Prapaskenat e një ‘Non Grata’ të bujshme dhe të çuditshme!

0
116

Këtë të martë në mesditë, opinioni publik dhe politika shqiptare u trondit nga një vendim i publikuar nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken: Sali Berisha shpallet i padëshiruar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Për një figurë si Berisha që ka dominuar skenën në 30 vite pluralizëm, është normale që shumë të hidhërohen e të tjerë të gëzohen.

Përtej teorive të konspiracionit, duket se SHBA janë duke zbatuar një plan politik për spastrimin e skenës këtu në Shqipëri.

Kurbani i parë duhej i madh, ndaj steka u ngrit deri te Berisha, i cili ka një histori speciale me SHBA. Vetë ish-presidenti dhe dy herë kryeministri i Shqipërisë ka hapur një betejë ligjore në Paris kundër Blinken për të pastruar emrin nga kjo shpifje, siç tha ai.

Të tjerët duhet të reflektojnë, të hapin krahun ose të presin radhën!

Kjo mandatë e çuditshme që erdhi papritur nga përtej oqeanit, por që duket se është gatuar në Tiranë, sipas analistit të njohur Tim Judah duket se nuk ka të bëjë me emrin e përveçëm të tij dhe as me mëkatet e Berishës në qeverisje.

Përse tani?!- pyet ai me habinë në gradën më të lartë!

Por është koha ajo që do të tregojë se ky sakrifikim ekstrem dhe jo transparent është një sinjal i parë, për atë që do të ndodhë.

Pushtet uniformë dhe opozitë uniforme?!

Berisha me faqen e tij gjigante në FB dhe ndikimin absolut te opozitarët e aksionit, duket se për kohët që vijnë nuk është më në modë, madje është “i rrezikshëm”.

Pa brirë është edhe moda!

Por le të zbërthejmë shkurt kontradiktën e një vendimi politik të lokomotivës së perëndimit, SHBA, me profilin properëndimor të gjithë këtyre 30 viteve të Berishës në opozitë e qeverisje.

Sali Berisha jo më kot ka qenë që në fillim të demokracisë shqiptare, një nga politikanët më të pranuar dhe të preferuar të SHBA dhe perëndimit për gjithë rajonin. Formimi i tij properëndimor u ngjiz herët dhe mundi të formëzohej, duke shfrytëzuar çdo hapësirë gjatë regjimit komunist.

Në dhjetor të vitit 1990 ai iu bashkua që në ditën e parë demonstratave të studentëve, të cilat e detyruan regjimin të lejonte vendosjen e sistemit shumëpartiak. Me krijimin e partisë së parë anti-komuniste, Partisë Demokratike, ai ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të saj dhe në shkurt të vitit 1991 u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike.

Investimi i parë i madh që iu bë opozitës së re shqiptare në atë kohë, vinte direkt nga SHBA. Ndërkohë që Berisha kishte kryer një vizitë entuziaste në Nju Jork në vitin 1991, ambasadori i parë amerikan  në Tiranë, Uilliam Rajerson, do krijonte një marrëdhënie speciale me të.

Kulmi i mbështetjes amerikane për opozitën e udhëhequr nga doktor Berisha do të ishte vizita në 21 qershor 1991 e Sekretarit Amerikan të Shtetit James Baker, në Tiranë.

Me lidershipin demokrat në tribunë dhe me dhjetëra mijëra shqiptarë që mbushën sheshin Skënderbej, u vulos marrëdhënia special e Partisë Demokratike dhe e Berishës me SHBA-të.

Që në opozitë Berisha, do të pritej nga presidenti Xhorxh Bush plaku. Kurse në vitin 1992 pasi u zgjodh president, përmes një ceremonie zyrtare nën batarenë e topave, Bush i dhuroi stilolapsin me të cilin firmosi shpalljen e Shqipërisë si shtet i privilegjuar për tregti mes dy vendeve.

Gjatë mandatit si President, ajo që bëri së pari Berisha ishte hapja me shpejtësi e Shqipërisë ndaj perëndimit. Vendi ynë u bë anëtar i Këshillit të Evropës që në vitin 1995; Berisha nënshkroi Marrëveshjen për Paqe dhe Partneritet në vitin 1993 dhe vendosi bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe vendet e BE-së.

SHBA de fakto dhe de jure, u shpall aleati Nr.1 strategjik i Shqipërisë.

Marrëdhënia strategjike SHBA-Shqipëri do të reflektonte veçanërisht me procesin e përshpejtuar për futjen e vendit në NATO. Nga viti 1992 deri në 1996 dolën dhjetëra ligje dhe u krijua infrastruktura, që vendi ynë të futej që atëherë në organizatën ushtarake të udhëhequr nga SHBA.

Në qershor 1992, Shqipëria aplikon dhe pranohet zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut. Në dhjetor 1992, shënohet vizita e parë zyrtare nga Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, në selinë e NATO-s ku takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Manfred Verner. Në 19 mars 1993, për herë të parë, viziton Shqipërinë Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Manfred Verner.

Maj 1993, Shqipëria pranohet anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut.

Pas një pauze prej 14 vitesh dhe rikthimit të Berishës si kryeministër, u bë e mundur marrja e ftesës së anëtarësimit në NATO në Samitin e Bukureshtit (2 prill 2008) dhe anëtarësimi me të drejta të plota në Samitin e Strasburg&Kehl, në 2 prill 2009, pavarësisht nga tragjedia e Gërdecit.

Edhe pasardhësi i Xhorxh Bushit të parë, demokrati Bill Klinton, do të ruante marrëdhënie speciale me Berishën. Në vitin 1995 ai e priti Presidentin Berisha në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Temë kryesore e bisedës ishte situata në ish-Jugosllavi dhe posaçërisht Kosova. Në takimin me Klinton, Presidenti Berisha e nxiti atë për më shumë vëmendje të SHBA për atë që po bënte Serbia ndaj Kosovës dhe mori garanci për këtë.

Por jo gjithmonë marrëdhëniet e Berishës me administratën amerikane, kanë qenë të lumtura.

Përplasjet e para të Berishës me ta, nisën në vitin 1995 kur Berisha shkarkoi Zef Brozin nga Gjykata e Lartë dhe refuzoi fillimisht lirimin e liderëve të minoritetit grek në Shqipëri, të arrestuar për “spiunazh”.

Në atë periudhë Berisha i rriti dozat e konfliktit pasi refuzoi të takonte Zëvendës-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Timo Uorth për të gjetur një zgjedhje të shpejtë pasi edhe lobi grek në Uashington po bënte presion të fortë.

Krisja e dytë në këto marrëdhënie lidhet me zgjedhjet e 1996-ës, kur administrata amerikane nuk pranoi rezultatin dhe dhunën e ushtruar ndaj opozitës. Situata u bë më e acaruar pas daljes së Partisë Demokratike në opozitë dhe drejtimit radikal që Berisha i bëri asaj. Ambasadorja amerikane në Tiranë në 1998-ën, Marisa Lino, dënoi hapur ngjarjet e pushtimit të institucioneve pas vrasjes së Azem Hajdarit. Kështu pasuan disa vite marrëdhëniesh të ngrira mes PD-së, Sali Berishës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deri në ndryshimin e strategjisë përpara zgjedhjeve të vitit 2005, duke u fokusuar te lufta kundër korrupsionit.

Fitorja gati plebishitare e zgjedhjeve parlamentare të 2005-ës nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj dhe zgjedhja e Sali Berishës kryeministër i vendit, riktheu marrëdhënien e dikurshme institucionale dhe të ngrohta të tij me SHBA-në. Amerika te shqiptarët kishte zënë një tjetër vend pas çlirimit të Kosovës nga NATO, me vendim të Presidentit amerikan Bill Klinton.

Në 2007-ën ndodhi ngjarja më e rëndësishme, në marrëdhëniet mbi një shekullore Shqipëri-SHBA. Për herë të parë një President amerikan do të vizitonte Tiranën, në një vizitë njëditore historike. Sali Berisha, Kryeministër i vendit ishte mikpritësi i madh, ndërsa mori mesazhin nga Presidenti Xhorxh Bush i Riu, për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Ky vendim çimentoi marrëdhëniet mes dy kombeve dhe qeverive dhe rriti edhe praninë e kompanive amerikane në Kosovë dhe në Shqipëri. Produkti më domethënës ishte ndërtimi i Rrugës së Kombit që lidh Prishtinën me Durrësin, e cila u ndërtua nga një kompani e madhe amerikane dhe u kundërshtua fort nga opozita e asaj kohe që udhëhiqej nga kryeministri aktual Edi Rama.

Edhe një ngjarje e rëndë si ajo e 21 Janarit 2011, nuk do t’i kriste përfundimisht marrëdhëniet. Madje ambasadori Arvizu e quajti Berishën në atë kohë, “burrë shteti” në mbrojtje të institucioneve dhe stabilitetit.

Kjo është historia speciale e Berishës me SHBA-të që s’e ka asnjë shqiptar deri në vitin 2013, kur ai pas daljes së PD-së në opozitë hoqi dorë nga kryesimi i saj, por jo nga aktivizmi politik dhe si deputet.

U përplas me SHBA për zgjedhjet e vitit 1996, për pushtimin e institucioneve në vitin 1998, u akuza nga Edi Rama për korrupsion me Rrugën e Kombit, ndodhi Gërdeci, 21 Janari…dhe pavarësisht të gjithave këtyre, Berisha jo vetëm që nuk u shpall asnjëherë “i padëshiruar” nga SHBA, por ngeli “special” për SHBA-të.

Atëherë çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 8 viteve të fundit, kur de fakto Berisha ka pasur vetëm “çelësat e kashtës” dhe rrjetet sociale për të denoncuar afera dhe emra që mediat dhe opozita zyrtare nuk kanë guxuar ti përmendin?!

Sabotues dhe pengues i Reformës në Drejtësi?!

Po ja çfarë thoshte “babai i saj amerikan”, Donald Lu:

“Unë kam qenë shumë krenar që gjatë tre viteve e gjysmë kam kërkuar rregullisht takime me dr. Berishën dhe ka pasur mirësinë të më lejojë të takohemi dhe t’i zhvillojmë këto diskutime. Kemi pasur disa diskutime shumë të mira mbi reformën e gjyqësorit.

Më lejoni të them se nuk ka pasur njeri që e ka mbështetur krijimin e SPAK dhe BKH më fort. Është serioz për këtë. Dhe di që pjesë e arsyes pse Partia Demokratike votoi në favor të atij ligji ishte Sali Berisha. Kështu që, po, ka qenë shumë i përfshirë në procesin e reformës së gjyqësorit”

Lufta për mbrojtjen e kufijve të Kosovës?!

Nëse SHBA e ka vendosur që ta rikthejë atë plan të gatuar nga dega e Soros në Beograd siç u vërtetua, atëherë ndoshta do t’i duhet të shpallë “Non Grata” edhe kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel dhe shumicën e popullit të Kosovës.

Po pengon Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike që të bashkë-qeverisë apo të jetë një opozitë kaluçuku, pa gjak e nerv, përball një qeverisje recediviste në vjedhjen e pasurive financiare e publike, pastrimin e parave dhe krimin në pushtet siç e thotë edhe Departamenti i Shtetit në raportet e veta?!

Është bërë pengesë për stabilokracinë, e cila momentalisht iu intereson amerikanëve në këtë rajon?!

Të gjitha këto e të tjera mund ta shpjegojnë këtë hap radikal të Departamentit të Shtetit kundër “specialit” të tyre në Ballkan për 30 vite, por derisa çdo gjë të bëhet transparente e të përfundojë padia në Paris, atëherë na ngelet vetëm të presim e të shohim!

Gjithsesi pyetja e Tim Judah mbetet:

Pse pikërisht tani?!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here