Importi i vaksinave jashtë listës EMA-FDA, precedent i rrezikshëm…

0
128
Nga Erion Dasho 

Dje qeveria e Boratit nxori një vendim që i hap rrugën importit të vaksinave edhe jashtë listës së miratuar nga EMA dhe FDA. Ndonëse, përpjekja për të siguruar vaksina duhet përshëndetur, precedenti që krijohet është i rrezikshëm, për shkak të trokitjes në derën e gabuar.

Për momentin janë qindra vaksina në eksperimentim, një pjesë e madhe e tyre në vende të cilat nuk kanë mekanizma kontrolli të përshtatshëm për të garantuar efektshmërinë dhe sigurinë e vaksinës.

Deri dje garancia e shqiptarëve kanë qenë procedurat strikte të licensimit nga EMA dhe FDA. Sot jo më! Me vendimin e djeshëm, Borati hap një kuti pandore që ka potencialin të krijojë një dëm të jashtëzakonshëm, ndërkohë që përfitimet shëndetësore janë të dyshimta.

Gamalea ka një kapacitet të limituar prodhimi dhe kontratat e saj tashmë janë te ezauruara. Dozat e Sputnik V që mund të sigurohen nëpërmjet kësaj lëvizje do të ngelen në nivelin e disa mijërave. Pra, pa ndonjë efekt domethënës mbi fushatën e vaksinimit kur mendon se 30 mijë doza mjaftojnë për të vaksinuar vetëm 0.5% të popullsisë!

Një problem edhe më i madh në këtë vendim lidhet me vaksinat që do të kenë si vend origjine Kinën.

Përvoja e deritanishme (sikundër ka ndodhur edhe me testet për COVID, mjetet mbrojtëse personale, etj.) ka treguar se nga ky vend vijnë produkte shumë cilësorë, sikundër edhe produkte me cilësi të dyshimtë.

Organet tona të licensimit dhe farmakovigjilencës nuk e kanë kapacitetin për të bërë diferencën midis këtyre dy kategorive. Rrjedhimisht, vula e FDA-së dhe EMA-s ka qenë i vetmi garant për sigurinë tonë medikamentoze.

Me vendimin e djeshëm, qeveria e Boratit ka hedhur një hap të rrezikshëm drejt rrënimit të besimit të qytetarëve shqiptarë tek siguria medikamentoze. Rruga për kontrollin e pandemisë me të vërtetë kalon nga vaksinat, por këto të fundit mund dhe duhet të sigurohen vetëm nga burime të sigurta!

Borati dhe boratët nuk kanë asnjë të drejtë që për të mbuluar dështimin e tyre në menaxhimin e pandemisë në përgjithësi dhe me vaksinën në veçanti, të rrezikojnë më tej shëndetin e shqiptarëve.

Ata duhet të pushojnë së trajtuari jetën e qytetarëve të këtij vendi si objekt elektoral për të fituar ca vota më tepër! Mbi të gjitha, loja me vaksinat dhe sidomos me vokacionin europian të shqiptarëve duhet të marrë fund sa më parë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here