Ndryshon Projektbuxheti/ Veliaj nuk ndalet, kërkon 813 milionë lekë shtesë për inceneratorin

0
91

Kuvendi do të ndryshojë projektligjin për Buxhetin e vitit 2021 me kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkon para për inceneratorin e Tiranës.  Ai kërkon as më pak as më shumë, plot 813 milionë lekë, nga 100 milionë që kishte parashikuar Kuvendi në draftin e miratuar në parim në seancën plenare të enjten e kaluar. Manovra e fshehtë e Bashkisë Tiranë, ka të bëjë me futjen në buxhet të këtyre parave, pasi tashmë ka kaluar furtuna e opozitës dhe e mediave për inceneratorët.

Për të sqaruar deputetët në komisionin e Ekonomisë ishte sot nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku. Pasi renditi një sërë kërkesash për fonde ai arriti tek më kryesorja, që kishte të bënte me inceneratorin famëkeq të dhënë me koncesion.

“Elementi tjetër ka të bëjë me pastrimin e mbetjeve në Tiranë. Kur është bërë koncencioni për trajtimin e mbetjeve në Tiranë ka pasur një axhendë të dakordësuar mes bashkisë dhe qeverisë, ku për vitin 2021 qeveria duhet të mbulonte rreth 813 milionë lekë, ndërkohë që janë parashikuar vetëm 100 milionë lekë”, deklaroi Mazniku. Deputetët që diskutuan ishin dakord me këtë kërkesë.

Denoncimi i KLSH-së

Ndërkaq, deputetët socialistë nuk shqetësohen nga raporti i Kontrollit të Lartë të shtetit i depozituar këto ditë në Kuvend, mbi zbatimin e buxhetit të vitit të kaluar, ku Bashkia e Tiranës rezulton me shkelje në lidhje me paratë e dhëna për inceneratorin.

“Kontrata e koncesionit të inceneratorit të Tiranës është regjistruar në shumën 2,149 milion lekë në katër herë të ndryshme përgjatë vitit 2019 ndërkohë që data reale e kontratës është në 31.08.2017. Regjistrimi i kontratës është pjesor dhe jo e plotë për tu përputhur me vlerën e pagesave të kryera përgjatë vitit 2019. Për këtë kontratë koncesionare janë paguar 977 milionë lekë përgjatë vitit 2019 nga Bashkia Tiranë. Fondet e alokuara për këtë projekt koncesionar/PPP përshijnë shpenzime operative nga llogaria 602 “mallra dhe shërbime”. Një pjesë e këtyre fondeve përfshijnë transfertë specifike për Bashkinë Tiranë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në formën e grantit specifik dhe pjesa tjetër financohet nga të ardhurat e veta të Bashkisë Tiranë.

Shuma e pagesave me burim financimi të ardhurat e veta raportohet në shumën 477 milionë lekë, ndërkohë që shuma e pagesave me burim financimi grantin specifik raportohet në shumën 500 milionë lekë”, raporton KLSH.

Bashkia kërkon para nga qeveria për Teatrin

Bashkia nuk ka para Teatrin e ri. Këtë e konfirmoi Mazniku me kërkesën para deputetëve.

“Kërkesa tjetër ka të bëjë me Teatrin Kombëtar, të shihet mundësia që qeveria ta financojë pjesërisht fillimin e punimeve të teatrit. Më pas me mbylljen e negociatave për kredinë, me kredinë i kthejnë paratë në buxhet, për të pasur mundësi për të fituar kohë”, tha Mazniku.

Gjithashtu, Mazniku kërkoi lehtësira që gjatë pandemisë të anulohet taksa e pronës për ndërtuesit dhe hotelet./TPZ.al/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here