“Politikanët e korruptuar dhe kokat e krimit nuk janë ndëshkuar”, Basha: 25 prilli dita e çlirimit të drejtësisë

0
82

Kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se politika ka investuar për të mos ndëshkuar politikanët e korruptuar dhe kokat e krimit të lidhur me të.

Në një intervistë me gazetaren Sonila Meço në Tempora në RTV Ora, Basha shtoi se 25 prilli do të jetë një ditë e mirë edhe për drejtësinë, edhe për reformën në drejtësi, sepse do të çlirohet nga presioni politik.

Sonila Meço: Janë bërë pak konceptet e ndarjes së legjislativit, ekzekutivit, gjyqësorit në këtë shtet të viteve të fundit kështu që do doja të ndalesha menjëherë pas publicitetit dhe për pak minuta tek kjo pjesë, ju jeni kandidat për kreun ekzekutivi, por çështje te drejtësisë shqiptarët i kanë lënë peng, të penguarit e mëdhenj. Solla në vëmendje çështjen e drejtësisë që i ka mbajtur shqiptarët të penguarit e mëdhenj. Ju nuk do të keni në dorë të ndikoni drejtësinë shqiptare, ama kemi një fakt që tingëllon sa herë që flasim, të paktën në këto orët e fundit. Për shembull, për Partinë Socialiste, për mazhorancën, kreu i SPAK-ut është një votues i sigurt i Partisë Socialiste në bazë të listave që regjistrohen. Përtej kësaj që mund të ngjaj edhe si anekdotë, por ka një problem me funksionimin e SPAK-ut. Janë çuar jashtëzakonisht dosje, nuk ka fillime hetimesh për shumë çështje të rëndësishme, të tjera janë mbyllur para kohe, shumë kanë dal jashtë juridiksionit të tij, kjo pjesë e reformës në drejtësi, me ardhjen tuaj në pushtet, çfarë do të përjetojë? Një përshpejtim të kësaj mbi këto baza me të cilën është ndërtuar, ku besimi i qytetarëve ka rënë ndjeshëm sipas eurobarometrit apo do të rishikoni edhe shumë faktorë  të cilët kanë çuar në këto institucione të gjymtuara.

Lulzim Basha: Shqetësimi që ju shtroni është shumë i drejtë. Ky është edhe shqetësimi i shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë, të cilët duan dhe presin një drejtësi të pavarur nga politika. Nuk është hera e parë që e them, madje as në praninë tuaj që problemi i drejtësisë është një problem i krijuar nga politika. Politika ka investuar për të mos ndëshkuar politikanët e korruptuar dhe kokat e krimit të lidhur me të. Ndërsa reforma në drejtësi ka synuar pavarësinë e drejtësisë, pavarësinë e gjyqësorit dhe të prokurorëve, pikërisht për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Ne kemi votuar unanimisht Reformën në Drejtësi në vitin 2016, pikërisht për të arritur këtë standard perëndimor. Partia Demokratike dhe unë, koalicioni ynë për ndryshim, Aleanca për Ndryshim qëndrojnë garant për një Reformë në Drejtësi sipas kritereve perëndimore dhe në bashkëpunim me partnerët tanë që kanë investuar në këtë reformë që janë BE dhe SHBA.

Sonila Meço: Mund të rishihen ato që janë bërë gabim? Ne kemi gjyqtarë jashtë afatit, jashtë kritereve, pra, le të themi në shumë elementë të saj për shkak të ngutit dhe të mënyrës se si erdhi, kjo reformë është ndërtuar mbi baza jo kushtetuese, ka shkelje të kushtetutës edhe ligjeve mbi të cilës u ndërtuara kjo reformë.

Lulzim Basha: Pra, thelbi i ndryshimit më 25 prill, është që do të kemi një qeveri që nuk ka jetike të fus duart në sistemin e drejtësisë, por e ka jetike që drejtësia të funksionoj. Duke u nisur nga ky parim dhe në bashkëpunim me partnerët që kanë investuar kaq shumë në reformën në drejtësi, 25 prilli do të jetë një ditë e mirë edhe për drejtësinë, edhe për reformën në drejtësi, sepse do të çlirohet nga presioni politik që është problemi kryesor qoftë me ritmin, qoftë me problemet që kanë shoqëruar reformën gjatë këtyre viteve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here