Presidenca e BE-së takon Bashën “Statusin e nuk e penguan ekstremistët evropianë”

0
113

Florenc Drizari

 

Basha: Operacioni i shëmtuar i blerjes së votës së qytetarëve në Korçë vendosi një pikëpyetje të madhe për integritetin e qeverisë

 

sequi bashaAmbasadorët e Greqisë dhe të BE-së, të akredituar në Tiranë, konfirmojnë se refuzimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, një muaj më parë, nuk erdhi si pasojë e ndikimit të ekstremistëve evropianë. Kështu të paktën mësohet të jetë shprehur diplomati grek Leonidhas Rokanas gjatë takimit që zhvilloi një ditë më parë me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Aktualisht, Presidenca e Bashkimit Evropian mbahet nga Greqia dhe në takimin e djeshëm me kryetarin e opozitës, ambasadori helen ishte i shoqëruar dhe nga diplomati i BE-së, Ettore Sequi.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e shtypit e selisë blu, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë takimit që pati me ambasadorin e Greqisë, Leonidhas Rokanas, dhe kreun e delegacionit të BE-së në Tiranë, ambasadorin Ettore Sequi, u informua për prioritetet e Presidencës greke të Bashkimit Evropian për gjashtë muajt në vijim.

Ambasadori Rokanas thuhet se siguroi kryetarin Basha se integrimi i Evropës Juglindore vijon të mbetet përparësi kryesore edhe e Presidencës greke dhe se Greqia do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në të gjithë hapat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në këtë proces, sipas përfaqësuesve, roli i Partisë Demokratike si opozita demokratike në vend mbetet jetik për procesin dhe interesat e vendit.

“Në këtë kontekst, ambasadori Rokanas rikonfirmoi qëndrimin se arsyeja e mosdhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, nuk ishin ekstremistët evropianë.

Në vijim, Basha shprehu keqardhjen e thellë që qeveria “Rama-Meta” nuk e ka kuptuar ende se me qëndrimet e saj të shkatërrimit të konsensusit demokratik, të shkeljes flagrante dhe arbitrare të kushtetutës, ligjeve e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, me goditjen e institucioneve të pavarura, dobësimin dhe politizimin e policisë dhe organeve të ruajtjes së rendit e sigurisë, presionin politik të paprecedentë ndaj drejtësisë së pavarur, zhbërjen e administratës publike dhe keqadministrimin e financave dhe ekonomisë shqiptare. Me të gjitha këto akte, kjo qeveri është përgjegjësja e vetme dhe kryesore për mosmarrjen e statusit, të cilin e kishte bërë gati Partia Demokratike”, – thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të PD-së.

Gjithashtu kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi qeveria po dëshmon mungesë të kapaciteti dhe vullneti për të marrë përsipër përgjegjësitë e procesit të integrimit.

Basha tha se pas shkatërrimit të konsensusit nga qeveria, është intensifikuar sulmi ndaj administratës publike profesioniste, me largime masive e kolektive nga puna dhe zëvendësimin me militantë politikë, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka shpallur shtyrjen e zbatimit të ligjit të nëpunësit civil, si antikushtetues.

“Operacioni i shëmtuar i blerjes së votës së qytetarëve në Korçë vendosi një pikëpyetje të madhe për integritetin e kësaj qeverie në raport me parimet demokratike”, – tha Basha.

Kreu i PD-së, vijoi duke theksuar se policia dhe organet e rendit po përjetojnë një degradim dhe uzurpim politik të paprecedentë gjatë këtyre 20 viteve, duke reflektuar drejtpërdrejt në dobësimin e rendit e sigurisë në vend dhe rritjen e kriminalitetit.

 

 

PD: E vërteta e tatimeve është turpëruese, Rama ka vetëm fjalë

Partia Demokratike akuzoi dje Kryeministrin Edi Rama për fshehjen mediatike të disa të vërtetave në lidhje me administrimin tatimor. Përfaqësues të PD-së thanë dje se fshehja e të dhënave ka qenë e qëllimshme, për faktin se ato janë turpëruese për qeverinë dhe për mënyrën se si po administrohet sistemi tatimor në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediet, deputeti i PD-së, Florion Mima, theksoi se Kryeministri Rama ka folur për rritje të të ardhurave, por të dhënat që opozita disponon, konfirmojnë se është rritur evazioni dhe janë ulur arkëtimet.

“Nuk u tha që kundër sipërmarrjes është përdorur policia për nxjerrjen e taksave duke prishur klimën e të bërit biznes dhe duke krijuar terror. Nuk u tha që është rritur borxhi ndaj biznesit. Më parë rimbursimi i TVSH-së ishte rreth 8 milionë dollarë në muaj, aktualisht ai është rreth 2.5 milionë dollarë në muaj.

Kryeministri nuk tha asnjë fjalë për ndërhyrjet e dirigjuara në sistemin kompjuterik të tatimeve dhe po ashtu nuk u tregoi tatimorëve por edhe shqiptarëve se përse veshja e zyrtarëve qenka më e rëndësishme se detyrimi ligjor i ruajtjes së të dhënave të deklaratave tatimore? Në asnjë rresht të fjalës 46-minutëshe të Kryeministrit, nuk përmendet ajo që ka ndodhur me sistemin kompjuterik tatimor dhe kjo mbetet ngjarja më e rëndë në fushën e administrimit të tatimeve në këto katër muaj. Kjo është arsyeja se përse mazhoranca e re refuzoi ngritjen e komisionit hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ne kemi arsye të besojmë se e gjitha kjo është bërë për të fshirë në mënyrë korruptive borxhet e firmave afër qeverisë”, – deklaroi Mima.

Sipas deputetit demokrat, Rama gjen kohë të flasë edhe për detajet e kontrolleve të befasishme, por asnjë moment për të shpjeguar përse 150 specialistë të Drejtorisë së Tatimeve u shkarkuan me një të rënë të lapsit dy ditë më parë dhe vendin e tyre e zunë militantët e PS-së.

 

 

 

 

 

PD mbledh grupin parlamentar për 2014-ën

 Basha: Do të vazhdojmë betejën ballore me paligjshmëritë e qeverisë

 “Opozitë të fortë, ballore, të pandashme ndaj dyshes Rama-Meta, të mbështetur në fakte, në argumente, në arsye, në shprehje të interesit publik”. Kështu i ka cilësuar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, katër muajt e kaluar të opozitarizmit demokrat në Shqipëri, ndërsa premtoi një qëndrim edhe më të ashpër ndaj krerëve të mazhorancës në raport me mbrojtjen e interesit publik. Gjatë mbledhjes së parë për këtë vit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i PD-së kishte ulur përkrah tij në tryezë aleatët e djathtë, duke theksuar se opozita do të forcojë e konsolidojë tiparet dhe vlerat parlamentare.

“Brenda katër muajve, grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe aleatët tanë demonstruan më cilësi të lartë në sallën e Kuvendit dhe në komisionet parlamentare modelin e një opozitë të fortë, ballore, të pandashme ndaj dyshes Rama-Meta, të mbështetur në fakte, në argumente, në arsye, në shprehje të interesit publik dhe vizonit tonë si parti dhe aleancë e vlerave të lirisë; një opozitë propozuese gjithashtu për aq sa ka qenë e përligjur për kohën dhe agjendën e Kuvendit në katër muajt e parë të kësaj legjislature”, – deklaroi Basha.

Duke folur për ngjarjet që pozita dhe opozita nuk kane gjetur konsus në sesionin e shkuar parlamentar, kreu i PD-së theksoi se demokratët do t’i rikthehen ndjekjes së çështjes së “manipulimit” të të dhënave në tatime.

“Do të vazhdojmë të çojmë përpara betejat politike dhe ligjore të nisura, që janë disa, por më lejoni të përmend këtu betejën e madhe që kemi nisur për të bërë transparencën e sulmit piratesk dhe banditesk të qeverisë mbi serverin e drejtorisë së përgjithshme të tatimeve, një ngjarje pa precedent, që ngre pikëpyetje dhe dyshime të rënda për qëllimet e këtij akti kriminal, të cilat jemi të vendosur t’i zbardhim për shqiptarët në kuadrin e përpjekjeve dhe synimeve tona për të luftuar korrupsionin dhe për të shpëtuar zgjedhjet nga shitblerja monstruoze e votës”, – theksoi kreu i opozitës.

Gjatë fjalës së mbajtur pra grupit parlamentar demokrat, Lulzim Basha duke folur për premtimet e pambajtura të qeverisë, tha se shqiptarët po kthejnë besimin tek Partia Demokratike. Në tërësi kreu i PD-së tha se liderët e së majtës vazhdojnë të fshihen pas premtimeve të bëra në fushatën e kaluar pa i mbajtur ato se dhe arritje e qeverisë është vetëm propagandë.

“Falë grupit tonë, falë opozitës sonë në Kuvend, asnjë mashtrim i qeverisë nuk mund të kalojë pa u demaskuar, asnjë hile e qeverisë nuk mund të kalojë pa e treguar fytyrën, asnjë tullumbace propagandistike e qeverisë nuk mund të kalojë pa u shfryrë, asnjë ligj nuk mund të dhunohet pa u  ndeshur me reagimin e fortë e të argumentuar të opozitës. Çfarë bëjnë kundërshtarët tanë përballë opozitës sonë, duke qenë se nuk përballen dot demokratikisht me ne për temat dhe çështjet korente të debatit? Ose vazhdojnë akoma dhe akoma fushatën e tyre elektorale të gënjeshtrave dhe shpifjeve, ose bëjnë strucin, ose i kënaqen pushtetit si një preje duke u arratisur e duke u mbyllur bashkë me të në papërgjegjshmërinë dhe egoizmin e tyre arbitrar e skandaloz”, – deklaroi kryetari i Partisë Demokratike.

 

Pesë minuta seancë plenare

Dule: Të arrijmë atë që nuk realizuam në fund të dhjetorit, statusin e vendit kandidat

 Kuvendi i Shqipërisë çeli dje seancën e parë plenare për vitin 2014. Edhe pse kjo mbledhje e legjislativit shqiptar ishte thjesht formale dhe zgjati për rreth pesë minuta, seanca u drejtua nga zëvendëskryetari Vangjel Duke, për faktin se kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ndodhej për një vizitë zyrtare jashtë Shqipërisë.

Në një fjalim të shkurtër, Vangjel Dule uroi që ky sesion parlamentar të thellojë frymën e konstruktivitetit dhe bashkëpunimit me të cilën nisi kjo legjislaturë parlamentare.

“Të nderuar kolegë deputetë, më lejoni së pari që t’ju uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe të shpreh urimin dhe besimin se ky sesion parlamentar do të thellojë frymën me të cilën nisëm këtë legjislaturë parlamentare: atë të konstruktivitetit dhe të bashkëpunimit, duke e shndërruar atë në një sesion të frytshëm, i cili do të jetë në gjendje nëpërmjet këtij konsensusi dhe sinergjisë së veprimeve të garantojë ato zhvillime politike në vend që do të na garantojnë të gjithëve, shoqërisë, qytetarëve, vendit atë që nuk arritëm dhjetorin e shkuar, marrjen e statusit të vendit kandidat në qershorin e vitit në vazhdim”, – tha z. Dule.

Në vijim, zëvendëskryetari i Kuvendit njoftoi për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe miratimin me konsensus të programit të punës së Kuvendit për seancë në periudhën 20 janar-28 shkurt 2014 dhe të kalendarit trejavor të punimeve për periudhën 20 janar-6 shkurt 2014.

Gjithashtu, Dule njoftoi së është dakord që ditën e mërkurë, 22 janar 2014, Konferenca e Kryetarëve të mblidhet sërish për të diskutuar kërkesën e ngritjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën administrative.

 

Meta në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut, shoqërohet nga Shehi dhe Spahiu

 Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, me ftesë të kryetarëve të dy dhomave të Parlamentit të Francës, Presidentit të Asamblesë Kombëtare Claude Bartolone dhe Presidentit të Senatit të Francës Jean-Pierre Bel, mori pjesë në punimet e sesionit VII të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut në Marsejë, Francë. Delegacioni dhqiptar kryesohet nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili shoqërohet nga deputetët Dashamir Shehi dhe Klodiana Spahiu. Asambleja Parlamentare do të diskutojë gjatë tri ditëve të punimeve të saj për prioritetet e rajonit të Mesdheut, ku në fokus do të ketë zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit në Mesdhe. Meta do të pritet nga Claude Bartolone dhe Jean Pierre Bel, si dhe nga kryetarë të tjerë të parlamenteve të Marokut, Monakos, Tunizisë dhe delegacione parlamentare të larta të të gjitha vendeve të Mesdheut.

 

Vend bosh në Gjykatën e Lartë, Presidenca nis procedurat për kandidatët

Presidenti Bujar Nishani ka nisur procedurat për plotësimin e një vendi bosh në Gjykatën e Lartë. “Në zbatim të ligjit nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, dhe në vijim të njoftimit nga kryetari i Gjykatës së Lartë mbi një vend vakant që pritet të krijohet, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, shpall fillimin e procedurave ligjore për emërimin e një anëtari të ri të Gjykatës së Lartë. Në zbatim të nenit 3 të ligjit të lartpërmendur, Presidenti i Republikës njofton publikisht, në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Republikës, fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve, duke përcaktuar dokumentacionin e nevojshëm për aplikim dhe afatin, brenda të cilit subjektet e interesuara duhet të paraqesin kërkesat”, – bëhet me dije nga Presidenca. Afati për të paraqitur kërkesat fillon ditën e mërkurë, datë 22 janar 2014 dhe përfundon ditën e mërkurë, datë 5 shkurt 2014. Të interesuarit, të cilët plotësojnë kriteret e parashikuara nga ligji, duhet të dorëzojnë në Institucionin e Presidentit të Republikës dokumentacionin e nevojshëm:

1- Kërkesë me shkrim 2- Fotokopje të dëshmisë së arsimit të lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë (e noterizuar) 3- Përmbledhje të karrierës profesionale e shoqëruar me vërtetimet e lëshuara për çdo rast nga institucioni ose organi ku ka ushtruar detyrën ose nga dhomat kombëtare të avokatisë, noterisë, përmbarimit etj. 4- Fotokopje të dokumentit të identifikimit (e noterizuar).

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency