Lediana Fratari: Bëj pjesë tek idealistët që mendojnë dhe dëshirojnë ta ndryshojnë Shqipërinë

0
76

Një nga kandidatet e reja të Partisë Demokratike, Lediana Fratari thotë se ka hyrë me ideale në politikë, por është realiste për atë çfarë është sot politika shqiptare. Është e vendosur për të mos përdorur influencën e saj si deputete dhe politiken për favore korruptive, sikundër është e vendosur të mos ofrojë asnjë qindarkë për të blerë qoftë dhe një votë.

Lediana Fratari, donim ta nisnim ndryshe këtë intervistë. Një vajzë e bukur dhe e pasur, ç’doni ju në politikë, kur keni gjithëçka?

Në fakt, në forma të ndryshme, ma kanë bërë shumë këtë pyetje. Kjo ma ka përforcuar bindjen se kam bërë gjënë e duhur që kam hyrë në politikë, pasi nga kjo kam mësuar se shumë njerëz këtu mendojnë se në politikë duhet të hysh ose në se je pa punë, apo nuk di të bësh punë tjetër, ose nëse dëshiron të pasurohesh shpejt dhe në mënyrë të pandershme. Në fakt unë s’jam asnjëri nga këto raste. Por unë kam hyrë në politikë për të dhënë, e jo për të marrë.

Çfarë mendoni se mund të jepni, apo çfarë doni të jepni?

E di që mund të tingëllojë pak paradoksale, por po ju them që unë kam ideale. Kam studiuar e jetuar jashtë pjesën më të madhe të jetës time dhe jam këtu sepse dua të jap kuntributin tim për vendin tim. Kam një traditë familjare, të paktën prej 3 brezash, si atdhetarë dhe luftërarë patriotë. Dua ta vazhdoj modestisht atë rrugë dhe jam e vendosur për këtë. Më dhëmb kur shikoj sesi një vend i pasur me tokë, me male, me det, me pyje e liqene, me deill e me ujë, me naftë e minerale, është sot më i varfëri i Europës.

Bëni pjesë tek ata idealistët që thonë se duan të ndryshojnë Shqipërinë?

Po, bëj pjesë tek idealistët që mendojnë dhe dëshirojnë ta ndryshojnë Shqipërinë. Por nuk bëj pjesë tek ata që thonë se “unë do ta ndryshoj Shqipërinë”, edhe pse do të dëshiroja shumë ta bëja. Unë jam vërtet idealiste, por jam edhe shumë realiste, për atë çfarë është sot Shqipëria, pikërisht për shkak të qeverisjes së mbrapshtë. Padyshim, ky realitet nuk ndryshon as nga një individ, e as në një vit. Por unë mendoj se fillimi I mbarë është kur politikës i afrohen njerëz me ideale të pastra, njerëz që nuk hyjnë në politikë për të bërë biznes, as për të zhvatur fondet publike, por hyjnë me qëllime të mbara. Unë jam një prej tyre.

Sa mendoni se do të arrini?

Unë nuk mund të bëjë parashikime. Unë kam hyrë në politikë për këtë qëllim dhe do të bëj maksimumin tim. Sado që të arrij, edhe vetëm përpjekja mendoj se do të jetë sukses. Rëndësi ka që unë do të jem gjithmonë kryelatë dhe askush që do të më japë votën nuk do të pendohet.

Ju po thoni se do të jenë një deputete e pakurruptuar?

Po, për këtë ju siguroj. Ju siguroj, që nesër, askush nuk do të ketë ndonjë argumnent për të thënë se unë kam përdorur kartonin e deputetit apo influencën time, për të bërë biznes, dmth që kompania e familjes time të përfitojë tendera publikë në mënyrë të padrejtë. Jo kjo nuk do të ndodhë.  Nuk jam këtu për këtë qëllim. Madje e kundërta është një nga arsyet pse jam këtu, sepse mendoj se këto praktika korruptive dhe klienteliste kanë shkatërruar konkurencën në një ekonomi tregu dhe kanë kanalizuar fondet publike në 3-4 duar.

Deputet thuajse të gjithë votojnë sipas urdhërit të partisë, edhe kur janë të bindur se projektligjet mund të jenë korruptive. Kush guxon përjashtohet. Çdo të bëni ju në një situatë të tillë?

Së pari, unë shpresoj, me bindje madje, se kjo nuk do të ndodhë më qeverinë e Partisë Demokratike. Padyshim mund të ketë projektligje që do të kenë probleme, por kuvendi ndaj është që të diskutohen dhe përmirësohen dhe unë do ta bëjë këtë me shumë devotshmëri. Por nëse do të shikoj një përjekje të qëllimshme për të kaluar një ligj me qëllime korruptive, ju siguroj se nuk do ta votoj. Për këtë jam e vendosur, pavarësisht kostos që ju parashikoni.

Dhe një pyetje të fundit. Qytetarët e dinë që ju vini nga një familje sipërmarrëse, pra keni para. Ju kanë kërkuar para për votën dhe çdo të bëni nëse kjo ndodh?

Në fakt kam takuar shumë njerëz të varfër, të gjithë ankohen për kushtet e jetesës, por askush nuk më ka kërkuar para në këmbim të votës. Nëse ndodh, ju siguroj se nuk do të paguaj asnjë qindarkë. E refuzoj në mënyrë kategorike këtë lloj politike. Nëse shpirti do ma dojë të ndihmoj një familje të varfër, do ta bëj jashtë fushate, dhe pa pyetur fare se për cilën parti voton.

Image

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here