Rama që donte ndarjen e Kosovës, keqpërdor raportin e Dick Martit për të njollosur rivalët politikë

0
127

Dick Marty ishte i sigurt se Shtëpia e Verdhë në Mat të Shqipërisë i ka shërbyer UÇK-së si sallë operimi, për të zhvilluar kontrabandën e saj me organe njerëzish, gjatë viteve 1998-99, ku viktimat kanë qenë serbë dhe romë.

Në fillim të raportit të tij, (Pikat 1-20, Faqe 1-4) ai përsëriti të njëjtat akuza si në raportin e tij të parë që u publikua me 11 qershor të vitit 2007, u bë njëra nga pikat kyçe për themelimin e Gjykatës Speciale.

Sot, udhëheqës të shtabit të UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë ku po akuzohen për krime lufte. Por në atkakuzat e publikuara, nuk ka asgjë për trafikun e organeve. Asnjëherë nuk pat prova për këtë akuzë të rëndë.

Pikërisht është ky raporti i Dick Martit, që e ‘frymëzoi’ kryeministrin Edi Rama të ‘bëhet’ patriot e ta përdorë tani për kohë fushate.

Tani kur Kosova ndodhet në situatën më të rëndë që nga pas lufta dhe po ballafaqohet edhe njëherë me drejtësinë ndërkombëtare, është pikërisht Rama, që lobonte deri dje me presidentin kosovar, Hashim Thaçin e atë serb, Aleksandër Vuçiq, për të ndarë territorin e Kosovës e tash vajton për raportin e Dick Martit..

Ky debat artificial i hapur nga Rama në Shqipëri ditët e fundit, rreth asaj se çfarë ka ndodhur në Shtëpinë e Verdhë nuk po mirëpritet në Kosovë.

Analisti, Xhevdet Pozhari kryeministrin Rama e quan mjeshtër të manipulimeve për tërheqjen e vëmendjes së opinionit nga problemet me të cilat ballafaqohen në realitet qytetarët në Shqipëri.

“Edi Rama jo vetëm kësaj radhe po në vazhdimësi të qeverisjes së tij e ka dëshmuar së është mjeshtër i manipulimeve për të tërhequr vëmendjen e opinionit për të fshehur problemet me të cilat ballafaqohen në realitet qytetarët në Shqipëri. Nga aferat e ndryshme korruptive që tash e sa vite është i përfshirë z.Rama  nga lidhjet e tij që i ka me oligarkët e ndryshëm. Kjo temë e imponuar së fundmi në raport me Kosovën është vetëm një nga truqet e tij, për të shpërqendruar vëmendjen e publikut. Kur dihet që i njëjti kryeministër, shquhet për raporte me pasardhësin e Sheshelit, i cili sot drejton Serbinë, z. Vuçiq.

Tutje, Pozhari në prononcimin për Syri.net Kosovën thotë se Edi Rama po tenton t’i mbulojë mëkatet e tij, duke njollosur kundërshtarët e tij politikë.

“Edi Rama, për t’i mbuluar mëkatet e tij, po mundohet të njollos çdo kënd tjetër i cili në thelb mund të jetë pengës për vazhdimin e qeverisjes për një mandat të ri. Mirëpo ai tash ka ardhur në një situatë që sa më tepër që afrohet prilli data e zgjedhjeve, nervozë e tij bëhet më e dukshme, njësoj sikur edhe akuzat e tij mese absurde” – përfundon Pozhari.

Se Rama tani po tenton që edhe njëherë të përdorë Kosovën për interesat e tij, vërehet në sulmet që ka filluar ndaj presidentit shqiptar, Ilir Meta, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha, rreth akuzave që po i hedh në drejtim të tyre.

Për këtë, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbër Zaimi, ka reaguar duke ia rikujtuar Ramës se çfarë bëri deri dje.

“Rama akuzon kundërshtarin politik pse ka bashkëpunuar me UNMIK para 20 vitesh. Shumë mirë, le ta zbardhin deri në fund, të merret vesh çka e si. Ndërkohë, d.m.th. sot, por edhe para një, dy, tre e më shumë vjetësh, Rama është partneri kryesor i qeverive Vuçiq-Daçiq në Ballkanin Perëndimor” – shkruan Zaimi në Facebook.

 

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj, në një deklarim për SYRI.net Kosovën thotë se nuk është i nevojshëm, aq më tepër të përdoret për qëllime elektorale.

“Unë mendoj se askush nuk ka të drejtë që çështja e Gjykatës Speciale dhe këto që po përballet Kosova e ushtarët e UÇK-së, ta shfrytëzojë për aspektet elektorale. Do të ishte mirë të solidarizohemi me ta dhe jo të përdoret për qëllime elektorale, aq më tepër kur dihet se çfarë ka bërë deri dje ky person për Kosovën” – përfundon Selmanaj.

Akuzat që tani po bën Rama kundër liderit opozitar Lulzim Bashës janë të pavërteta. Së paku kështu ka deklaruar eksperti i OKB-së, Jose Pablo Baraybar, emri i të cilit përmendet në raportin e Dick Martit.

Baraybar kishte mohuar për gazetën zvicerane “Le Tiemps” se kur kishte vizituar “Shtëpinë e Verdhë”, ai shoqërohej nga Lulzim Basha.

“Unë kurrë nuk kam thënë dhe e përsëris, kurrë, se zoti Basha ishte me mua në Shtëpinë e Verdhë. Nëse kjo është botuar ka qenë një citim i gabuar.”, – u përgjigj eksperti duke demontuar me një fjali gjithë tymnajën e ngritur në Tiranë.

Reagime të mëdha kundër të parit të ekzekutivit shqiptar, pati edhe nga qytetarët e Kosovës, të cilët shfrytëzuan paraqitjen  e ish-kryeministrit, Sali Berisha për të shprehur indinjatën rreth mënyrën se si po e përdorë Rama situatën aktuale me të cilën po ballafaqohet kosovarët këtyre ditëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here