Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka prezantuar sot Klaudia Krasnikën si kandidate për deputete në Elbasan
Në fjalën e saj, duke folur për qarkun ku kandidon edhe vetë, Kryemadhi tha se “është qyteti që ka papunësinë më të lartë, ka mungesë vëmendje nga qeveria”.
Më tej, Kryemadhi shtoi se LSI “nuk po lufton për të bërë 2, 5 deputetë apo 3-4 drejtorë që abuzojnë me emrin e partisë, pasurohen për veten e tyre dhe pastaj ndryshojnë flamujt politik. Ne jemi për ndryshimin e sistemit”.
“Një nga avantazhet tona ndryshe nga listat e Rilindjes të cilët do hajnë kokat e njëri-tjetrit kush do thyejë listat, në LSI s’është cështja te thyerja e listës por kontribuimi. Ajo që ne aspirojmë është për të ndryshuar këtë sistem”, tha ajo.
Kryemadhi tha se ndryshimi i Kodit Zgjedhor nuk e ka dëmtuar LSI-në.
‘Kur Edi Rama ndryshoi kodin mendoi që do ta dëmtonte LSI por në fakt Kodi që u miratua i ka dhënë disa priorirete jashtëzakonisht të mëdha LSI-së, renditja në LSI s’ka të bëjë me numrin që ke në listë se sa ka të bëjë me atë që secili nga ne përfaqëson”.
Këtu Kryemadhi gjeti rastin të thumbonte edhe renditjen e kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.
“Edhe Taulant Ballën të 8 e ka vendosur Edi Rama, por…bota nuk rrotullohet rreth atyre, bota rrotullohet rreth diellit, diell janë fëmijët tanë. Monika i ka një borxh Elbasanit e do ia kthej borxhin, por një nga gjërat kryesore, sidomos ne si LSI të ndërtojmë klasën politike të re me integritet e dinjitet me një emancipim të brendshëm”, tha kryetarja e LSI.