Regjistrimi/ Mësuesit, hapat që duhet të ndiqen për të fituar një vend pune  

0
158

Vendet e lira publikohen pas datës 20 nëntor. Numër i ulët i aplikimeve në ditën e parë. Kërkesat më të larta për mësues matematike, fizkulture, gjuhë shqipe dhe për gjuhët e huaja

teacherNga dita e djeshme kanë nisur aplikimet për një nga vendet e lira për mësues në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit. Në ditën e parë numri i aplikimeve ka qenë i ulët, ku në Drejtorinë Arsimore të Tiranës kanë aplikuar vetëm 15 mësues. Në rang vendi kanë aplikuar 28 kandidatë. Sipas Ministrisë së Arsimit, numri i vogël i aplikimeve vjen, për shkak se jo të gjithë kandidatët e njohin sistemin dhe se duhet të ngarkojnë dokumentet përkatëse kur të aplikojnë. Ndërkohë, MAS sqaron se pas datës 20 nëntor do të publikohet në faqen mësuesi.arsimi.gov.al të gjitha vendet e lira sipas drejtorive arsimore përkatëse.

 

Regjistrimi

Për t’u regjistruar duhet të zgjidhni nivelin tuaj arsimor të përfunduar që shfaqet në listë konkretisht: Bachelor, Master Profesional, Master i Shkencave/Master i Arteve të Bukura, DIND (Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë). Zgjidhni Institucionin e Arsimit të Lartë ku keni kryer studimet nga lista e shfaqur e IAL-ve. Plotësoni duke shkruar titullin e diplomës, e cila është e cituar në diplomën tuaj. Plotësoni vitin e përfundimit të studimeve, i cili ndodhet në diplomën tuaj. Plotësoni mesataren e studimeve tuaja të shprehur me 2 shkronja pas presjes. Ngarkoni diplomën universitare të skanuar, duke zgjidhur dokumentin që do të ngarkoni në sistem në formatin .doc; .docx; . jpg; .pdf ;. Plotësoni vitet e punës suaj si mësues në listën e shfaqur, konkretisht sipas ndarjes: Nuk Ka 1- vit, 2- vite, 3- vite, 4- vite, 5- vite, 6-10 vite,11-15 vite, 16-20 vite dhe më shumë se 20 vite. Plotësoni duke shkruar trajnimet, kualifikimet, si dhe zhvillimin profesional tuajin duke përmendur certifikimet që zotëroni. Plotësoni duke shkruar gjuhët e huaja që zotëroni. Plotësoni duke shkruar njohuritë kompjuterike që zotëroni.

Zgjidhni profilin e testit, për të cilin aplikoni, sipas listës së shpallur referuar udhëzimit përkatës për “Organizimin e testimit të aplikantëve në mësuesi”.

 

Tirana, numër rekord mësuesish

Tirana ka numrin më të lartë të arsimtarëve që janë në listat e pritjes për një vend pune. Nga të dhënat që raporton drejtorja e Arsimit për kryeqytetin, kërkesat më të mëdha në numër për një vend pune janë për mësues të gjuhës shqipe, matematikë, fizkulturë e gjuhë të huaja. Ajo shprehet se të gjithë arsimtarët që janë në listat e pritjes, rreth 1400 të tillë, janë të lutur të aplikojnë në portalin kombëtar, që më pas të bëhen pjesë e testimit, në bazë edhe të së cilit ata do të gjejnë një vend pune, nëse do të arrijnë rezultatin e duhur. “Të gjithë personat e regjistruar në listën e pritjes në Drejtorinë Arsimore të Tiranës si dhe drejtoritë e qyteteve të tjera janë të lutur të shkojnë dhe të aplikojnë në portal, të plotësojnë formularin me të dhënat dhe të bëhen gati për testimin që do të bëhet brenda muajit dhjetor. Rezultatet e testimit do të jenë transparente dhe gjithkush do të shohë jo vetëm rezultatin e vet, pozicionimin në testim po dhe kolegët e tjerë”, – thotë Arjola Byzyka, drejtore e DAR Tiranë. Portali kombëtar do t’u japë fund rekrutimeve në bazë të preferencave, atyre klienteliste. Gjithçka do të jetë transparente, në bazë të pikëve të grumbulluara. “Me sistemin dhe me portalin e ndërtuar nuk ka më çështje prioriteti. Në portal aplikojnë punë kërkuesit, portali do të nxjerrë produktin se cili nga ata do të ketë rezultat të mirë në testim, pavarësisht se nga ai vjen”, – tha Byzyka. Ata që do të aplikojnë në portalin kombëtar, duhet të kenë përfunduar studimet e larta në profilet e mësuesisë brenda vendit ose jashtë, si dhe mësuesit që aktualisht janë në marrëdhënie pune provizore si mësues me kontratë.

 

 AMF/ Pensionet private vullnetare, asetet arrijnë 4.15 milionë euro

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka raportuar së fundmi se totali i aseteve nën menaxhim të fondeve të pensioneve private vullnetare ka arritur 4.15 milionë euro. Në një njoftim për shtyp, AMF bën të ditur se gjatë nëntëmujorit të vitit 2014, në tregun e pensioneve private vullnetare ushtruan aktivitetin e tyre tre fonde pensioni. “Analiza e të dhënave për tregun e pensioneve private vullnetare më 30.9.2014 tregon një total asetesh nën menaxhim prej 580.97 milionë lekë dhe me një rritje prej afro 144.94 milionë lekë (33.24%) krahasuar me fundin e vitit 2013” shkruhet në njoftimin e publikuar në faqen e internetit. Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, më 30.9.2014 ishte 8,432 anëtarë duke shënuar rritje prej 6.91% krahasuar me fundin e vitit 2013.

 

 Gjeologji-Minierat/ Studentët ndërpresin protestat: Rifillojmë, nëse s’mbahet premtimi

Pas një jave protestë, studentët e Fakultetit të Gjeologji-Minierave kanë ndërprerë bojkotin e mësimit. Ndërprerja ka ardhur, për shkak të premtimit të Kryeministrit se nuk do të lëvizin nga ndërtesa, por sipas studentëve, ata do të kthehen sërish në protestë. Kryetari i Këshillit të Profesorëve, Vasil Jorgji, deklaron se protestat rifillojnë nëse shkelet premtimi. “Këshilli vendos të ndërpritet protesta, të vazhdojë normalisht procesi mësimor dhe nëse kryeministri i vendit nuk mban premtimin publik ne jemi prapë këtu për tu ngritur në protestë. Ndërprerja e procesit mësimor erdhi thjesht dhe vetëm si rezultat i asaj VKM-je që nuk i jepte zgjidhje problemit tonë”, – shprehet Jorgji. Kryeministri Rama u tha studentëve që protestonin para Kuvendit se kishte folur me dekanin e fakultetit, por me sa duket ky fakt nuk u është përcjellë studentëve. Kreu i qeverisë tha se në të njëjtin truall do të ndërtohet një godinë e re, e cila do të jetë e standardeve bashkëkohore dhe me të gjitha kushtet laboratorike. Profesor Vasil Jorgji sqaron se para protestës se djeshme Ministria e Arsimit u ka dërguar një urdhër me shkrim për ngritjen e Komisionit të vlerësimit të kërkesave. ”Pika e parë e këtij urdhri ishte ngritja e Komisionit, për të hartuar kërkesat që ne kemi për mjedise dhe për të ndjekur të gjitha hapat në kohë dhe në hapësirë për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave”, – shprehet Jorgji. Fakultetit i Gjeologji-Minierave pritet të përballet dhe me raportin për rankimin e universiteteve, ku me ambientet e reja ky fakultet nuk i plotëson kushtet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency