INSTAT: Viti 2020 mund të ketë numrin më të lartë të vdekjeve në dekadën e fundit

0
130

Numri i vdekjeve në Shqipëri u rrit me 10.5 për qind nëntë muajt e këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Mungesa e të dhënave të plota nga autoritetet shëndetësore dhe regjistri i gjendjes civile, lë të paqartë faktin nëse kjo rritje erdhi kryesisht prej pandemisë apo faktorëve të tjerë.

Të dhënat paraprake të Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se nga janari deri në shtator të vitit 2020, në Shqipëri u regjistruan 17,398 vdekje – 1,666 më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.

Nga këto vdekje, 388 ishin nga COVID-19, së paku nga çka u raportua prej ministrisë së Shëndetësisë deri në fund të muajit shtator.

Mirëpo vlen të thuhet se ky numër specifik për COVID-in është vetëm për vdekjet spitalore. Ai nuk përfshin vdekjet nga COVID-19 në spitalet jashtë shtetit, azile apo shtëpi.

Për këtë INSTAT thotë se kjo statistikë “mund të mos reflektojë realitetin”, pasi për shkak të situatës së pandemisë, numri i saktë i vdekjeve “mund të mos jetë raportuar në zyrat e gjendjeve civile”.

Të dhënat e shqyrtuara nga Euronews Albania, tregojnë se viti 2020 mund të jetë viti me numrin më të lartë të vdekjeve në dhjetëvjeçarin e fundit në Shqipëri.

Në dhjetëvjeçarin e fundit, viti 2015 ishte me numrin më të lartë të vdekjeve – 22,418 vdekje. Viti aktual, në periudhën janar-shtator ka regjistruar 17,398 vdekje dhe nëse për tre muajt e fundit do të ketë, së paku të njëjtin numër sikurse ai i vitit 2019 (6,205 vdekje), atëherë shifra totale e këtij viti do të jetë me rekordin e mbi 23,500 vdekjeve.

Në raport me qarqet, për vitin aktual qarqe si Lezha, Tirana apo Shkodra kanë pasur rritje të vdekjeve nga 15-22.8%  – megjithatë në raport me popullsinë Tirana mban shifra nën mesatare të vdekjeve për çdo 10 mijë banorë.

Në raport me popullsinë Gjirokastra është qarku që ka numrin më të lart të vdekjeve – 99 vdekje për çdo 10 mijë banorë.

Për sa i përket lindjeve vlen të thuhet se qarqe si Shkodra, Korça, Vlora, Berati dhe Gjirokastra patën “shtesë natyrore negative”, thënë ndryshe më pak lindje se sa vdekje.

Kjo prirje është e përsëritur për disa qarqe të vendit tonë dhe vjen përgjithësisht prej lëvizjeve drejt Tiranës dhe emigrimit jashtë shtetit të familjeve të reja.

Prirja në fjalë është konsideruar rëndomë në media si “shpopullimi i Shqipërisë”. Kjo bie tejet në dukje nëse i referohemi shifrave.

Në janar 2010 popullsia ishte rreth 3.2 milionë banorë, së paku 300 mijë më shumë se raporton INSTAT sot.

Emigracioni, rënia e lindjeve, rritja e kostos së jetesës dhe divorceve ka ndikuar në mplakjen e popullsisë.

Kjo tregohet nga fakti se në vitin 2010 gjysma e popullsisë ishte më e re në moshë se 32.2 vjeç, ndërsa në vitin 2020 kjo medianë ka shkuar në 37.2 vjeç.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here