SPAK, një qen roje i PS

0
626

Nga Andi Bushati

Që prej fillimit të javës që shkoi, pasi Lapsi.al botoi skandalin e grabitjes të të dhënave personale të qytetarëve të Tiranës, unë dhe kolegu im Armand Shkullaku jemi bërë pjesë e një hetimi të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit. Fillimisht një grup oficerësh të policisë gjyqësore u shfaqën në zyrat e medias sonë, gjoja për të ekzekutuar urdhrin e shefave të tyre për sekuestrimin e provave të këtij krimi.

Përgjigjja jonë qe e thjeshtë: le të shkonin në zyrat e Partisë Socialiste, ku gjendeshin serverat me të dhënat që mbërritën deri tek ne. Ose po të donin të shkonin në ato të e Albanias, besimin tek e cila e propogandon me të madhe kryeministri, por mbi të cilën po thellohen dyshimet se e ka shitur konfidencialitetin e qytetarëve, për interesat e një partie të vetme. Ata kërkuan që ne ti jepnim provat dhe burimin që dispononim dhe u larguan pasi morën përgjigjen se profesioni i gazetarit na detyron të mos e “shesim” as burimin tonë dhe as rrethanat që e dekonspirojnë atë.

Dy ditë më pas, në 16 prill, u morrëm në pyetje në SPAK për atë që kishte ndodhur. Prokurorët e organit të “tmerrshëm”, të sapo dalë nga reforma në drejtësi, që pretendohej se do i jepte fund pandëshkueshmërisë, na pyetën me cilësinë e dëshmitarit që kishte djeni për ngjarjen. Në fakt u habitën se çështja penale e regjistruar fillimisht, nuk kishte të bënte aspak me krimin zgjedhor të cilin ne denonconim (kjo do të shtohej më pas). Një gjë të tillë ia kërkova edhe prokurores që më mori në pyetje, duke i sugjeruar, për aq sa lejon konfidencialiteti i një seance të tillë, të shkonin dhe të pyesnin edhe në zyrat e shtetit apo PS, sepse përndryshe, kjo çështje, do të varrosej shumë shpejt. Pak a shumë këto gjëra thashë për kolegët e mij gazetarë në dalje të SPAK.

Por, në vend që hetimi të drejtohej në këtë rrugë logjike-, që siç ma kanë pohuar me gojën e tyre edhe dhjetra juristë, avokatë e ish prokurorë, do të ishte e vetmja që një profesionist do të ndërrmerrte-, të dielën u njohëm me një vendim të papritur. Një gjykatëse nga ato që kanë kaluar të freskëta vettingun, Iliriana Olldashi, nuk kishte pritur një ditë të zakonshme jave, po kishte shfrytëzuar të dielën, për të nxjerrë një vendim absurd, që kërkonte provat e krimit, jo atje ku kanë ndodhur, por në zyrat e Lapsi.al. Madje ajo kishte shkuar edhe më tej duke nënshkruar për sekuestrimin e kompjuterave, serverave dhe celularëve të ne gazetarëve kudo që ato ndodheshin.

Po çfarë kishim ne që na duhej sekuestruar me patjetër?

As armë, as kontenierë droge, as karta identiteti të blera me paratë e tenderave dhe koncesioneve, për të mos i lënë njerëzit të votojnë të lirë.

Ajo që ne kishim ishte një bazë të dhënash që sot e disponojnë me mijëra vetë, të cilët të lënduar, të prekur, të revoltuar se jetojnë në një regjim oruellian mbikqyrjeje, kërkojnë herë dëshpërimisht dhe herë me humor, patronazhistin e tyre. Tashmë këto të dhëna i kanë botuar me dhjetra media, i kanë përcjellë në rrjetet sociale sa e sa ndjekës.

Ato janë një sekret publik.

Pra pyetja nuk është kush i disponon, por cili i ka grabitur aty ku duhej të ruheshin?

Por, në këtë pistë me sa duket SPAK nuk ka dëshirë të hetojë.

Duke u konsultuar me shumë specialistë të fushës, ata na kanë dhënë njëzëri dy sugjermime. Nëse kjo punë do të duhej të bëhej profesionalisht, duheshin ndjekur së paku dy rrugë.

Së pari, duhej hetuar pranë e- Albania, nxjerrja e të dhënave nga serveri i së cilës lë gjurmë. Janë tashmë të shumta dëshmitë se qytetarë (madje dhe gazetarë) që gjenden prej vitesh jashtë, që nuk kanë ardhur fare në Shqipëri, por që për arsye kërkese dokumentash kanë depozituar të dhënat e tyre tek AKSH, janë dekonspiruar.

Pra ata, as nuk kanë pasur lidhje me PS-në, as kanë kontaktuar me patronazhistin e saj dhe e vetmja mundësi prej nga ka rrjedhur informacioni me të dhënat personale të tyre është kontakti që kanë pasur me shtetin (e- albanian).

Rruga tjetër do të kish qenë të merreshin urgjentisht në pyetje ata persona, emrat e të cilëve figurojnë si patronazhistë dhe një mumër të konsiderueshëm të të cilëve Lapsi.al i ka vërtetuar që punojnë për llogari të rilindjes. Kush i ka urdhëruar të merreshin me ato të dhëna? Cili ua ka dhënë? Si iu ka rënë në dorë numri i telefonit, adresa, numri i kartës së identitetit të atij që duhet të mbikqyrin?

Por, para se të bëjë këtë, prokuroria dhe gjykata e posatçme kanë preferuar të merren me ne gazetarët. Dhe aq këmbëngulës po tregohen në këtë pikë, sa natyrshëm të lind dyshimi: çfarë po kërkojnë realisht, atë që ka kryer krimin e vjedhjes të të dhënave të qytetarëve, atë që po i përdor këto të dhëna personale për të përmbysur rezultatin e 25 prillit, apo thjeshtë duan të kapin atë që ka tradhëtuar nënën parti dhe ka nxjerrë në sipërfaqe krimin që ajo donte ta mbante fshehur?

Duke u sjellë kështu si po sillen, duke hetuar, jo për ata që duhet të gjendeshin pas hekurave, por për denoncuesin e tyre, SPAK dhe Gjykata e Posatçme po dëshmojnë një zbythje prej lakeu politik. Ata kanë nisur një gjueti shtrigash ndaj armikut të partisë duke i lënë të flenë të qetë armiqtë e qytetarëve.

Nëse ne si gazetarë, u përpoqën të bëjmë detyrën tonë si watchdog, pra sipas një zhargoni gazetaresk, atë të qenit roje në të mirë të interesit publik, prokurorët dhe gjyqtarët e drejtësisë së re duket se kanë nisur punën si watchdog të rilindejs. /Lapsi.al/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here