I dënuar nga Enver Hoxha/Një histori me Mykerem Janinën dhe vajzën e sulltanit

0
766

Mykerem ose Myqerem bej Janina (Stamboll, 1890 – Tiranë, 1989) ka qenë njëri prej specialistëve më të mirë shqiptarë të studimeve osmane, ku spikat përkthimi i Defterit të Sanxhakut Arnaut botuar nga historiani Halil İnalcık. Ka përkthyer gjithashtu edhe nga turqishtja moderne, duke sjellur për herë të parë autorin Azis Nesin në gjuhën shqipe.

 

Mykerem ose Myqerem bej Janina (Stamboll, 1890 – Tiranë, 1989) ka qenë njëri prej specialistëve më të mirë shqiptarë të studimeve osmane, ku spikat përkthimi i Defterit të Sanxhakut Arnaut botuar nga historiani Halil İnalcık. Ka përkthyer gjithashtu edhe nga turqishtja moderne, duke sjellur për herë të parë autorin Azis Nesin në gjuhën shqipe.

Është studiuesi, e arkivisti, Kastriot Dervishi i cili na sjell një portret të sintetizuar për këtë figurë të rrallë të kulturës. Dervishi e  nis me biografinë interesantë të këtij specialist më të mirë, duke shënuar: “Xhelal Riza Bushati ishte martuar në vitin 1907 me bijën e sulltan Abdylhamitit (1876-1945), Naimenë. Xhelali vdiq në Nisë të Francës në vitin 1938. Naimeja së bashku me një mbesë të saj Hamyde Nazy erdhën në Shqipëri pas vdekjes në bashkëshortit për t’u interesuar për pronat e lëna nga Xhelali. Dokumentet e kohës bëjnë të ditur edhe një konflikt të vitit 1941 me bujqit, të cilët iu ankuan me një letër mëkëmbësit Jacomoni. Gjatë kësaj kohe, Hamydeja u fejua me Mykerem Janinën. Të dyja përjetuan ardhjen e komunistëve të pushtet. Kishin iluzionin se mund të mbanin pronat, mbase pa e kuptuar fare se çfarë po ndodhte. Në Tiranë Hamydeja banonte në hotel “Kontinental”.

Më 23.8.1945 Naimeja vdes dhe varroset në Tiranë, besohet te varrezat e Bamit. Para se të vdiste, Naimeja kishte lënë testamentin duke ia lënë gjithë pasuritë e saj mbesës së saj. Varrimin e saj e organizoi Mykerem Janina. Në shtëpinë e tij shkruan për ngushëllime dhe morën pjesë në varrim edhe pjesëtarët e misionit ushtarak britanik, Palmer dhe Robinson. Pas varrimit ata biseduan me popullin e sidomos me Demir Alizotin.

Në tetor 1945, me ndihmën e misionit ushtarak britanik dhe UNRRA-s, princesha Hamyde u largua nga Shqipëria fillimisht në Itali e më pas për në Egjipt ku jetonin prindërit e saj të divorcuar. Në fakt atje e pa babanë për herë të parë në jetën e saj. Raportet e përshkruajnë në gjendje të keqe fizike e shpirtërore pas largimit nga Shqipëria. Edhe çështja e pasurisë ishte bërë e ndërlikuar.

George Anesley, i paraqitur si mik i princeshës Hamyde i shkruan më 1.7.1946 shefit të misionit të UNRRA-s në Shqipëri, O.Hill, duke kërkuar lirimin nga arrestimi dhe riatdhesimin e Mykerem Janinës. Anesley shkruan se Hamyde e kishte gjyshe Naimenë, por mundet që ky konstatim të jetë i pasaktë. Me shumë rëndësi paraqitej çështja e testamentit të pronave. Më 26.9.1946, Hill i kthen përgjigje letërshkruesit, në të cilën i thotë se ishte jashtë çdo mundësie për UNRRA-n të lironte e të riatdhesonte Mykerem Janinën. Ky i fundit vijoi të qëndrojë në Shqipëri, të mbarojë dënimin e parë, internimin dhe dënimin e dytë. Në foto Mykerem Janina. Nuk është tërërisht e vërtetuar që personi i fotos të jetë e fejuara e tij.”

***

Në vitet më të bukur të rinisë, teksa studionte letërsi e histori në Stamboll, mes vrulleve e pasioneve të moshës, i zhytur në botën e librave dhe i grishur drejt arteve dhe historisë, ai nuk do ta mendonte kurrë të ardhmen e tij dramatike, që e priste në atdheun e prindërve që dekada më vonë do të binte në duart e komunistëve. Një varg plagësh të atdheut do i merrte edhe ai vetë e do t’i përjetonte në moshën e tij më të vështirë.

Myqerem Janina ishte mes të 20-tave, kur jetonte mbase ditët më të bukura të jetës në Stamboll. Ai tërhiqte vëmendjen e të gjithëve me pamjen prej aristokrati, aftësitë e veçanta në komunikim, në përvetësimin e gjuhëve të huaja, pasionin për kërkimin shkencor dhe hulumtimet në fushën e osmanishtes.

Kishte lindur në vitin 1890 në Stamboll nga dy prindër që vinin nga familje aristokratësh, i ati Azmi bej Janina, historian e politikan dhe e ëma Lalinur Vrioni nga familja e madhe e Vrionëve të Beratit. Për Myqerem Janinën e ri, një prej historive që do t’i linte shenjë në jetë ishte lidhja me një prej princeshave, mbesën e Sulltan Hamitit, të cilën e kishte sjellë për të jetuar disa kohë edhe në Shqipëri. Mes xhelozive e pasionit historia e tij me princeshën do të mbyllej shpejt e aristokrati i pashëm do të vijonte jetën e tij mes Turqisë, Francës, Italisë dhe Greqisë. Në vitin 1943 ai do të linte Italinë për t’u kthyer në Shqipëri. Fundi i luftës e gjen pikërisht këtu dhe fati i tij do të ndryshonte njëherë e përgjithmonë pas vendosjes së pushtetit prej komunistëve. Arrestohet prej regjimit të ri, që në vitin 1946 me akuza për lidhje me elementë të reaksionit ndërkombëtar e të brendshëm dhe u dënua me 5 vjet burg dhe internim, së bashku me një varg të tjerë intelektualësh. Ndërkohë gjatë viteve të luftës vëllain e vogël Muamerin, në rrethana enigmatike e kishin pushkatuar forcat partizane.

Pas vuajtjes së dënimit, në vitin 1952 Myqerem Janina kthehet në Berat, i privuar nga të gjitha pronat dhe pasuria familjare. Kish mbetur krejt vetëm, duke u marrë kryesisht me lexim dhe përkthime. Pikërisht në këtë kohë, kur ai mbase mendonte se do të mund të jetonte më në fund ditë të qeta e larg trazirave, regjimi e kishte shtuar vigjilencën mbi të.

Në këtë dokument të Ministrisë së Brendshme, të datës 19 shkurt 1954, ku listoheshin një varg intelektualësh që propozoheshin për internim, renditet sërish emri i Myqerem Bej Janinës, të cilit i hartojnë edhe këtë minibiografi të stilit të “Sigurimit”, ku të dhënat nuk përkojnë me variantin e konfirmuar përmes rrëfimeve e dokumenteve të lëna nga vetë Janina.

Ja çfarë shkruhet në dokument:

“Myqerem Janina, i biri i Hazbiut dhe i Selimese, i datëlindjes 1900, lindur në Stamboll e banues në Tiranë, i shtresës së pasur (bej), i martuar me mbesën e Sulltan Hamitit në Turqi (princeshë).

Ka studiuar në universitetin e Turqisë dhe është kthyer nga Turqia më 1940. Nuk dihet funksioni i tij në Turqi. Gjatë okupacionit u lidh me Ballin Kombëtar dhe e ka ndihmuar atë moralisht dhe materialisht deri në fund.

Ka pas lidhje me Lungotenencën dhe direkt me Jakomonin me të cilin ka shkëmbyer telegrame urimi në raste festash. Mbas çlirimit qëndrimi i tij ka qenë armiqësor, ka fol kundra pushtetit duke agjituar në elementin e tij dhe ka mbajt korrespondencë të vazhdueshme me Turqinë”.

Nga dokumentet e kohës nuk jepen më, të dhëna të tjera për fatin apo aktivitetin e Janinës, ndërsa jeta e tij do të merrte një kthesë pozitive në vitin 1960.

Edhe pse nuk e priste, e thërrasin në Tiranë dhe e emërojnë si përkthyes i osmanishtes në Institutin e Historisë. Ishte 70 vjeç, e përkundër moshës së tij, ai iu vu punës dhe me kontributin e tij për 18 vite me radhë la trashëgimi për shkencën shqiptare, një pasuri të rrallë dokumentare të kësaj periudhe.

Ai përktheu një korpus të tërë prej mijëra faqesh me materiale shumë të rëndësishme të dokumentacionit osman në ndihmë të hartimit të historisë së Shqipërisë të periudhës së Mesjetës të shekujve XV-XVII. Pjesë e këtij korpusi që përktheu është dhe “Defteri ose Regjistri i Sanxhakut të Shqipërisë së viteve 1431-1432”, i përgatitur dhe i botuar nga historiani i njohur turk H. Inalçik.

Pikërisht 18 vite më vonë dhe pas gjithë kësaj pune vetëmohuese regjimi do t’i qëndronte gati për t’i hedhur hekurat edhe pse mjeshtri ishte në ditët e tij të fundit të pleqërisë.

Ishte shtatori i vitit 1978. Ai, një i moshuar 88-vjeçar do të arrestohej e burgosej sërish me akuzën absurde “agjitacion e propagandë”.

Për afro një vit do të vuante pasojat e hetuesisë, provokimet, kërcënimet dhe fyerjet e hetuesve, torturat psikologjike e fizike për ta mposhtur. Pas një procesi të tillë hetimi, një vit pas arrestimit, në moshën 89-vjeçare, Myqerem Janina nxirret në gjyq dhe dënohet për “agjitacion e propagandë”, me dëshmitarë të rremë me 8 vjet burg, për të cilat, regjimi i Hoxhës do të kujdesej që i moshuari t’i vuante deri në ditën e fundit.

Edhe pse i mplakur e i rrënuar nga burgu, Myqerem Janina do ta përqafonte sërish lirinë. Jeta do t’i falte ende, edhe për pak vite kënaqësi të vogla. Në vitin 1989, ende pa e kuptuar mirë, se atij regjimi gjakatar po i vinte fundi, në moshën 99-vjeçare Eqerem Janina mbyll sytë përgjithmonë, pa mundur ta shijojë përmbysjen e komunizmit që e mbajti mbërthyer, nën diktat, për afro gjysmë shekulli. Jeta e tij ishte si një film, me aventurat, dramat dhe shkëlqimin e rinisë pasuar me vitet ekstremisht të paimagjinueshme që përjetoi në Shqipërinë komuniste derisa vdiq. A e kishte imagjinuar vallë djaloshi i pashëm, i viteve ’20, veshur gjithë sqimë, teksa ecte rrugëve plot shkëlqim të Stambollit, një fund të tillë për jetën e tij??? Me shumë gjasa jo!

Biografia

U lind në Stamboll më 1890, i biri i Azmi bej Janinës dhe Lalinur hanëm Vrionit. I ati nga dega Janina e trungut Asllan-Pashali ka qenë historian dhe prefekt në provinca të ndryshme të perandorisë, e ëma ishte e bija e Hasan beut të Vrionasve të Beratit. Studjoi për letërsi dhe histori në kryeqytetin e perandorisë. Më 1954 u internua në kampin e Kuçit, me shumë intelektual të tjerë.Më 1960 e thirrën në Tiranë, ku u emërua përkthyes në Institutin e Historisë, ku përveç përkthimeve përgatiti dhe osmanistët e rinj si Selami Pulaha, Kristaq Prifti, Gazmend Shpuza, Petrika Thëngjilli dhe Ferid Duka si lektor i turqishtes osmane në Universitetin e Tiranës.

U dënua për së dyti në moshën 89 vjeçare shtatorin e 1978.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here