Tenxherja e politikës…

0
108

Nga Ilir Kalemaj

Bën zgjedhje Kosova, i mbyll më shpejt se i fillon, del rezultati pa kurrfarë vonese sa mbyllet votimi, i çertifikon pa humbur kohë dhe miraton qeverinë e re. Opozita e atjeshme premton luajalitet institucional, LDK bën me shpëjtësi zgjedhjet për kryetarin e ri pas dorëheqjes së kryetarit historik Isa Mustafa, zgjedh më të mirin syresh, të riun Abdixhiku, PDK premton një opozitë politike por të moderuar nën udhëheqjen e historianit dhe profesorit Enver Hoxhaj, AAK premton luajalitet institucional dhe oponencë konstruktive ndërsa qeveria e re duket mjaft premtuese qoftë në drejtim të përfshirjes gjinore me një të tretën gra, qoftë nga kombinimi i figurave politike me potencialin teknik, ashtu dhe nga simbolika por dhe meritokracia ku natyrisht përsonaliteti që ka bërë më shumë përshtypje është Donika Gërvalla si ministre e jashtme dhe një prej zv.kryeministreve të vendit.

Ndërkohë në Shqipëri, tumnaja e paqartësive të rregullave të lojës ka të paktën dy vjet që mban trazuar ujërat e turbullta të politikës shqiptare, ndërkohë, që zhurrmnaja mediatike dhe fushata praktike kanë të paktën gjashtë muaj që kanë filluar. Diskutime pafund për rrezikshmërinë e zgjedhjeve të ardhshme të cilat si rrallëherë do kenë dhe një periudhë paszgjedhore që do të zgjasë pesë muaj deri në konstituimin e qeverisë së re. Debate shterpë për kushtetuëshmërinë e certifikimit të fituesit në një vend ku gjykata kushtetuese ende pret të gjykojë çështje të karakterit politik të para dy vjetëve. Bojë e pafundme gazetash harxhuar për profile kandidatësh që nuk kanë shkruar as dy gisht kartë në jetën e tyre apo janë shquar veç për memecllëk politik nëse janë ulur më parë në aulën parlamentare.

Është e lehtë të kuptosh domosdoshmërinë e politikës në një vend që gdhihet dhe ngryset me sytë nga politika qe garanton atë punën e shumëlakmuar në shtet për nga rehatllëku dhe përfitimet materiale dhe jomateriale. Është gjithashtu e lexueshme se pse nga politika varet dhe shanset e suksesit të biznesit privat, të kapjes së koncesioneve dhe tenderave, të sigurisë relative apo dhe të garancive të mbijetesës për shtresën më vulnerabël që njëherazi po rritet me shpejtësi të frikshme. Në një vend ku mbi 40 përqind e popullsisë jeton në varfëri relative, pra me më pak se 5.5 dollarë, në ditë dhe ku pabarazia po zgjerohet frikshëm, me te ardhurat mesatare prej vetëm 300 euro në muaj më të ulëtat në Europë, me një diferencë me mesataren e vendeve të BE-së që është gati sa dyfishi i asaj që ishte në kohën e Ismail Qemalit ku sapo ishim themeluar si shtet, natyrisht që sytë mbahen nga shteti si të ishte Mesia.

Dhe ky i fundit nuk përton të zgjerohet, te fryhet si buka me maja të tepërt vencarisht në kohë fushate zgjedhore. Vetëm tremujorin e fundit është rritur punësimi në sektorin shtetëror me rreth 10 mijë të punësuar rishtas, duke arritur shifrën e mbi 185 mijëve, më e larta e regjistruar nga fillim-vitet 90-të. Mjaft të kujtojmë që në 2013-ën ishte më pak se 164 mijë të punësuar pra një fryrje me rreth 20 mijë të punësuar sipas një sistemi klientelist që shpërblen besnikërinë partiake dhe promovon militantizmin e verbër përkundër meritokracisë dhe aftësisë për të shërbyer.

Politika vazhdon të jetë alfa dhe omega e ekzistencës së homo albanicus e ushqyer nga delire dhe delirantë jo të paktë. Është absurde të kërkosh ndonjë vend binjak në botë dhe me qiri në dritë të diellit si Diogjeni në vakt të vetë, ku mbi 20 mijë kandidatë, të propozuar apo të vet-shpallur e ndjenin veten të aftë për të qenë pjesë e listës për deputetë në një parlament që ka vetëm 140 vende. Biznesmenë që shpenzojnë edhe gjysmë milionë euro për t’u futur në lista në vende të sigurta apo për të thyer herësin, kandidatë që nuk i voton as familja e tyre biologjike por ku në rastin më modest shpallin që kanë pas vetes votat e krejt fisit apo katundit nga vijnë a thua jemi ende shoqëri tribale ku politika është ende ne trajta klanore. Edhe në eksperiencën personale e kam pasur të vështirë të gjej ndonjë kandidat të shpallur apo të vetshpallur që mos të deklarojë pa i’u bërë syri tërr që ka pas vetes të paktën 2 mijë votues, a thua njerëzit janë dele që i’u shkojnë pas që këta të ngrohin vezë për katër vitet e ardhshme ndërkohë që pas 2008-ës, thuajse është asgjësuar totalisht lidhja e zonës me deputetin.

Funksioni primar i këtij të fundit është ligj-bërja që kërkon më së paku njohuri bazike mbi teknikën legjislative, një formim qoftë dhe dytësor në fushën e drejtësisë, ekonomisë apo politikës. Deputeti duhet të ketë minimalisht aftësinë për të vjelë informacion nga grupet e interesit dhe kompetencën për ta sintentizuar atë. Ndërkohë që mund të identifikohen fare kollaj dhe të numërohen me gishtat e njërës dorë, deputetët aktualë të të dy kaheve që janë në gjendje të kuptojnë dhe arrijnë të përcojnë në praktikë këtë detyrë të fisme dhe me përgjegjësi qytetare që kërkohet nga ata të cilëve u kemi deleguar vullnetin tonë sovranë për të përfaqësuar interesat tona në formën dhe mënyrën më të mirë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here