen e saj duke e konsideruar atë si një nga përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit.
Nuk kisha shumë që kisha biseduar me Zamira Durdën, nënën e Edisonit 7-vjeçar që humbi jetën nga shpërthimi tragjik i fabrikës së demontimit të armëve.
Të them të vërtetën, biseda me të më trishtoi. Ajo priste e pret drejtësi. Ndjehesha pak “bosh”. Po shpejtonim për në redaksi, sic ne bëjmë çdo ditë, në kërkim të lajmit të fundit. Duke u përpjekur të jem në krah të të vërtetës, krah të pamundurve dhe në shërbim të publikut.
Mbuloj çështjet e krimit prej gati 2 dekadash. Ka kaluar kohë e gjatë, që kur kapërceva pragun e një redaksie dhe nisa rrugëtimin në gazetari. Prej atëherë kanë rrjedhur shumë ujëra, por një gjë ka mbetur e pandryshuar. PASIONI IM për gazetarinë.
Më tërhoqën vëmendjen thirrjet e dy civilëve: “Policia, hap derën”, “hap derën b..q…”. I njoha “djemtë” e Antidrogës. Pranë tyre erdhi një efektiv i forcave speciale. Po vinin dhe të tjerë. drejtuesi i mjetit refuzonte ti bindej policisë. Ai i dha gaz makinës dhe iku. Skena amatoreske dhe operacioni i dështuar u filmua nga kolegu Gjencaj. Të dy dolëm nga makina dhe ndërsa ai filmonte, unë informova redaksinë. Por, të irrituar nga dështimi, policët iu hodhën në fyt Ergysit. E shtrinë përtokë. Pa asnjë shpjegim. Pa asnjë arsye. Me arrogancë. Çfarë duhet të bëja unë? Punën e gazetarit. Filmova skenën e ndalimit të kolegut. Por arroganca vijoi.
Njëri prej tyre mu sul. Më pengoi të bëja punën time. Në ndihmë i erdhi edhe kolegu. Më larguan. Për asnjë moment nuk i kundërshtova. I informova se po mbanin të ndaluar një koleg gazetar. E së duhet të ndërprisnin çdo veprim arbitrar, sepse ai nuk kishte shkelur asnjw ligj.
E rrëfeva gjatë këtë histori, sepse sot më shumë se kurrë, i jap të drejtë vetes për çdo kritikw ndaj zyrtarëve të policies tw bwrw ndwr vite. Një kastë policie që shënon si “sukses” kanabizimin e vendit dhe shoqërimin me makinë të të shumëkërkuarit Kelmend Balili. Një Drejtor i Përgjithshëm Policie që rëndom e thërrasin Gambale, për të cilin thonë se “trafikon” informacion në TV, si propagandë për sukseset e tij imagjinare. Një kryepolic, që vartësit i arrestohen si të përfshirë në trafik droge, e del e rri kokëulur në konferencë për shtyp, se i thonë të jetë aty. Një kryepolic që bashkë me shpurën e tij u përpoq të fshihte provat për vrasjen pas shpinës të Klodian Rashës. Një kryepolic që në rastin më të mirë, mund të konsiderohet i paaftë, e në atë më të keqin …. (nuk dua të bëj etiketime).
Ndër vite kam mbuluar ngjarje të rënda kriminale dhe e kam të qartë sesi një polic ndihet kur aksioni nuk shkon mirë. Por, rasti i fundit me tregoi fytyrën e një policie, që nuk dua. Fytyrën e policëve arrogantë e të papërgjegjshëm, të lidhur me krimin, se siç thuhet edhe në operacionin e fundit iu iku nga duart një i shumëkërkuar. Po mos u zhdukën dhe ca para? Të kujt ishin? Përse kishte irritim? Ndalimi i gazetarit dhe pengimi që më bënë për të pasqyruar të vërtetën, është shenjë dështimi. Një përpjekje për të tërhequr vëmendjen.
Sot, unë nuk jam vetëm Klodiana gazetare, por jam edhe vajzë, partnere dhe nënë. Sot isha unë dhe kolegu, por nesër mund të jetë gruaja juaj, vajza apo djali juaj. Nuk është kjo policia që dua, që duam. Respektoj çdo punonjës policie. Kam njohur ndër vite, shumë djem e vajza të përkushtuar në radhët e policisë së Shtetit. nderoj ata që kanë rënë në krye të detyrës. Por refuzoj çdo respect për policët që e ndyjnë uniformën. Ndjesa e tyre nuk më vlen. Më vlen të më lënë të bëj detyrën. Mbase unë mund t’i harroj të gjitha. Por, vajzat e mia JO.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here